Kredia për individë i është afruar vlerave të vitit të kaluar
Intervistë
Gentiana Gjino
Drejtore e Menaxhimit të Produkteve dhe Segmenteve për individë në Divizionin Retail
Raiffeisen Bank
Sa është prekur kërkesa për kredi konsumatore nga kriza ekonomike që shkaktoi pandemia? Cilat produkte janë ndikuar më shumë?
Gjatë muajve të parë të pandemisë mund të themi që kërkesa për kredi konsumatore pësoi një rënie drastike. Në këtë rënie ndikuan tre faktorë kryesorë, lockdown dhe vështirësitë ekonomike të shkaktuara prej tij, pamundësia për lëvizje fizike dhe kontakt me degët si edhe kufizimet që ndërmorën bankat komerciale për mos rritje të kredive të këqija. Gjithashtu ndikim pati edhe pasiguria e përgjithshme e krijuar nga pandemia.Gjatë muajve Mars-Qershor pothuajse të gjitha produktet e individëve pësuan ulje. Pas muajit Qershor vumë re që kërkesa për kredi filloi të rritej, bankat iu rikthyen normalitetit dhe aktiviteti kredimarrës u vitalizua. Gjatë muajve Gusht- Tetor, të gjitha llojet e kredive për individë në bankën tonë arritën pothuajse në të njëjtat vlera, krahasuar më të njëjtën periudhë me vitin e kaluar.
Keni ndërmarrë shtrëngime të ofertës, qoftë përmes kritereve të kreditimit ose rritjes së normave të interesit për kredinë konsumatore?
Pandemia i gjeti bankat në nivele të mira likuiditeti. Megjithatë banka jone, për arsye të mbrojtjes së klientëve dhe cilësisë së portofolit, aplikoi disa masa shtrënguese të përkohshme, të kërkuara nga përgjegjshmëria sociale e kredidhënies. Ne filluam të analizojmë me seriozisht industritë që punësojnë klientët tanë, nga perspektiva se si janë ndikuar negativisht këto industri nga kriza e pritshme e biznesit. Askush nuk e dinte se si ekonomia dhe shoqëria do reagonte, gjithashtu erdhi dhe rritja e pritshme e papunësisë, kështu qe ne gjetëm një qasje si të llogjikshme ashtu dhe të kujdesshme. Gjithsesi, normat e interesit të kredive nuk u ndryshuan nga ana jonë. Me eksperiencën e mëvonshme të akumuluar, shume kufizime të mëparshme u hoqën. Gjithashtu, për të ndihmuar klientët tanë, Banka jone vijon të investoje në procesin e dixhitalizimit dhe në muajt e fundit janë intensifikuar përpjekjet për dixhitalizimin e produkteve dhe shërbimeve, veçanërisht ato të ofrimit të kredidhënies online.
Prisni ndikime afatgjata në portofolin e kredisë konsumatore nga rritja e papunësisë, sidomos në produkte specifike të lidhura direkt me llogaritë e pagave, si overdraftet?
Parashikimet lidhur me ndikimet afatgjata janë të vështira të bëhen në këto momente, për shkak të dinamikës së pandemisë dhe zhvillimeve ekonomike në përgjithësi, jo vetëm në vendin tonë, por edhe globalisht. Papunësia në rritje dhe masat shtrënguese të distancimit social, nuk mund të kenë ndikim pozitiv në kredidhënien për klientët. Nga ana tjetër, qeveritë ndërhyjnë dhe ndihmojnë në mënyrë thelbësore, kështu që ne nuk do të shohim kredidhënien që kemi parë vitet e kaluara, dhe do të mbizotërojë kujdesi. Situata e re e pandemisë me të cilën jemi përballur, ka shërbyer shumë për të parë një anë të re të sistemit bankar në tërësi.Ne jemi vazhdimisht të angazhuar për t’ju përgjigjur sjelljes dhe kërkesave të reja të klientëve, si pasojë e ndryshimit të përgjithshëm te ambientit. Banka ka marrë masat për mbështetjen e nevojave të klientëve, duke parashikuar që në vijim të ketë përfitime për të gjitha palët.
A është reflektuar kriza në cilësinë e portoflit të kredisë konsumatore? Çfarë efektesh prisni deri në fund të vitit dhe në pjesën e parë të vitit 2021?
Pavarësisht situatës së përgjithshme, cilësia aktuale e portofolit ka vijuar të jetë e qëndrueshme. Bankat kanë qenë kontribues të rëndësishëm në lehtësimin e situatës ekonomike të shqiptarëve. Duke parë të dhënat e tremujorit të tretë mbetemi pozitiv në parashikime, duke pritur situatë konstante pa shumë luhatje deri në fund të vitit.
Sa e ndjejnë bankat konkurrencën e institucioneve të mikro financës në produktet e kredisë konsumatore? A e ka ndikuar qasjen tuaj ndaj këtij segmenti të tregut zgjerimi i kompanive që ofrojnë kredi të shpejta? Nëse po, në ç’mënyra?
Bankat dhe institucionet e mikro financës janë duke operuar në të njëjtin ambient të ri të krijuar nga efektet e pandemisë. Institucionet e mikro financës kryesisht kanë një grup të synuar dhe model biznesi të ndryshëm nga bankat. Ndikimi i pandemisë mbetet në të njëjta nivele për të dy llojet e sektorëve, si të bankave ashtu edhe të institucioneve ndaj nuk mendoj se ka vend për konkurrencë të shtuar.