Skip to main content

Raiffeisen, banka më e avancuar në dixhitalizim

Raiffeisen Bank Shqipëri shpejtoi rrugën drejt transforimit dixhital gjatë vitit 2022. Drejtori i Përgjithshëm, Christian Canacaris, nënvizon se Raiffeisen u bë banka e parë që arriti të ofronte produktet e kredisë në rrugë 100% elektronike, falë aplikimit të identifikimit dhe nënshkrimit dixhital.

Si do ta vlerësonit ecurinë e Raiffeisen Bank Shqipëri vitin e kaluar? Cilat ishin zhvillimet më të rëndësishme në bankën tuaj dhe më gjerë në aktivitetin e sistemit bankar shqiptar?

Edhe pse Banka Raiffeisen, si të gjithë bankat e tjera, operuan në një mjedis shumë sfidues, ku ngjarjet gjeopolitike mbizotëruan dhe pasojat e luftës në Ukrainë u ndien në të gjithë botën, ne arritën objektivat tanë dhe realizuam një performancë të lartë financiare. Fitimi pas taksave u rrit me 17.6% krahasuar me një vit më parë. Si kredidhënësi i dytë më i madh në vend, me rreth 17.3% pjesë tregu, ne vazhduam të mbështesim individët dhe bizneset me kredi gjatë gjithë vitit, duke e rritur kredinë në total me 9.2%, rritje kjo më e lartë se 7.7% me të cilën u rrit kredia në total në sistemin bankar.

Më tej, mund të them se banka po vazhdon procesin e saj të transformimit drejt një mënyre “agile” të punës, duke synuar të bëhet një organizatë adaptive, e gatshme për brezat e ardhshëm të bankës. Gjatë vitit 2022, Raiffeisen Bank përshpejtoi përpjekjet drejt transformimit dixhital. Ne po investojmë vazhdimisht në platformat tona dixhitale, duke forcuar pozicionin tonë udhëheqës si banka më inovative dhe më e avancuar në vend.Platforma jonë dixhitale, Raiffeisen ON, u pasurua me veçori dhe funksione të reja. Një moment historik i rëndësishëm drejt huadhënies dixhitale është zgjerimi i bazës së klientëve, të cilët mund të marrin një kredi E2E nëpërmjet platformës dixhitale, RON. Kjo u bë e mundur falë procesit të nënshkrimit dixhital. Tani, me krenari, themi se kemi befasuar klientët tanë, duke u ofruar lehtësi në aplikimin dhe marrjen e një kredie, duke u bërë si banka e parë në treg që ofron produkte të plota kreditimi E2E. Për të përmirësuar huadhënien dixhitale dhe për t'u përkushtuar ndaj proceseve të transformimit të bankingut dixhital, ne forcojmë bashkëpunimin me palët e treta dhe fintechs, duke prezantuar kanale të reja dhe efikase kreditimi, në mënyrë që të ofrojmë të njëjtën përvojë të pandërprerë nëpërmjet kanaleve të ndryshme.

Si një nga shtyllat kryesore të strategjisë sonë, është angazhimi ynë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, duke ofruar produkte të qëndrueshme. Kjo është arsyeja pse ne jemi një pionier krenar i bankingut me përgjegjësi. Portofoli ynë i produkteve të gjelbra përfshin katër produkte në përputhje me ESG të lançuara me sukses: kredia RSF, kredia hipotekore, kredi konsumatore me hipotekë dhe kredi e pasiguruar. Ne mbështesim klientët tanë, për të financuar aktivitete që kontribuojnë në qytete dhe komunitete të qëndrueshme, energji e gjelbër, ndërtesa të gjelbra, etj. Raiffeisen Bank ka bërë përparim të jashtëzakonshëm teknologjik, veçanërisht në përqafimin e teknologjisë cloud dhe transformimin e operacioneve të IT.

