Skip to main content

Fondet e mbyllura do të rrisin pjesëmarrjen e kompanive në skemat private të pensioneve

Znj.Edlira Konini, Administratore e Përgjithshme e Raiffeisen Invest, në një intervistë për revistën Monitor, flet rreth projektligjit “Për fondet e pensionit privat”, të hedhur për konsultim publik nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Krijimi i fondeve të mbyllura të pensioneve do të nxisë më shumë interes te bizneset për të marrë pjesë në skemat private, si një politikë motivimi për punonjësit. Edlira Konini, Administratore e Përgjithshme e shoqërisë administruese Raiffeisen Invest, thotë se krijimi i fondeve të mbyllura rrit aftësinë negociuese të punëdhënësit dhe kjo do të zhvillojë më tej tregun privat të pensioneve. Sipas saj, shtimi i incentivave fiskale është një hap i rëndësishëm, sepse përvoja e vendeve të tjera ka treguar që lehtësimi nga taksat është një nga nxitësit kryesorë për zhvillimin e këtyre skemave.

Cilat janë qëndrimet tuaja kryesore rreth projektligjit “Për fondet e pensionit privat”, të hedhur për konsultim publik nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare?

Raiffeisen Invest ka mirëpritur nismën e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për draftimin e një legjislacioni të ri për fondet e pensionit. Ky është një hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për përafrimin dhe harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit me direktivat europiane në këtë fushë, si dhe për zhvillimin e tregut të pensioneve në tërësi. Ligji “Për fondet e pensionit vullnetar” është në fuqi që prej vitit 2009 dhe nuk ka pësuar asnjë ndryshim, ose përmirësim, ndër vite. Paralelisht, tregu i fondeve vullnetare të pensionit ka mbetur i kufizuar, me një numër të ulët anëtarësh e asetesh. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në 30.09.2021, asetet e këtij tregu ishin në nivelin 4.28 miliardë lekë, shifër mjaft e ulët krahasuar me tregun e fondeve të investimit, i cili është 17-fish më i lartë (75.1 miliardë lekë në 30.09.2021). Projektligji “Për fondet e pensionit privat” vjen natyrshëm në një faze kritike të ecurisë së tregut të pensioneve, duke sjellë disa risi e përmirësime që do të ndikojnë në zhvillimin e dinamikave të reja në këtë treg. Mund të flisja gjatë për risitë e avantazhet, por do të ndalem në dy aspekte kryesore që i gjykoj më domethënëset:

Së pari, projektligji krijon lehtësi të konsiderueshme fiskale të cilat aktorët e tregut i kërkojnë prej kohësh. Stimujt aktualë janë të pamjaftueshëm dhe ndonjëherë, për kategori të caktuara (të vetëpunësuar, emigrante etj.) të pazbatueshëm në praktikë. Sipas projektligjit, përfitimet e marra nga anëtari i fondit të pensionit, tatohen vetëm për kthimin nga investimi, si dhe rritet kufiri maksimal mujor, për lehtësitë tatimore, deri në nivelin e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi. Kjo do të jetë, pa diskutim, një faktor nxitës për rritjen e bazës së anëtarësimit dhe ndërgjegjësimin e popullatës që një pension privat është i nevojshëm për të rritur cilësinë e jetës në moshën e pensionit.

Së dyti, projektligji fut konceptin e një forme të re të fondit të pensioneve, konkretisht fondit me pjesëmarrje të mbyllur, i cili krijohet nga një punëdhënës, disa punëdhënës, ose një entitet i organizuar, si bashkim punëdhënësish, sindikatë apo bashkime sindikatash, në bazë të një marrëveshje të rënë dakord dhe u ofrohet vetëm të punësuarve të këtyre subjekteve. E thënë më thjesht, mundëson krijimin e një fondi privat pensioni vetëm për punëmarrësit e një kompanie të caktuar (fond me një punëdhënës) ose një industrie të caktuar (fond me shumë punëdhënës). Aktualisht këto lloj skemash janë pjesë e një fondi të hapur dhe ne kemi parë gjithnjë e më shumë interes nga korporatat për krijimin e tyre. Por, krijimi i fondeve të mbyllura rrit aftësinë negociuese të punëdhënësit, lidhur me tarifat apo kritere të tjera dhe mund të nxisë rrjedhimisht pjesëmarrjen e kompanive shqiptare në këto skema, si një politikë motivimi për punonjësit e tyre. Kjo patjetër që do të zhvillojë më tej tregun privat të pensioneve në vend.

