Skip to main content
2560 × 844
2560 × 844

Maji, muaji i ndërgjegjësimit mbi auditimin e brendshëm

Një shkrim nga: Elsa KRISTO, PhD, CFE

Drejtore e Departamentit  të Audit të Brendshëm për Retail,Operacionet & Rrjetin e Degëve

Raiffeisen Bank Shqipëri

“Nuk e kam kuptuar asnjëherë se pse të audituarit konsiderohen ‘klientë’: Askush, prej atyre që kam njohur nëpër organizata nuk do të blinte një auditim, qoftë dhe sikur t’a paguante audituesi vetë” - Michael L. Piazza.

Shprehje të tilla dhe mite mbi rolin e auditimit të brendshëm ndeshen shpesh gjatë punës sonë të përditshme.

Maji njihet ndërkombëtarisht si muaji i ndërgjegjësimit mbi auditimin e brendshëm, dhe si me eksperiencë në këtë profesion, do duhet të motivojmë të rinj të talentuar që të zgjedhin auditimin si karrierën e tyre të ardhshme.

Megjithatë, nuk është kaq e thjeshtë, së paku jo para se të thuhen të gjitha të vërtetat mbi sfidat e një audituesi të brendshëm dhe mitet mbi të, të cilat do duhet të rrëzohen pak e nga pak.

Richard Chambers, Drejtuesi Global dhe CEO i Institutit të Audituesve të Brendshëm, në 2012 ka publikuar një listë të 5 miteve klasike, së cilës po i referohem duke shtuar dhe përjetimet personale profesionale.

Shumë prej të audituarve do të habiten se si Auditimi i Brendshëm perceptohet krejt njësoj globalisht.

Miti 1: Auditimi i Brendshëm është “funksioni i policisë” brenda kompanisë.

Profesioni ynë bazohet mbi disa teknika, ndër të cilat dhe ajo e “5 Pse-ve” e cila është një teknikë pyetëse përsëritëse, për të zbuluar marrëdhënien shkak – pasojë të një problemi. Gjithsesi kjo nuk shihet nga të audituarit si një mënyrë për të depërtuar në thellësi të çështjeve, përkundrazi konsiderohemi si prokurorë apo policë. Të audituarit duhet ta mendojnë auditin e brendshëm si bashkëpuntor, përndryshe marrëdhënia auditues – i audituar do jetë përjetësisht e paragjykuar.

Miti 2: Audituesit janë gjuetarë të gabimeve.

Sipas këtij miti, sikundër dhe Z.Chambers evidenton, audituesit shihen si një grup që “qëllojnë të plagosurit pasi ka mbaruar beteja” dhe se shkatërrojnë reputacionin e njerëzve që në fakt kryejnë “punën e vërtetë”.

Ata auditojnë një fushë, në dy ose tre javë, kështu që nuk kanë kapacitetin të vlerësojnë rreziqet më mirë se ata që punojnë prej një jete të tërë në atë fushë. Ndaj dhe të audituarit kryejnë punën e vërtetë, ndërsa audituesit thjesht gjejnë disa çështje sa për “të mbushur” raportin. Të audituarit duhet të jenë të vërtetë me vehten dhe të pyesin: A identifikuan audituesit rreziqe të cilat ishin të pambuluara? Nëse po, audituesit kanë ndihmuar.

Miti 3: Audituesit e brendshëm, auditojnë të njëjtat çështje, në të njëjtën mënyrë, çdoherë.

Ky mit bëhet gjithmonë e më i pavërtetë duke iu referuar pandemisë, e cila kërkoi një përshtatje me dinamikën e situatës dhe me rreziqet e reja që u shfaqën. Këtë kreu dhe auditimi i brendshëm. Digjitalizimi gjithashtu kërkon nga auditimi një tjetër mendësi. Sigurisht, ka disa fusha auditimi të cilat duhet të kontrollohen brenda një periudhe të caktuar dhe më shpesh, si kërkesë kjo e rregullatorëve, apo e përballjes më të shpeshtë me rrezikun, por në përgjithësi, auditimi i brendshëm është kthyer në një profesion që i përshtatet ndryshimeve brenda kompanisë apo tregut. Auditimet e befasishme apo ato të fokusuara janë një përgjigje që e rrëzojnë këtë mit.

Miti 4: Është më mirë të mos u tregosh audituesve asgjë, përveçse kur ata pyesin mbi diçka specifikisht.

Qëllimi i një auditimi të brendshëm është të shtojë vlerë dhe të përmirësojë cilësinë e operacioneve në kompani, dhe fshehja e informacionit do të dëmtonte cilësinë e procesit të auditimit. Vonesa e informacioneve gjithashtu do kishte të njëjtin efekt. Për më tepër, mospranimi apo shmangia nga problematikat, ndërkohë që ato janë të pranishme, jo vetem që shtyn në kohë zgjidhjen e problemit, por njëkohësisht dhe kultura e ndershmërisë brenda kompanisë do të cënohet.

Miti 5: Audituesit e brendshëm janë “numërues bizelesh”, sikundër kontabilistët.

