Skip to main content

Ligji i ri për pagesat – sfida dhe mundësi për sektorin bankar shqiptar

Gentian CAPO

Drejtor i Operacioneve

RAIFFEISEN BANK – SHQIPËRI

Çfarë ndryshimesh priten të ndodhin në bankën tuaj për zbatimin e kërkesave të këtij ligji?

Cili mund të jetë “kërcënimi” më i madh për bankat nga prania e këtij ligji?

Mendoni se do të zhvillohen dhe prezantohen instrumente të reja të pagesave në Shqipëri?

1. Tashmë është fakt i njohur që ekonomia shqiptare karakterizohet nga problematikat e një përdorimi të lartë të parasë fizike (cash) dhe përdorimi i ulët i instrumenteve financiare nga publiku. Në këto kushte, miratimi i ligjit të ri për pagesat, marrë në konsideratë edhe direktivën e PSD2, është i mirëpritur pasi  objektiva kryesore të tij janë nxitja e përdorimit  intensiv të instrumenteve moderne të pagesave, duke synuar arritjen e rreth 10 pagesave në vit “jo me para fizike” për frymë, deri në fund të vitit 2022, si dhe të shtohen mundësitë për aksesin në llogaritë e pagesave, duke arritur një raport të zotërimit të llogarisë në nivelin 70% të popullsisë madhore, deri në vitin 2022.

Për bankën tonë, si një subjekt i licencuar nga Banka e Shqipërisë para hyrjes në fuqi të ligjit, do të nevojiten investime shtesë në drejtim të përshtatjes së sistemeve me kërkesat e reja të ligjit, si dhe riorganizimit të strukturave organizative, sipas kërkesave të reja ligjore. Ligji parashikon kërkesa më të forta për sigurimin e transparencën ndaj klientëve, e në raport me këtë, kërkohet nga subjektet që të krijojnë struktura dhe të hartojnë procedura për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve me klientët e tyre konsumatorë. Ne po punojmë në këtë drejtim, me synimin e sigurimin të një transparence maksimale ndaj klientëve,  ngritjen e strukturave të posaçme që do të mundësojnë shqyrtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis konsumatorëve  dhe bankës si ofrues i shërbimeve të pagesave. 

2.Banka jonë nuk e konsideron si një “kërcënim”, por një mundësi që ofron prania e këtij ligji, për rritjen e bazës së klientëve si dhe shtim të vëllimeve të pagesave. Në këtë këndvështrim, hyrja në fuqi e ligjit natyrshëm do të ndikojë në rritjen e konkurrencës midis subjekteve që do të ofrojnë shërbimet e pagesave, por nga ana tjetër, do ndikojë në rritjen e shumëllojshmërisë së shërbimeve të pagesave, si dhe në kostot e të ardhurat e tyre. Si rezultat i uljes së komisioneve për shërbimet që do të ofrohen nga subjektet, nga njëra anë, dhe rritjes së bazës së klientëve/numrit të transaksioneve nga ana tjetër, ne vlerësojmë që efekti i ekonomisë të shkallës do të jetë pozitiv. Raiffeisen Bank është identifikuar prej fillimit si banka e risive në sistemin bankar shqiptar, duke sjellë standarde e shërbime të bankingut modern, ndaj e konsiderojmë praninë  e ligjit një mundësi për krijimin  e një tregu bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës të pagesave, të mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe eficiente, si dhe nga një gamë e gjerë e instrumenteve dhe shërbimeve të pagesave. 

3. Duke njohur kostot tepër të larta që mbart përdorimi i bankave korrespondente për pagesat në valutë brenda vendit, Raiffeisen Bank inkurajon nevojën për ndërhyrje të mundshme në këtë kuadër, gjë që do sillte përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët shqiptarë, duke iu dhënë më shumë mundësi zgjedhjeje për të kryer transaksionet e tyre të përditshme, në mënyrë të lehtë e me kosto efektive.

Një tjetër zhvillim mund të ishte skema e debitimit direkt për tregun shqiptar, që do të sillte përfitime të shtuara, si nga perspektiva e konsumatorit, ashtu edhe ajo e biznesit, duke mbështetur kështu objektivin e një përfshirjeje më të gjerë financiare.

Ndërkohë, ne mendojmë se jemi të vonuar lidhur me nevojën e operacionalizimit të payroll-it kombëtar të Administratës Publike, që do të sillte rritjen e efikasitetit të tregut edhe nxitjen e mëtejshme te konkurrencës.


  • Intervistë
  • 4 min për t'u lexuar