Projektligji parashikon rritjen e pragut të përjashtimit nga tatimi për kontributet, në vlerën e pagës minimale ligjore, si dhe shtrirjen e tatimit në përfitim vetëm mbi kthimet nga investimi. Mendoni se këto incentiva janë të kënaqshme dhe të mjaftueshme për t’i bërë më atraktive fondet private të pensioneve?

Siç e thashë edhe më sipër, lidhur me lehtësitë fiskale të prezantuara, ne i vlerësojmë ato maksimalisht. Përvoja e vendeve të tjera ka treguar që lehtësimi nga taksat është një nga nxitësit kryesorë për zhvillimin e skemave private të pensionit. Në këtë kuadër, këto lehtësi janë të domosdoshme dhe jo vetëm kanë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët, të cilët nëpërmjet kontributeve të lehtësuara nga taksat do të marrin përfitime shtesë në moshën e pensionit, duke rritur normën e zëvendësimit, por edhe në skemën publike mbi të cilën do të ketë më pak presion. Sigurisht, vazhdimi i përpjekjeve nga Autoriteti dhe aktorët e tregut për të çuar në një fazë të mëtejshme edukimin financiar në vend, sidomos tek brezi i ri, do të jetë i domosdoshëm për ndërgjegjësimin e qytetarëve lidhur me pjesëmarrjen në fondet private të pensionit, e cila rrit mirëqenien financiare të tyre dhe ndikon në zhvillimin e tregut financiar në tërësi.

Besoni se ndryshimet e parashikuara në politikat e investimit krijojnë hapësira për të përmirësuar kthimet e fondeve të pensionit? Cilat janë risitë më domethënëse, në këndvështrimin tuaj dhe a mund të sugjeroni ndryshime të tjera, veç atyre që propozon AMF?

Sipas gjykimit tim, qasja konservatore e orientimit të investimeve në tituj borxhi të qeverisë së Republikës së Shqipërisë ka qenë zgjedhje e shoqërive administruese, të cilat kanë preferuar të marrin përsipër më pak risqe dhe, nga ana tjetër, nuk e kanë ndier nevojën e diversifikimit, pasi titujt e borxhit të Qeverisë Shqiptare kanë ofruar ndër vite norma të larta interesi. Sigurisht, ne jemi absolutisht në favor të ndryshimeve të parashikuara në projektligj. Ky i fundit ofron alternativa të reja investimi dhe hapësirë për diversifikim, të cilat janë të mirëpritura në kushtet e një ambienti normash interesi relativisht të ulëta krahasuar me vitet e mëparshme, si dhe perspektivës së integrimit europian të Shqipërisë. Më konkretisht, projektligji lejon investimin e aseteve të fondit, përveçse në mjete monetare dhe depozita në banka të licencuara në Republikën e Shqipërisë, ose vendet e OECD, tituj borxhi të emetuara ose të garantuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, edhe në tituj të transferueshëm ose instrumente të tregut të parasë të emetuara në Republikën e Shqipërisë dhe të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar, në tituj të transferueshëm dhe instrumente të tregut të parasë të pranuara për tregtim në listën zyrtare në një treg të rregulluar në një vend të OECD-së, në tituj borxhi të emetuara nga bankat, që nuk janë të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar, si dhe në aksione ose kuota të sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike.

Gama e investimit është shumë e gjerë dhe duke zbatuar një politikë të kujdesshme të përzgjedhjes së instrumenteve dhe administrimit të riskut, shoqëritë administruese kanë hapësira për të krijuar fonde të ndryshme, me shkallë të ndryshme rreziku, në përputhje me kërkesat e anëtarëve në to.


  • Intervistë
  • 4 min për t'u lexuar