Skip to main content

Raiffeisen Invest mbështet Bashkinë Tiranë në mbjelljen e 500 pemëve

Në kuadër të iniciativës së Bashkisë Tiranë për rritjen e pyllëzimit, Raiffeisen Invest ka vazhduar edhe këtë vit mbështetjen e saj në mbjelljen e 500 pemëve dekorative në Tiranë për një mjedis më të gjelbër. Me këtë rast, u organizua ceremonia e mbjelljes së pemëve ku ishin të pranishëm Z.Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm në Raiffeisen Bank dhe Kryetari i Bashkisë Tirane, Z. Erjon Veliaj.“Ne dhamë kontributin tonë me mbjelljen e 500 pemëve përgjatë autostradës, të cilat ndikojnë realisht në krijimin e hapësirave të gjelbra dhe duam po ashtu që të vazhdojmë të japim kontributin tonë të mëtejshëm në përmirësimin e mjedisit. Falë kryebashkiakut, kemi marrë përsipër edhe angazhimin tonë social, duke ndihmuar njëkohësisht edhe komunitetin. Kemi bashkëpunuar në mjaft projekte me Bashkinë e Tiranës dhe do të vijojmë të japim këtë kontributin edhe në të ardhmen”, tha gjatë fjalës së tij Z.Canacaris. “Jam sot në një ditë me diell pas shirave, që është momenti ideal për të mbjellë pemë dhe në këtë ditë ideale kemi disa miq idealë, që janë miqtë tanë nga Raiffeisen, të cilët na kanë dhuruar 500 pemë panje, të cilat do qëndisin të gjithë rrugën dytësore të autostradës. Një rrugë, e cila konsumon një pjesë të madhe të ndotjes, për arsye pune të njerëzve që transportojnë mallra dhe që kanë gjithë bizneset në zonën Tiranë-Kashar, ka nevojë që për çdo makinë që kalon këtu, të kemi një pemë. Besoj se miqtë tanë me një përgjegjshmëri sociale të jashtëzakonshme na kanë ndihmuar me kënde lojërash, me çerdhe, kopshte, tani me 500 pemë të reja; janë donatorë përsëritës, pra çdo vit e rrisin kontributin e tyre”, tha Z.Veliaj në fjalën e tij.