Më shumë se financim: Raiffeisen Bank mbështet turizmin shqiptar me vizion dhe partneritet
Intervistë me Z. Joan Canaj, Drejtor i Kredidhënies për Korporatat e Mesme në Raiffeisen Bank Shqipëri
Në vitet pas pandemisë, është shënuar një rritje e ndjeshme e numrit të turistëve të huaj në Shqipëri. Si e ka ndikuar kjo rritje kërkesën për kredi nga sektorët e lidhur me turizmin?
Katër vitet e fundit kanë sjellë një transformim të dukshëm në turizmin shqiptar. Jo vetëm për shkak të rritjes së përgjithshme globale të lëvizshmërisë dhe të ardhurave pas pandemisë, por edhe sepse Shqipëria nisi të shfaqet ndryshe në hartën e destinacioneve turistike ndërkombëtare. Përmirësimi i infrastrukturës, nga rrugët deri te aeroportet, ka qenë i rëndësishëm, ndërsa një atmosferë stabiliteti politik dhe ekonomik ka krijuar besimin e nevojshëm për investime afatgjata.
Shqipëria ka shfrytëzuar me sukses momentumin e rritjes në turizëm, por si një lojtar i ri në tregun rajonal, përballet me sfida të rëndësishme. Kapaciteteve akomoduese ngelen akoma të kufizuara dhe të fragmentuara. Pikërisht kjo ka shtyrë shumë biznese që të kërkojnë financim për të investuar në struktura hoteliere më të mëdha, në vila turistike moderne, apo edhe në shërbime mbështetëse si transporti, restorantet dhe aktivitetet për turistët.
Si pasojë, kërkesa për kredi nga ky segment është rritur ndjeshëm. Ne në Raiffeisen Bank e kemi lexuar këtë zhvillim si një mundësi reale zhvillimi dhe jemi përfshirë si kredidhënës në disa prej projekteve më ambicioze që po ndërtohen aktualisht në vend. Këto iniciativa jo vetëm që rrisin kapacitetet akomoduese, por gjithashtu përmirësojnë cilësinë, standardet dhe përvojën për turistët. Në fund, këto investime kontribuojnë në rikthimin e klientëve dhe në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit.
Cila ka qenë deri tani qasja e bankës suaj ndaj financimit të projekteve të lidhura me sektorin e turizmit? Cilat aktivitete apo tipologji të projekteve kanë qenë më të financuarat nga ana juaj?
Qasja e Raiffeisen Bank ka qenë selektive, por gjithmonë e hapur për mundësi të reja. Jemi angazhuar në një gamë të gjerë projektesh, që nga hotele me standarde të larta në zonat urbane dhe në bregdet, deri tek komplekse vilash turistike që synojnë tregun kerkesen e brendshme dhe ate te huaj. Po ashtu, mbështesim edhe investime në shërbime të lidhura me turizmin.
Dua të theksoj rëndësinë e vendosjes së një balance mes potencialit dhe kujdesit, duke ofruar partneritet për investitorët edhe në fazat fillestare të projekteve, me besimin se konsulenca e hershme është po aq e rëndësishme sa kapitali financiar.
Rritja e turizmit në vitet e fundit është ndërthurur paralelisht edhe me një cikël të ri zhvillimi të sektorit të pasurive të paluajtshme në zonat bregdetare. Si e vlerësoni gjendjen e tregut të pronave rezidenciale në bregdet dhe sa të prirur jeni të financoni projekte të këtij lloji?
Sot, të pasurit nje shtëpi të dytë ne bregdet është një mundesi më e arritshme për shumë shqiptarë. Kemi një klasë të mesme në rritje që kërkon pushime të personalizuara, investime alternative dhe një stil jete më të balancuar.
Në të njëjtën kohë, po vëmë re një interes të shtuar nga blerës të huaj, përfshirë shtetas shqiptarë të diasporës që duan të kenë një lidhje të prekshme me vendin, apo edhe shtetas të huaj që shohin në bregdetin tonë potencialin që ka e gjithë pjesa tjetër e Mesdheut Europian por me karakterin autentik Shqiptar.
Në Raiffeisen Bank jemi të hapur ndaj financimit të projekteve të këtij lloji, por gjithmonë jemi të kujdesshëm në vlerësimin e dy elementëve. Elementi i parë është dokumentacioni ligjor dhe titujt e pronësisë, që fatkeqësisht, në disa zona mbeten ende problematikë, ndërsa i dyti është fizibiliteti i projektit. Kur këto kushte përmbushen, ne jo vetëm që ofrojmë financim, por edhe ndihmojmë investitorin të strukturojë projektin në mënyrën më të qëndrueshme dhe efikase.
Si paraqitet deri tani performanca cilësore e kredisë për sektorët e lidhur me turizmin?
Performanca e kredive për turizmin ka qenë e kënaqshme, madje më e mirë se sa pritej në një sektor që deri para pak vitesh konsiderohej i paparashikueshëm. Ky rezultat është pasojë e dy faktorëve: së pari, sektori po shënon një rritje të qëndrueshme dhe të fuqishme; së dyti, kujdesi ynë në përzgjedhjen e projekteve dhe monitorimi i vazhdueshëm i tyre ka bërë që edhe kur ka pasur vështirësi, ato të jenë të menaxhueshme.Kemi besim se ky trend do të vijojë edhe në vitet në vazhdim, pasi potenciali i Shqipërisë për të ofruar shërbim gjatë gjithë vitit mbetet i fortë.
Viti 2024 solli një rritje të lartë të kreditimit në sektorin e biznesit, duke përfshirë edhe një numër në rritje të ekspozimeve të mëdha të bankave në projekte apo subjekte të veçanta. Mendoni se rritja e varësisë së ekonomisë nga turizmi mund të shtrojë rreziqe të shtuara edhe për sektorin bankar?
Turizmi po zë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në strukturën ekonomike të vendit, duke u kthyer në një nga motorët kryesorë të zhvillimit. Kjo është një prirje e natyrshme në kontekstin mesdhetar, ku shumë vende e kanë ndërtuar ekonominë e tyre mbi një industri turistike të mirëorganizuar, e cila nxit punësimin, sipërmarrjen dhe inovacionin në disa fusha. Edhe Shqipëria po ndjek këtë model, duke krijuar gradualisht një ekosistem shërbimesh dhe investimesh që e kthejnë turizmin jo vetëm një burim të ardhurash, por edhe një faktor të qëndrueshëm zhvillimi.
Sigurisht, turizmi ka edhe rreziqe të shumta. Varësia e tepruar nga sezoni veror, një krizë politike apo një goditje reputacioni për shkak të cilësisë së shërbimit mund të kenë pasoja zinxhir. Por, ajo që ka ndryshuar në Shqipëri është perceptimi i këtyre rreziqeve. Më herët, vendi nuk konsiderohej si një destinacion turistik serioz; ndonëse kishte burime natyrore të jashtëzakonshme dhe njerëz mikpritës, i mungonin infrastruktura, stabiliteti dhe vizioni.
Sot, këto boshllëqe po plotësohen me shpejtësi. Sfida e radhës është të ofrojmë turizëm me përmbajtje dhe cilësi, në mënyrë që të mos jemi vetëm një destinacion i bukur, por edhe një destinacion që jep garanci, për investitorin dhe për vizitorin.Në këtë proces, roli i bankave nuk është vetëm të ndjekin valën e kërkesës, por edhe të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.