Raiffeisen Bank Shqipëri - Digjitalizimi dhe Eksperienca e Klientit në Qendër të Strategjisë
Intervistë e z. Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank Shqipëri për revistën Monitor.
Viti 2025 ishte një vit i rëndësishëm për Raiffeisen Bank Shqipëri, me një performancë të fortë financiare dhe një ritëm të qëndrueshëm rritjeje. Por sfida e radhës nuk lidhet vetëm me ruajtjen e këtij ritmi. Tregu bankar ka hyrë në një fazë të re, ku konkurrenca, teknologjia dhe ndryshimet rregullatore po ndikojnë gjithnjë e më shumë në mënyrën se si bankat operojnë dhe u shërbejnë klientëve.Digjitalizimi, zhvillimi i pagesave elektronike, aderimi në SEPA dhe përafrimi me kuadrin rregullator europian po krijojnë mundësi të reja, por njëkohësisht kërkojnë investime dhe përshtatje të vazhdueshme. Në të njëjtën kohë, hyrja e aktorëve të rinj dhe zhvillimi i fintech-eve po e rrisin konkurrencën në treg.Raiffeisen Bank Shqipëri i ka vendosur nevojat e klientëve dhe transformimin digjital në qendër të strategjisë, me qellim që teknologjia të prodhojë produkte dhe zgjidhje relevante për klientët e saj, duke ruajtur njëkohësisht fokusin te efikasiteti, menaxhimi i riskut dhe cilësia e portofolit.Në këtë drejtim, banka është vlerësuar edhe në nivel ndërkombëtar, duke marrë gjatë vitit 2026 gjashtë çmime prestigjioze nga Euromoney Awards for Excellence dhe Global Banking & Finance Awards, si një vlerësim i punës së saj në fusha të rëndësishme të strategjisë, nga digjitalizimi dhe shërbimet për klientët, te mbështetja e brezit të ri dhe zhvillimi i njerëzve.Në këtë intervistë për Monitor, CEO z. Christian Canacaris flet për performancën e bankës, zhvillimet në sektor, normat e interesit dhe konkurrencën, si dhe për transformimin e pagesave, investimet në teknologji dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet europiane.
Si e vlerësoni ecurinë e bankës gjatë vitit të fundit, cilat kanë qenë zhvillimet dhe prioritetet kryesore, dhe cilat janë produktet, objektivat dhe sfidat që do të përcaktojnë strategjinë tuaj në periudhën në vijim?
Viti 2025 ishte një vit shumë i mirë për Raiffeisen Bank dhe rezultatet e arritura gjatë atij viti janë mbështetur edhe nga ecuria e muajve të parë të vitit 2026.Gjatë vitit 2025, aktivet u rritën me 7.2%, në afërsisht 330 miliardë lekë, portofoli i kredive u zgjerua me gati 12% dhe fitimi neto arriti në 70 milionë euro. Kthimi mbi kapitalin ishte 17.7%, niveli më i lartë ndër bankat sistemike, duke reflektuar një performancë të fortë dhe të qëndrueshme të bankës.Edhe gjatë vitit 2026, ne vijojmë të kemi një performancë të mirë dhe mbetemi të fokusuar te rritja e qëndrueshme e aktivitetit, duke ruajtur cilësinë e portofolit dhe disiplinën në menaxhimin e riskut.Një nga prioritetet kryesore mbetet transformimi digjital. Synojmë të zgjerojmë më tej shërbimet dhe produktet që klientët mund t’i përdorin në mënyrë digjitale, përmes aplikacioneve dhe platformave tona, në të gjitha segmentet. Në një mjedis që ndryshon me shpejtësi, aftësia për të kuptuar nevojat e klientëve dhe për t’iu përgjigjur me shpejtësi është po aq e rëndësishme sa investimet në teknologji. Për këtë arsye, i kushtojmë shumë rëndësi thjeshtimit të proceseve dhe shërbimeve.Ambicia jonë është të mbetemi banka që kombinon inovacionin me afërsinë ndaj klientit, duke ofruar zgjidhje të thjeshta, relevante dhe të personalizuara për çdo segment të tregut.Kjo qasje është reflektuar edhe në vlerësimet ndërkombëtare të bankës. Gjatë vitit 2026, Raiffeisen Bank Shqipëri është vlerësuar me disa çmime prestigjioze, përfshirë tre çmime nga Euromoney Awards for Excellence si Albania’s Best Bank for Corporates, Albania’s Best Digital Bank dhe Albania’s Best Bank for ESG dhe dy çmime nga Global Banking & Finance Awards për Best Bank for Youth & Students Albania 2026 dhe Best Bank for Gen Z Albania 2026. Banka është vlerësuar gjithashtu me çmimin “Best Place to Work in Albania 2026” nga Global Banking & Finance Review. Këto vlerësime pasqyrojnë disa nga drejtimet ku banka ka investuar në mënyrë të vazhdueshme: shërbimet për bizneset, transformimin digjital, ESG, dhe brezin e ri.Gjatë vitit të kaluar kemi bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, ndër të cilët do të veçoja pagesat me Apple Pay, transfertat SEPA, çeljen e llogarisë online dhe kreditimin online. Këto shërbime u japin klientëve mundësi të kryejnë më shumë veprime