Skip to main content
2560 × 844
2560 × 844

Raiffeisen Bank mbështet zhvillimin e sektorit të energjisë në Shqipëri

Nënshkruhen marrëveshjet me Bursën Shqiptare të Energjisë, ALPEX për shlyerjen dhe klerimin e transaksioneve në tregun e energjisë

  • E para bankë e nivelit të dytë në Shqipëri, e cila siguron shërbimet e klerimit  të anëtarëve të bursës në platformë
  • Banka që siguron shlyerjen e të gjitha transaksioneve që do të kryhen në bursën e energjisë

Raiffeisen Bank do të mbështesë zhvillimin e sektorit të energjisë në Shqipëri, duke mundësuar realizimin e transaksioneve të pagesave në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX. Mbështetur në marrëveshjet e nënshkruara midis dy institucioneve, Raiffeisen Bank Shqipëri, do të ofrojë shërbimet e shlyerjes dhe klerimit të transaksioneve për klientët e bankës që janë edhe anëtarë të bursës ALPEX.

Banka do të mundësojë hapjen dhe mbajtjen e të gjitha llogarive të nevojshme bankare të shlyerjes, të cilat  integrohen me sistemin e ALPEX. Gjithashtu do të mundësojë edhe menaxhimin ditor të limiteve të tregtimit dhe pagesës së siguruar të të gjitha detyrimeve që do të lindin në tregjet e ALPEX nga klientët e përfaqësuar nga banka.

Nëpërmjet rolit të saj si një anëtar i përgjithshëm i klerimit, Raiffeisen Bank do të mundësojë infrastrukturën e nevojshme për të siguruar që anëtarët e bursës, klientë të bankës, të mund të operojnë lirisht me staf të specializuar të dedikuar për këtë aktivitet.

Me anë të këtij bashkëpunimi Raiffeisen Bank ka treguar edhe një herë përkushtimin e saj për të qenë një partner i fortë dhe pionier i projekteve të rëndësishme në vend, duke ofruar vazhdimisht zgjidhje novatore dhe efikase bankare për klientët e saj. Këto marrëveshje shënojnë dhe realizimin e modelit evropian të tregjeve të energjisë elektrike në vend.

"Jemi krenarë që bëhemi pjesë e këtij momenti historik duke mbështetur çeljen dhe funksionimin e Bursës së Energjisë në tregun Shqiptar, duke shënuar një ndryshim thelbësor në  ekonominë shqiptare, ku për herë të parë një produkt mund të tregtohet në bursë.  

Raiffeisen Bank do të luajë një rol kryesor për funksionimin e bursës ALPEX dhe jemi besimplotë për një partneritet të frytshëm. Falë këtij bashkëpunimi jo vetëm mbështesim zhvillimin e mëtejshme të ekonomisë së vendit, por sjellim mundësi të reja në tregun shqiptar për klientët tanë dhe çdo kompani që do t’i besojë Raiffeisen Bank” u shpreh znj. Elona Mullahi (Koçi) Anëtare Bordi për biznesin Korporatë.

Raiffesien Bank Shqipëri është pjese e grupit Raiffeisen Bank International me seli në Vienë, Austri. Raiffeisen Bank operon në tregun shqiptar prej vitit 2004 dhe është një nga bankat lider në industrinë bankare. Banka ofron një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh komerciale në 4 pikat kyçe të biznesit që operon - klientët individë, bizneset Mikro, ndërmarrjet e vogla (SE) dhe korporatat dhe ju shërben më shumë se 465,000 klientëve.  Raiffeisen On, kanali digjital është platforma më inovative bankare në treg si edhe më e përdorura. Misioni ynë është  të transformojmë inovacionin e vazhdueshëm në eksperiencë të shkëlqyer për klientët me vizionin që të jemi grupi më i rekomanduar për shërbimet financiare.


  • Deklaratë për shtyp
  • 2 min për t'u lexuar