Shporta Digjitale e RBI-së – për herë të parë, kredi të thjeshta për shoqëri në zhvillim
Vienë,
- 100 milionë euro për shoqëritë që operojnë online që e kanë tejkaluar fazën e start-up.
- Vëllimi i kredive nga 1 deri në 7 milionë euro.
- RBI, një nga bankat e para korporatë që ofron kapital borxhi të synuar për industritë digjitale
Raiffeisen Bank International (RBI) ka prezantuar një nga programet më të mëdha Evropiane të financimit për shoqëritë e fokusuara në zhvillimin digjital. Me një vëllim prej 100 milionë euro në total, do të ofrohet mbështetje për shoqëritë që operojnë online që tashmë e kanë tejkaluar fazën e hershme të start-up.
RBI, një bankë pioniere
RBI është një nga bankat e para tregtare që ofron shpejt dhe pa komplikime të ashtuquajturat kredi për korporata në zhvillim. Edhe pse kërkesa për këtë produkt është e lartë dhe po rritet vrullshëm, ky segment i klientëve praktikisht nuk ka përfituar shërbime virtuale në këtë drejtim. Për themeluesit dhe zotëruesit e shoqërive që operojnë online që po zhvillohen kaq shpejt, financimi përmes kapitalit të borxhit është shumë tërheqës krahasuar me kapitalin shtesë, ku ky i fundit i detyron ata të heqin dorë nga më shumë aksione të shoqërisë. "Unë e kam provuar vetë këtë si themelues i një shoqërie në zhvillim," shpjegon Joerg Bartussek, i cili sot kryeson Departamentin Digjital të RBI-së dhe që ka zhvilluar Shportën Digjitale. “Sa më shumë t’u rritet vlera aksioneve të shoqërisë ku ju jeni themelues, aq më të gatshëm jeni të paguani interes për financimin për të mos dhënë më shumë aksione."
Me njohuritë dhe pikat e forta në nivel lokal, RBI i shërben këtij segmenti të korporatave në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore, ku aksesi në kreditë tradicionale për korporatat ka qenë veçanërisht i vështirë edhe për shoqëritë më të mira në zhvillim.
Përpunim i shpejtë dhe pa komplikime, pa kosto shtesë
Kreditë e Shportës Digjitale nuk gjenerojnë ndonjë kosto tjetër përveç interesit. Afati është nga një deri në pesë vjet, në varësi të nevojave të klientit, dhe në parim mund të kryhen edhe shlyerje të parakohshme. RBI tashmë ka nisur të ndërtojë një portofol të shoqërive me nivelin më të lartë të zhvillimit. Shuma e kredisë individuale varion nga 1 deri në 7 milionë euro.
Financimi i parë pilot nën Shportën Digjitale tashmë ka përfunduar. Kanë kaluar vetëm 14 ditë nga fillimi i kontrollit të kredisë dhe negocimit të kontratës deri në momentin e disbursimit.
Kriteret e kualifikimit
Për t'u kualifikuar për Shportën Digjitale, një shoqëri në zhvillim duhet të ketë të ardhura vjetore prej të paktën 5 milionë euro, të ketë fituar besimin e investitorëve të mirënjohur duke mbledhur të paktën 3 milionë euro financim kapitali dhe të vazhdojë të rritet me fitim.
Mund të përfshihen të gjitha shoqëritë në Evropën Perëndimore si dhe në të gjithë gjurmën e shtrirjes gjeografike të RBI-së në Evropën Qendrore dhe Lindore. Shporta Digjitale nuk përqendrohet në industri specifike; shoqëritë më të mëdha SaaS, platformat dhe aplikacionet e tregtisë elektronike financohen po aq sa ofruesit e lojërave novatore, MedTechs ose lojtarët e rinj të operatorëve celularë. Përjashtimi i vetëm janë shoqëritë në zhvillim në sektorin financiar, të ashtuquajturat FinTechs, të cilat janë objektivi i programit Elevator Venture të RBI-së.
Përveç historikut të themeluesve ose menaxherëve, kriteret e tjera të përzgjedhjes përfshijnë praninë në të paktën dy tregje, një sistem të brendshëm kontrolli të integruar dhe një raport të pranueshëm borxh/kapital.
Informacione më të detajuara mund t’i gjeni këtu.