në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt, pa qenë nevoja të vizitojnë degën.Duke parë përpara, fokusi ynë do të jetë te zgjerimi i vazhdueshëm i produkteve tona digjitale, si në bankingun e përditshëm, ashtu edhe në kreditim dhe produkte investimi.Njëkohësisht, integrimi europian do të sjellë mundësi të reja për bizneset dhe investimet në Shqipëri. Ne duam të jemi në gjendje t’i mbështesim këto nevoja përmes produkteve tona, ekspertizës së punonjësve dhe infrastrukturës teknologjike që kemi ndërtuar. Paralelisht, do të vazhdojmë investimet në sigurinë kibernetike dhe inteligjencën artificiale, duke ruajtur një qasje të kujdesshme ndaj riskut dhe kostove.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e normave të interesit dhe të ardhurave të sektorit bankar nga interesat gjatë këtij viti? Besoni se do të ketë një rritje të mëtejshme të normave të interesit gjatë këtij viti, duke përfshirë edhe një rritje të mundshme të normave për lekun nga Banka e Shqipërisë?
Ekonomia shqiptare vijon të ketë një ecuri të qëndrueshme, me rritje ekonomike, zgjerim të kreditimit dhe një treg pune të fortë. Nga ana tjetër, inflacioni gjatë muajve të fundit ka qenë mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, i ndikuar nga zhvillimet ndërkombëtare, por edhe nga faktorë të brendshëm.Duke parë këto zhvillime, presim që normat e interesit të mbeten përgjithësisht në nivele të moderuara. Megjithatë, parashikojmë një rritje të normës bazë deri në fund të vitit, si pasojë e zhvillimeve të fundit gjeopolitike. Në të njëjtën kohë, në ekonominë shqiptare vijojnë të ekzistojnë presione të lidhura me rritjen ekonomike, rritjen e pagave dhe uljen e papunësisë. Vendimet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë do të varen nga ecuria e inflacionit dhe balanca e rreziqeve për ekonominë.Sa i takon sektorit bankar, përfitueshmëria nuk do të përcaktohet vetëm nga drejtimi i normave të interesit, por nga kombinimi i tre faktorëve kryesorë: ecuria e normave, ritmi i kreditimit dhe intensiteti i konkurrencës në treg.Normat e interesit kanë mbështetur të ardhurat nga interesat gjatë viteve të fundit, por në të njëjtën kohë po shohim presione në rritje si nga konkurrenca, ashtu edhe nga kostot më të larta operacionale dhe investimet e nevojshme në teknologji dhe pajtueshmëri rregullatore. Për këtë arsye, presim që të ardhurat nga interesat të mbeten në nivele të mira edhe gjatë këtij viti, por rritja e tyre mund të jetë më e moderuar se në vitet e fundit.Në këtë mjedis, aftësia e bankave për të zgjeruar në mënyrë të shëndetshme portofolin e kredisë, për të ruajtur cilësinë e aktiveve dhe për të menaxhuar në mënyrë efikase kostot do të jetë po aq e rëndësishme sa edhe vetë niveli i normave të interesit.
Mendoni se hyrja në treg e bankave të reja dhe shtimi i konkurrencës në tregun bankar do të sjellë presione për rritje të interesave të depozitave dhe për ngushtimin e marzheve neto nga interesat?
Konkurrenca në sektorin bankar shqiptar po ndryshon. Pas një periudhe të gjatë konsolidimi, tregu po mirëpret aktorë të rinj, ndërsa fintech-et dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave po bëhen gjithnjë e më aktivë. Është e natyrshme që ky zhvillim të rrisë konkurrencën në treg. Megjithatë, sistemi bankar shqiptar vazhdon të karakterizohet nga nivele të larta likuiditeti dhe rritje e qëndrueshme e depozitave. Për këtë arsye, nuk pres presione të forta apo të menjëhershme për rritje të normave të depozitave.Në afatin e mesëm, megjithatë, presim një ngushtim gradual të marzheve neto nga interesat. Konkurrenca po krijon kushte më të favorshme për klientët dhe bankat do të duhet të gjejnë një ekuilibër ndërmjet çmimit, rritjes së kreditimit dhe kostove të financimit.Edhe tregu i pagesave po ndryshon. Aderimi në SEPA, pagesat e çastit dhe zhvillimet rregullatore po ulin gradualisht rëndësinë e disa burimeve tradicionale të të ardhurave nga pagesat.Kjo do të thotë se konkurrenca nuk do të zhvillohet vetëm përmes çmimeve. Do të ketë gjithnjë e më shumë rëndësi cilësia e shërbimit, shpejtësia, lehtësia e përdorimit dhe aftësia për të ofruar produkte që i përgjigjen nevojave konkrete të klientëve. Për bankat, kjo kërkon investime të vazhdueshme në teknologji dhe në kapacitetet njerëzore. Për Raiffeisen Bank, fokusi ynë është të ruajmë një ofertë konkurruese, duke investuar njëkohësisht në cilësinë e shërbimit dhe në zgjidhjet digjitale.
