Drejtori i Pergjithshem i Raiffeisen Bank ne Shqiperi, Z. Christian Canacaris zgjidhet Kryetar i Shoqates Shqiptare te Bankave


13.2.2015

12 shkurt 2015 - Asambleja e Anëtarëve të Shoqatës Shqiptare të Bankave zhvilloi në datë 11 shkurt 2015 mbledhjen e radhës, në të cilën sipas statutit, u mbajtën zgjedhjet për Kryetarin e ri të Shoqatës.

Asambleja zgjodhi Z. Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank Shqipëri si Kryetar të Shoqatës Shqiptare të Bankave me një mandat dy vjeçar. Z. Canacaris zëvendëson në këtë pozicion Z. Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm i Banka Kombëtare Tregtare. Pas votimit, Z. Canacaris falënderoi përfaqësuesit e bankave anëtare dhe Z. Pencabligil për punën e bërë gjatë këtyre viteve, dhe u angazhua të vijojë zhvillimin e marrëdhënieve të mira të AAB-së me aktorët e tjerë në treg, dhe të sjellë ide të reja në udhëheqjen e Shoqatës.

Më poshtë do të gjeni një rezyme të përmbledhur të Z. Canacaris.

Z. Christian Canacaris është Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Shqipëri që nga tetori i vitit 2010. Z.Canacaris ka një karrierë të gjatë në fushën e thesarit dhe tregjet e kapitaleve. Ai iu bashkua Raiffeisen Bank në Shqipëri në prill të vitit 2004 si Anëtar Bordi për Thesarin, Bankingun e Investimeve dhe Tregjet e Kapitaleve, pas një përvoje disa vjeçare në vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore. Z. Canacaris është diplomuar në Universitetin e Parisit, Pantheon-Sorbonne me rezultate të shkëlqyera në Financa Ndërmarrjeje dhe e Drejtë Biznesi, si edhe ka një master në Ekonometri, Matematikë dhe Statistikë. Në vitin 2009 Z. Canacaris përfundoi një Master në Menaxhim e Administrim Biznesi në Universitetin prestigjioz britanik të Mancesterit. Z. Canacaris ka marrë nënshtetësinë shqiptare vitin e kaluar.