Audituesit e brendshëm mund të kenë një prejardhje profesionale prej financieri apo kontabilisti, dhe kjo do duhet të quhet si vlerë, por këndvështrimi i tyre është shumë më i gjerë se sa financa dhe kontabiliteti. Gjithsesi ky mit është më tepër global sesa lokal.

Lista mund të ishte më e gjatë, si p.sh: audituesit nuk e ndryshojnë mendësinë e tyre, ata nuk përshtaten, janë burokratë, kërkojnë automatizim te çdo procesi, vetëm pyesin dhe nuk e njohin biznesin, etj.

Mitet e mësipërme janë disa prej sfidave me të cilat përballemi. Por kjo nuk duhet të trembë aspirantët për auditues të brendshëm. Një auditues i brendshëm, është “një student i përjetshëm”. Gjithmonë ka diçka të re për të mësuar dhe asnjëherë nuk bie në monotoni. Kjo duhet të jetë dhe pikënisja për të zgjedhur këtë karrierë.

Kur punon si auditues i brendshëm, kupton se si një kompani funksionon në të vërtetë dhe përballesh me një larmishmëri problematikash. Një auditues i brendshëm, perfeksionon aftësitë e tij analitike, duke analizuar të dhëna dhe raporte pa fund. Të jesh një auditues i brendshëm, do të thotë orë të gjata studimi procedurash, procesesh, ligjesh, rregulloresh të autoriteteve, përgatitjeje intervistash, analiza raportesh dhe dhënie sigurie për vërtetësinë e të dhënave. Do të thotë të njohësh biznesin dhe të lëvizësh me shpejtësinë e rrezikut nga një fushë auditimi në tjetrën.

Por suksesi i një audituesi, do të varet nga mjedisi që ai krijon e brenda të cilit të audituarit konsiderojnë si një vlerë të shtuar auditimin dhe gjetjet, apo kur kundërshtitë mbi to, trajtohen në mënyrë të atillë që nuk dëmtojnë marrëdhëniet mes palëve. Kjo kërkon durim, sidomos gjatë takimeve rakorduese, të cilat mund të jenë të zgjatura dhe të përsëritshme dhe nuk arrijnë qëllimin për të cilin kryhen.

Duke renditur “pro-të” dhe “kundra-t” e këtij profesioni, unë qëndroj gjithmonë në anën pozitive, dhe pse duhet pranuar që ka dhe momente shumë të vështira. Një auditues i brendshëm, është në më të shumtën e kohës i paragjykuar, diskutimet me të audituarit ndonjëherë mund të shkojnë në drejtim të gabuar dhe pse gjetjet janë aty të pakundërshtueshme. E nuk ka referencë më poetike, se sa poezia e Rudyard Kipling, e cila frymëzon çdo auditues, që mos të dorëzohet, pasi ky profesion kërkon pasion për të vijuar më tej:

Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër,

Të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,

E të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,

Që vetëm fjalën “qëndro” gjithmonë të thotë

Megjjithatë ne duhet të udhëhiqemi nga disa parime, si objektiviteti dhe paanshmëria. Ndaj, duhet pranuar se të audituarit mund të kenë patur përvojat e tyre për të ndërtuar të tilla mite mbi audituesit.

A duhet ne si auditues të përmirësohemi dhe të ndryshojmë? A duhet të rishohim mënyrën se si shkruajmë raportet dhe gjatësinë e tyre, e cila është kthyer në një temë shumë të diskutuar mes profesionistëve të fushës? Sigurisht që po. Mënyra më e mirë për t’ia dalë, është për t’u drejtuar nga evidencat, dhe jo nga interpretimet apo perceptimet.

Auditimi është një përvojë personale dhe emocionale, ndaj ashtu sikundër jemi të interesuar për eksperiencen e klientëve të kompanive ku punojmë dhe masim kënaqësinë e tyre, e njëjta gjë duhet të ndodhë dhe me rrugëtimin e një procesi auditimi. Ne duhet të njohim (pa)kënaqësinë e klientëve tanë pra të të audituarve.

Sikundër ndodh në jetë, ndryshimi i steriotipeve merr kohë dhe kërkon që të gjitha palët të kenë një kuptueshmëri më të mirë të profesionit tonë. Ndaj ndryshimi duhet të fillojë që nga edukimi në auditoret e universiteteve. Studentët nuk duhet të mësojnë vetëm teorikisht se çfarë përfaqëson auditimi i brendshëm. Programet universitare do duhet të përditësohen dhe të sjellin më shumë praktikë apo të simulojnë procese auditimi, në mënyrë që të krijojnë audituesit e së ardhmes, e nëse jo auditues, të formojnë profesionistë që së paku e kuptojnë rolin kyç të një audituesi të brendshëm.

Risjellja në vëmendje e këtyre miteve, është një moment reflektimi për ne si auditues, ashtu dhe për të audituarit të cilët do duhet ta shohin auditimin e brendshëm nga një tjetër këndvështrim dhe më pozitiv gjithsesi.


  • Deklaratë për shtyp
  • 6 min për t'u lexuar