Në ç’masë rregullat kufizuese të Bankës së Shqipërisë për kreditë hipotekare po ndikojnë në ngadalësimin e huadhënies së sektorit bankar dhe çfarë ndikimi mund të kenë mbi të ardhurat nga interesat?
Deri tani, nuk shohim një ngadalësim të ndjeshëm të kreditimit hipotekar në nivel sektori. Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, kredia hipotekare vazhdon të rritet me ritme pranë 16% në terma vjetorë. Kjo tregon se kërkesa për financimin e banesave mbetet e qëndrueshme, e mbështetur edhe nga rritja e të ardhurave dhe pagave të familjeve dhe nga kushtet ende të favorshme të financimit.Masat makroprudenciale janë të rëndësishme për të ruajtur standardet e kreditimit dhe për të kufizuar rreziqet që mund të krijohen nga një rritje e tepruar në tregun e pasurive të paluajtshme. Në afatshkurtër, këto masa mund të kenë një ndikim të kufizuar mbi të ardhurat nga interesat. Në afat më të gjatë, ato ndihmojnë në ruajtjen e cilësisë së portofolit dhe në kufizimin e rreziqeve për sistemin financiar.
Çfarë ndikimi prisni në bazën e të ardhurave të bankave nga projektet e zbatuara së fundmi dhe ato të pritshme në fushën e pagesave, si aderimi në SEPA, implementimi i pagesave të çastit dhe i rregullores për tarifat e shkëmbimit në pagesat me kartë?
Aderimi në SEPA, pagesat e çastit dhe ndryshimet e fundit rregullatore në tregun e pagesave janë pjesë e përafrimit të sistemit financiar shqiptar me tregun europian. Për klientët dhe ekonominë, këto janë zhvillime shumë pozitive.Për bankat, në afatshkurtër, do të ketë presion mbi disa burime tradicionale të të ardhurave, veçanërisht nga transfertat ndërkombëtare në euro dhe disa kategori komisionesh. Në të njëjtën kohë, këto ndryshime kërkojnë investime të konsiderueshme në teknologji, infrastrukturë, procese dhe siguri kibernetike.Megjithatë, ne nuk e shohim këtë si një humbje strukturore të të ardhurave, por si një transformim të modelit të biznesit. Ndërsa të ardhurat për transaksion mund të reduktohen, presim që ky efekt të kompensohet gradualisht nga rritja e volumit të pagesave elektronike, përdorimi më i gjerë i kartave dhe POS-eve, zgjerimi i bazës së klientëve dhe zhvillimi i produkteve e shërbimeve të reja me vlerë të shtuar.Tregu shqiptar po jep tashmë sinjale të qarta të këtij transformimi. Në Raiffeisen Bank kemi regjistruar rritje të vazhdueshme të transaksioneve elektronike, përdorimit të kartave dhe zgjerim të rrjetit të POS-eve. Këto zhvillime tregojnë se klientët dhe bizneset po adoptojnë gjithnjë e më shumë pagesat digjitale, duke krijuar mundësi të reja për rritje dhe diversifikim të të ardhurave në të ardhmen.Shqipëria po lëviz gradualisht drejt një ekonomie me më pak përdorim të cash-it. Kërkesat për pranimin e pagesave elektronike nga bizneset pritet të zgjerojnë më tej tregun e pagesave dhe të shërbimeve digjitale. Për ekonominë në tërësi, një sistem modern pagesash ndihmon formalizimin e ekonomisë, lehtëson tregtinë dhe pagesat ndërkufitare dhe e afron më tej Shqipërinë me tregun europian.
Në vitet e fundit, sektori bankar po përballet me presione të rritura mbi kostot, për shkak të rritjes së pagave dhe nevojave të larta për investime në digjitalizim dhe në sigurinë kibernetike. Çfarë ndikimi do të kenë këta faktorë mbi performancën financiare të sektorit gjatë viteve në vazhdim?