Përkushtimi i bankës, për të përqafuar teknologjinë cloud dhe për të transformuar operacionet e saj IT ka rezultuar që 50% e ngarkesës së saj të punës të jetë në cloud. Një nga arritjet kryesore ishte implementimi i portofolit të parë dixhital në tregun shqiptar, RaiPay. Ky produkt i ri është një ndryshim rrënjësor kur bëhet fjalë për pagesë të thjeshtë e të sigurt, nëpërmjet teknologjisë NFC (pagesa pa kontakt), duke përmirësuar përvojën e pagesave. Zhvillimi i ndjeshëm që bankat kanë realizuar në infrastrukturën mbështetëse të pagesave kohëve të fundit ka mundësuar rritje të qenësishme të përdorimit të parasë elektronike. Por, duhet thënë se puna drejt open banking dhe instant payment të vazhdojë me përkushtim. Gjithashtu, sektori bankar ka vazhduar zgjerimin me ritme të mira, ka financuar më tej ekonominë, duke ruajtur nivele të shëndetshme likuiditeti dhe kapitali.

Vitin e kaluar, ekonomia u përball me inflacionin më të lartë në dy dekada dhe me rritje të shpejtë të normave të interesit. Si u reflektuan këto zhvillime në ecurinë e sektorit bankar? 

Po, e vërtetë, inflacioni ishte një pasojë indirekte që lufta në Ukrainë solli në tregun tonë, e jo vetëm. Megjithatë përtej parashikimeve, ekonomia e vendit u rrit me një normë vjetore prej 4.8%. Zgjerimi i ekonomisë u reflektua dhe në aktivitetin bankar. Mjetet financiare të sektorit shënuan rritje prej 5.8% në 2022, ndërsa kredidhënia u rrit me 7.7%. Zgjerimi i kredisë ishte më i ulët sesa një vit më parë, me normë prej 9.4%. Kjo erdhi dhe si pasojë e shtrëngimit të kushteve të financimit, veçanërisht rritjes së normës së interesit të kredisë, në reflektim të shtrëngimit të politikës monetare, si dhe forcimit të monedhës lokale. Mjedisi i ri me presione të larta inflacioniste, gjithashtu solli pasiguri dhe hezitim nga bizneset, e shfaqur në një kërkesë më të dobët për kredi. Ndryshe nga pritshmëritë, cilësia e portofolit të kredisë u përmirësua më tej në 2022, duke prekur nivelin e vetëm 5.0% të kredisë në total të sistemit. Këto të gjitha konsiderohen zhvillime të kënaqshme në kushte të larta pasigurie, që vijnë nga mjedisi i jashtëm.

Cilat do të jenë objektivat tuaja kryesore në vitin 2023 dhe cilat prisni të jenë sfidat kryesore për biznesin e bankave këtë vit?  

Ne aspirojmë të vazhdojmë të mbështesim ecurinë e vendit, duke financuar projekte që ndikojnë pozitivisht zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësojnë cilësinë e jetës, si një nga shtyllat kryesore të strategjisë sonë. Qëllimi ynë afatgjatë është të sjellim ofertën më të mirë inovative në treg dhe të mbajmë një prani të fuqishme dixhitale, duke përqafuar dhe duke inkorporuar teknologjitë dixhitale që pasurojnë vazhdimisht zgjidhjet tona të bankingut online për të gjithë grupet e individëve. Terreni mbetet sfidues për bankat, duke marrë parasysh që rritja ekonomike pritet të ngadalësohet në nivelet e ulëta të rreth 3.0%, për shkak të kushteve shtrënguese financiare dhe ecurisë së dobët të partnerëve tregtarë. Nga ana tjetër, për shkak të inflacionit bazë mbi nivelet e objektivit të Bankës së Shqipërisë (6.5% në mars 2023) politika monetare do të vazhdojë rrugën drejt shtrëngimit të mëtejshëm, duke e bërë kredinë më të shtrenjtë e në këtë formë, duke dekurajuar kërkesën për kredi. Nga ana tjetër, pritet një përkeqësim i cilësisë së kredisë, por raportet aktuale të mjaftueshmërisë së kapitalit (18.4%) mundësojnë që ta përballojnë më së miri këtë situatë. 


  • Intervistë
  • 3 min për t'u lexuar