Skip to main content

Jemi në mes të një transformimi dixhital

Raiffeisen Bank do të ketë prioritet thellimin e dixhitalizimit gjatë vitit 2022. Z.Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm, thotë për “Monitor” se transformimi dixhital do të jetë fokusi kryesor i të gjitha segmenteve të bankës edhe për këtë vit. Lidhur me efektet e pritshme të inflacionit dhe rritjes së normave të interesit, z. Canacaris mendon se cilësia e kredive nuk do të vuajë shumë, duke pasur parasysh qëndrueshmërinë e provuar në një periudhë edhe më të vështirë, siç ishte pandemia.

Si do ta vlerësonit performancën e bankës suaj gjatë vitit 2021? Cilat ishin sfidat dhe arritjet kryesore që do të dëshironit të veçonit, për sektorin bankar në tërësi dhe bankën tuaj në veçanti?

Pavarësisht pandemisë COVID-19 dhe ndikimeve të saj në ekonominë lokale dhe globale, viti 2021 u provua si viti i rimëkëmbjes ekonomike dhe ecurisë pozitive në sektorin bankar në Shqipëri. Bankat qëndruan gjerësisht likuide, ndërkohë që rritën volumin e kreditimit si në segmentin e individëve, ashtu edhe në atë të biznesit, duke nxitur konsumin dhe duke mbështetur aktivitetet e sipërmarrjes në prodhim, shërbime, ndërtim dhe bujqësi dhe duke kontribuar në rritjen e përfitueshmërisë në nivelin e para-pandemisë.

Banka Raiffeisen pati një ecuri të suksesshme, me fitim neto prej 3.7 miliardë lekësh (ose 30.8 milionë euro) në fund të vitit 2021, duke arritur një rritje prej 78% në vit (me standardin lokal të raportimit financiar). Banka rriti dukshëm volumin e aktiveve të saj me 17.6% me bazë vjetore, ku pjesën më të madhe të kontributit e dhanë volumet në rritje të kreditimit, ndërsa, totali i depozitave u rrit me gati 17% krahasuar me vitin e kaluar.

Raiffeisen Bank Shqipëri ka tejkaluar nivelet mesatare të tregut, duke e rritur kreditimin me 24.9% dhe duke u pozicionuar si banka e dytë më e madhe huadhënëse, me 17.1% të portofolit total të kredisë. Kredia për bizneset u përmirësua gjatë vitit 2021, duke mbështetur nevojat e klientëve tanë të korporatave dhe bizneseve të vogla për investime dhe financim projektesh, duke e çuar pjesën tonë në 15.3% të tregut, në fund të vitit 2021.

Në huadhënien e individëve, ne mbetemi kryesues në treg dhe disbursimet e kredive konsumatore që arritën nivelet e para pandemisë që në tremujorin e parë 2021, ndërkohë që vazhduam me promovimin e produkteve tona të huave hipotekore. Mbi këto baza, pjesa jonë e tregut në këtë segment arriti mbi 19.9%, duke tejkaluar parashikimet tona për vitin 2021.

Anketat e tregut vendas kanë treguar se banka jonë renditet si më e mira në segmentin e klientëve korporativë, për sa i përket përvojës së klientit NPS (Net Promoter Score). Ky tregues është shumë më i mirë në raport me konkurrentët tanë kryesorë, për shkak të cilësisë së shërbimit, korrektësisë dhe produkteve inovative. Raiffeisen Bank Shqipëri konsiderohet nga klientët korporatë si banka më e mirë në zgjidhjet inovative dixhitale. Ne po përparojmë gjithashtu me shërbimin tonë ndaj klientëve individë, duke u ngjitur në pozicionin e dytë në sondazhin tonë të fundit të NPS këtë vit.

Raiffeisen Bank Shqipëri mbetet shumë e mirëkapitalizuar dhe tejet likuide, ndërsa raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit qëndronte në 20.12% në dhjetor 2021, mbi mesataren e tregut. Pozicioni financiar i Raiffeisen Bank Shqipëri është i fortë dhe i gatshëm për të adresuar sfidat e reja me të cilat po përballemi tashmë në vitin 2022.

Ekonomia botërore po përballet me rreziqe të reja, të lidhura me inflacionin e lartë dhe luftën në Europën Lindore. Çfarë pasojash mund të kenë këto zhvillime në ekonominë shqiptare dhe në sektorin financiar në Shqipëri?

