Skip to main content

Struktura e auditimit të brendshëm duhet të jetë në përputhje me zhvillimin e teknologjisë.

Flet Dorida Stambolla Marku, drejtoresha e Auditimit të Brendshëm në bankën Raiffeisen, sh.a

Në pandeminë e Covid-19, të gjitha sipërmarrjet ishin të detyruara t’i përshtateshin realitetit të ri, të punuarit në distancë. Një ndër sektorët që      investoi më tepër në dixhitalizimin e punës në distancë ishte sistemi bankar. Drejtoresha e Auditimit të Brendshëm në Bankën Raiffeisen, sh.a e    Dorida Stambolla Marku, në intervistën për “Monitor”, pohon se në kuadër të këtyre ndryshimeve të mëdha, edhe struktura e auditimit të brendshëm  duhet të jetë avangardë në njohje e vlerësimin sa më të plotë të këtyre zhvillimeve e risqeve të reja që ato mbartin. Sipas saj, njohuritë e audituesve    duhet të fokusohen te proceset e teknologjive dhe automatizimeve të institucioneve ku punojnë. Znj. Marku thekson se tashmë, profesionistët e    fushës për t’iu përshtatur këtij realiteti të ri kanë nisur trajnimet dhe shkëmbimet e përvojave mes tyre.

Sa të zhvilluara janë sot strukturat e kontrollit të brendshëm në praktikën e menaxhimit të kompanive shqiptare?

Së pari, ju falënderoj për intervistën dhe mundësinë për të promovuar profesionin e Auditimit të Brendshëm. Maji njihet globalisht si muaji i ndërgjegjësimit në këtë profesion mes audituesve ndërkombëtarisht, por edhe këtu në vendin tonë.

Gjithnjë e më tepër, kompanitë shqiptare po e kuptojnë rëndësinë e krijimit të strukturave të kontrollit dhe auditimit të brendshëm, si nevojë dhe vlerë e shtuar në menaxhimin sa më efikas të bizneseve të tyre.

Roli ynë siguron menaxhimin në mënyrë të pavarur, që bizneset e tyre veprojnë me sisteme të mira kontrolli, procedura, standarde, me cilësi e sa më pak kosto. Në institucione të mëdha, si p.sh., banka apo shoqëritë publike në Shqipëri, roli i auditimit të brendshëm është i rregulluar me ligj. Por tashmë, gjithmonë e më tepër nevoja e kontrollit të brendshëm është shtrirë në të gjitha industritë mikrofinanciare, të telekomunikacionit e shumë prej bizneseve në vend. Në Shqipëri jemi një komunitet i konsiderueshëm audituesish të brendshëm, ku shumë prej nesh aderojmë edhe në Institutin Shqiptar të Auditimit të Brendshëm, pjesë e atij Global. Aktiviteti ynë shtrihet edhe më gjerë dhe mund të përmend se skuadra jonë e Audituesve të Brendshëm Shqiptarë zuri vendin e 3-të në Kampionatin Europian të Audituesve.

Me bindje them se kemi profesionistë me vlera e shumë përvojë. Por sigurisht ka edhe më tepër vend për përmirësim, jo vetëm në funksionimin e bizneseve në vend, por edhe brenda rolit të auditimit të brendshëm e të punuarit sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.

Cilat janë aspektet më të rëndësishme të punës të strukturave të kontrollit të brendshëm në një shoqëri tregtare?

Auditimi i brendshëm duhet të jetë objektiv, i pavarur dhe të japë konsulencë e vlerë të vazhdueshme te drejtuesit e bizneseve, për të përmirësuar operacionet e shoqërisë tregtare, si dhe për të minimizuar humbjet. Roli ynë ndihmon kompaninë të përmbushin objektivat, duke sjellë një qasje sistematike, të disiplinuar, duke vlerësuar dhe duke përmirësuar menaxhimin e riskut, kontrollit dhe në tërësi proceset e drejtimit të kompanisë. Gjithashtu, si për klientët, edhe për furnitorët, auditimi përforcon besimin për palët dhe ofron siguri më të madhe mbi proceset e biznesit dhe kapitalin e punës.

Si e përmirëson një proces efikas i kontrollit të brendshëm qeverisjen korporative?

Qeverisja e Korporatës është një nga shtyllat e zhvillimit të qëndrueshëm (ESG), prandaj dhe roli i audituesve kthehet në domosdoshmëri. Auditorët e brendshëm rishikojnë dhe vlerësojnë në mënyrë objektive proceset, efikasitetin e procedurave, menaxhimit e vlerësimit të rrezikut, duke mbrojtur nga vjedhjet dhe mashtrimet e aseteve të kompanisë. Roli dhe funksioni i auditorit të brendshëm duhet të sigurojë organet drejtuese të bankës ose kompanisë që organizata është, duke funksionuar në përputhje me ligjet, rregulloret, procedurat dhe respekton kuadrin rregullativ, duke u bazuar në standardet ndërkombëtare të auditimit të brendshëm dhe kodit të etikës. Në mënyrë të vazhdueshme, duhet të rekomandojmë përmirësime dhe rishikime të sistemeve të kontrollit, vlerësimit të riskut e procesit të qeverisjes së kompanisë.

Si e ka ndikuar periudha e pandemisë misionin e strukturave të kontrollit të brendshëm në biznese dhe sidomos, në institucionet financiare?

Efektet që solli pandemia në mënyrën e të punuarit ishin befasuese për të gjitha bizneset, të cilat përshtatën edhe strukturat e brendshme sipas këtij modaliteti të ri. Pa dyshim, risia kryesore që solli janë zhvillimet teknologjike e si rrjedhojë, nevojën e të punuarit në distancë. Sidomos në banka janë bërë hapa e investime të mëdha në dixhitalizim, ku tashmë klienti mund të marrë nga celulari apo kompjuteri shumicën e shërbimeve, qoftë pagesa, kredi, këmbime, investime etj.

Në këtë kuadër të këtyre ndryshimeve të mëdha, edhe struktura e auditit të brendshëm duhet të jetë avangardë në njohje e në vlerësimin sa më të plotë të këtyre zhvillimeve e risqeve të reja që ato mbartin. Njohuritë tona duhet të fokusohen përherë e më tepër drejt teknologjisë, automatizimeve, proceseve të sigurta e efektive, oportuniteteve e kostove të institucioneve ku punojmë. Kështu po kryhen përditësime dhe trajnime të vazhdueshme edhe të stafit, po shkëmbehen komunikime dhe ndarje eksperiencash mes profesionistëve të fushës, në mënyrë që roli ynë të vazhdojë të performojë në këtë realitet të ri.


  • Intervistë
  • 7 min për t'u lexuar