Rritja e kostove është një realitet për të gjithë sektorin. Pagat po rriten, ndërsa investimet në teknologji dhe siguri kibernetike janë tashmë pjesë e domosdoshme e aktivitetit bankar. Në të njëjtën kohë, përafrimi me standardet europiane do të kërkojë investime të tjera në sisteme, kontrolle, raportim dhe pajtueshmëri.Për bankat, sfida është që këto investime të shoqërohen me rritje të produktivitetit dhe efikasitetit. Teknologjia mund të reduktojë proceset manuale, të përmirësojë mënyrën e ofrimit të shërbimeve dhe të ndihmojë bankat të menaxhojnë më mirë volumin në rritje të aktivitetit. Për këtë arsye, në vitet e ardhshme do të ketë më shumë rëndësi mënyra se si bankat i përdorin investimet në teknologji sesa thjesht niveli i këtyre investimeve. Besoj se automatizimi dhe digjitalizimi janë ndër faktorët kryesorë që do të ndikojnë në efikasitetin operacional dhe, rrjedhimisht, në performancën financiare të sektorit.
Në gjysmën e parë të këtij viti, u regjistrua një rritje e ndjeshme e shpenzimeve për provigjionimin e kredive. Cilat janë pritshmëritë tuaja mbi cilësinë e aktiveve dhe kostot e rrezikut mbi përfitueshmërinë e sektorit bankar?
Rritja e shpenzimeve për provigjionet gjatë vitit 2026 duhet vlerësuar në kontekstin e zhvillimeve të përgjithshme të sektorit bankar. Megjithëse provigjionet kanë shënuar rritje krahasuar me një vit më parë, treguesit e cilësisë së aktiveve në nivel sektori mbeten përgjithësisht të qëndrueshëm, ndërsa raporti i kredive me probleme vazhdon të luhatet pranë niveleve historikisht të ulëta.Në këtë kuadër, rritja e provigjioneve mund të reflektojë një kombinim faktorësh, përfshirë zgjerimin e portofolit të kredisë, rivlerësimin e profileve të rrezikut në segmente të caktuara të tregut, si dhe një qasje më të kujdesshme të bankave. Po ashtu, Banka e Shqipërisë ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së standardeve tëkreditimit dhe monitorimit të kujdesshëm të ritmeve të rritjes së huadhënies.Në tërësi, sektori bankar vijon të mbështetet nga nivele të mira kapitalizimi dhe likuiditeti, si edhe nga një mjedis ekonomik që ka mbetur relativisht i favorshëm. Megjithatë, në një fazë të rritjes së shpejtë të kreditimit, është e pritshme që kostot e rrezikut të normalizohen gradualisht nga nivelet shumë të ulëta të viteve të fundit.Për këtë arsye, vëmendja do të mbetet e përqendruar në ruajtjen e cilësisë së portofolit, veçanërisht në segmentet që kanë shfaqur ritme më të larta zgjerimi. Në këtë drejtim, masat makroprudenciale të Bankës së Shqipërisë dhe praktikat e menaxhimit të riskut të zbatuara nga bankat pritet të kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit dhe të cilësisë së aktiveve edhe në periudhën në vijim.
Shqipëria po hyn në fazën e përshtatjes së plotë të legjislacionit bankar me kuadrin e Bashkimit Europian. Çfarë sfidash shtron ky proces për sektorin, parë edhe në optikën e kostove?
Përafrimi me kuadrin rregullator dhe mbikëqyrës të Bashkimit Europian do të kërkojë investime të mëtejshme nga sektori bankar. Këto do të përfshijnë raportimin rregullator, menaxhimin e riskut, kontrollin e brendshëm, sigurinë kibernetike, mbrojtjen e të dhënave dhe përshtatjen e proceseve me kërkesat e reja.Do të ketë gjithashtu nevojë për kapacitete të specializuara në fusha si pajtueshmëria, risku dhe teknologjia e informacionit. Këto investime kanë një kosto, por përafrimi me standardet europiane sjell edhe përfitime. Ai forcon kuadrin e mbikëqyrjes, rrit transparencën dhe krijon kushte më të mira për integrimin e sistemit financiar shqiptar me tregjet europiane.SEPA është një shembull konkret. Integrimi në skemën europiane të pagesave dhe zhvillimi i pagesave të çastit kanë kërkuar investime në infrastrukturë dhe procese, por njëkohësisht kanë përmirësuar mundësitë për pagesa ndërkufitare. E njëjta logjikë vlen edhe për fusha të tjera të kuadrit europian. Bankat do të duhet të investojnë për të përmbushur kërkesat e reja, por këto investime duhet të shoqërohen me përmirësim të proceseve dhe të efikasitetit.Për mua, sfida kryesore është pikërisht kjo: të sigurohemi që investimet që kërkon përafrimi me standardet europiane të sjellin njëkohësisht procese më efikase, sisteme më të sigurta dhe shërbime më të mira për klientët.