Inflacioni po rritet më shpejt se më parë, kryesisht për shkak të presioneve nga ana e ofertës. Ndërsa ekonomitë hoqën masat kufizuese dhe kërkesa po kthehet gradualisht në nivelet e para-pandemisë, oferta nuk mund të mbante të njëjtin ritëm dhe kjo ka rritur normën e inflacionit.

Në këtë mjedis me normë inflacioni mbi 5% në Eurozonë, Shqipëria regjistroi normën më të lartë të inflacionit në muajin mars me 5,7% dhe pritet të rritet më tej në tremujorët në vijim, për shkak të strukturës së shportës së çmimeve (pesha e lartë e artikujve ushqimorë) dhe rritjes së çmimeve të naftës. Presionet inflacioniste nga oferta do të vazhdojnë të jenë më të zgjatura nga sa ishte parashikuar më parë dhe ne kemi filluar të shohim disa efekte të raundit të dytë të këtyre presioneve të transmetuara edhe në zërat e tjerë.

Banka e Shqipërisë ka të njëjtin synim parësor për stabilitetin e çmimeve si Banka Qendrore Europiane, kur bëhet fjalë për inflacionin. Besoj se Banka e Shqipërisë ka arritur në mënyrë të shkëlqyer ta nxjerrë ekonominë nga recesioni, duke ruajtur edhe stabilitetin e çmimeve, siç e kërkon ligji.

Duhet të kemi parasysh edhe faktin që Shqipëria është një ekonomi e hapur ku një rol të rëndësishëm luan inflacioni i importuar. Prandaj, qëndrueshmëria e kursit të këmbimit luan rol frenues në çmimet e huaja dhe kjo e ka ndihmuar vendin në të kaluarën të amortizojë ndikimin e inflacionit të importuar.

Në terma afatshkurtër, rritja e normave të interesit nuk do të ketë ndikim domethënës, pasi në Shqipëri, transmetimi i plotë i politikave monetare përballet me disa pengesa. Cilësia e kredive nuk do të vuajë shumë, duke pasur parasysh qëndrueshmërinë e treguar në një periudhë shumë më të vështirë, siç ishte pandemia, por priten disa presione mbi kostot e riskut për produkte të veçanta. Shqipëria ka ndër raportet më të ulëta të huave me depozitat dhe të huave me PBB-në, gjë që tregon se kemi potenciale të mëdha rritjeje. Çdo përkeqësim i cilësisë së kredisë do të absorbohet lehtësisht nga sektori bankar, pas shumë vitesh fokusim në pastrimin e bilanceve.

Cilat janë pritshmëritë dhe objektivat tuaja kryesore për ecurinë e biznesit gjatë vitit 2022?

Raiffeisen Bank do të vazhdojë punën për të kontribuar më tej në ekonominë e vendit.

Jemi në mes të një revolucioni dixhital që po transformon mënyrën e të bërit biznes. Transformimi dixhital do të jetë fokusi kryesor i të gjitha segmenteve tona bankare, si një mundësi për të rritur vlerën e klientëve tanë, pasi inovacioni është një nga elementet kryesore në deklaratën e misionit tonë. Ne do të investojmë më tej në zgjidhjet tona dixhitale, për të ruajtur pozicionin udhëheqës në treg. Raiffeisen Bank është banka e parë që sjell portofolin dixhital në treg, RaiPay dhe jemi duke përgatitur disa oferta të tjera dixhitale të cilat do të jenë të disponueshme për herë të parë në Shqipëri.

Më tej, cilësia e shërbimeve ndaj klientit do të vazhdojë të mbetet prioritet në të gjitha segmentet tona. Segmentet e individëve, korporatat dhe bizneset e vogla do të vazhdojnë të fokusohen në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve më të mira të klientëve në treg, si shërbimet bankare dxhitale, metodat inovative të pagesës, kreditë, etj. Ne do të vazhdojmë të fokusohemi në zhvillimin personal të punonjësve tanë, për të marrë standardet më të larta të shërbimit ndaj klientit. Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për të përmbushur pritshmëritë e klientëve tanë, për t'u përmirësuar në leximin e sinjaleve të ndryshimit dhe për t'u bërë më dinamikë dhe më të shkathët në përgjigje të kushteve të tregut.

Së fundmi, në ekipin tonë të bordit drejtues janë bashkuar dy anëtarë të rinj për Biznesin e Individëve dhe Operacionet dhe Teknologjinë e Informacionit. Ne presim që me përvojën dhe mentalitetin e tyre të vyer të sjellin përmirësim të mëtejshëm të biznesit dhe ofertave në treg.


  • Intervistë
  • 8 min për t'u lexuar