Skip to main content

Pagesat digjitale tejkalojnë pagesat në degë

Intervistë me Resmi Hibraj, drejtor i Huadhënies për Klientë Individë dhe i Bankingut Digjital në Raiffeisen Bank Shqipëri

  • Intervistë
  • 7 min lexim

Pagesat digjitale që kryhen nga klientët nëpërmjet platformës Raiffeisen On përfaqësojnë 90% të pagesave totale të Bankës Raiffeisen.

Resmi Hibraj, drejtor i Huadhënies për Klientë Individë dhe i Bankingut Digjital në Raiffeisen Bank Shqipëri, thotë në një intervistë për “Monitor” se kjo shifër dëshmon qartë që klientët e kanë përqafuar teknologjinë, për shkak të përfitimeve të mëdha që ajo ofron.

Z. Hibraj thotë se bankat tregtare në Shqipëri po përshtaten me shpejtësi ndaj zhvillimeve teknologjike dhe konkurrencës nga institucionet fintech, shpesh duke qenë edhe pararendës në këtë fushë. Ai mendon se bashkëveprimi në rritje mes fintechs dhe bankave krijon mundësi për të maksimizuar përfitimet për konsumatorët dhe për të krijuar një ekosistem financiar më të fortë dhe më të integruar. Kjo do të kontribuojë në një rritje të qëndrueshme dhe në përmirësimin e shërbimeve financiare për publikun.

 

  • Tregu i pagesave në vitet e fundit po shënon zhvillime të reja teknologjike dhe konkurrencë në rritje, duke përfshirë edhe institucionet e reja fintech. Si po përshtaten bankat tregtare me këto zhvillime të reja?

 

Bankat tregtare në Shqipëri po përshtaten me shpejtësi ndaj zhvillimeve teknologjike dhe konkurrencës nga institucionet fintech, shpesh duke qenë pararendës në këtë fushë.

Raiffeisen Bank, për shembull, ishte banka e parë që nisi transformimin digjital të shërbimeve të saj që në vitin 2016. Ne prezantuam platformën moderne Raiffeisen On, e cila ofroi shërbim online 24/7, si në celular ashtu edhe në web. Kjo lejon klientët, si ata ekzistues ashtu edhe të rinjtë, të aplikojnë për çeljen e llogarive, kartave të debitit apo kreditit, si dhe aplikim për kredi dhe investime, të gjitha në mënyrë të plotë online, duke eliminuar nevojën për vizita në degë dhe duke kursyer kohë dhe energji të çmuar.

Përtej transformimit digjital të brendshëm, ne krijuam partneritete strategjike me fintech, vendas si MPay, duke i përfshirë dhe duke bashkëpunuar për të sjellë risi në fushën e pagesave nëpërmjet shërbimit KUIK (mes klientëve individë), i cili përdoret në baza ditore nga dhjetëra mijë klientë.

Për bankat në tërësi, investimet që janë bërë vitet e fundit dhe sidomos qasja e orientuar nga klienti, inovacioni dhe siguria janë thelbësore për të mbajtur një pozicion konkurrues në një treg në ndryshim të shpejtë.

Pagesat digjitale në Shqipëri po zhvillohen me një ritëm të shpejtë, duke u bërë pjesë integrale e ekonomisë. Falë investimeve të vazhdueshme në teknologji dhe infrastrukturë, si dhe mbështetjes nga institucionet qeveritare, pritet që adoptimi i pagesave digjitale të vazhdojë të rritet edhe në vitet e ardhshme.

 

  • Institucionet fintech të pagesave po hedhin hapat e para edhe në Shqipëri. Çfarë roli mendoni se do të kenë këto institucione në tregun e pagesave dhe si mendoni se do të ndërveprojnë ato me sektorin bankar në të ardhmen?

 

Institucionet fintech të pagesave kanë potencialin të luajnë rol pozitiv në tregun e pagesave në Shqipëri, duke ofruar shërbime inovative dhe duke rritur konkurrencën. Sipas këndvështrimit tim, ka ndodhur një evolucion në perceptimin e raportit mes bankave dhe fintech-eve. Fillimisht, u mendua se fintech-t do të kërcënonin ekzistencën afatgjatë të bankave, duke i detyruar ato të vepronin si kundërshtarë seriozë. Megjithatë, koha ka treguar se ekosistemi i pagesave ofron mundësi për të dyja palët, duke krijuar një hapësirë ku asnjëra nuk mund ta zëvendësojë tjetrën në mënyrë të përsosur. Kjo ka hapur rrugën për një trend bashkëpunimi dhe partneriteti mes bankave dhe fintech-eve.

Vë re dy pista kryesore të bashkëpunimit:

- Sinergji: Në vend të konkurrencës së ashpër, shumë fintech-e mund të krijojnë partneritete me bankat për të ofruar shërbime të përbashkëta, si pagesat digjitale ose shërbime të menaxhimit të financave personale.

- Shkëmbimi i ekspertizës, mes bankave dhe fintech-eve ofron mundësi të shkëlqyera për të dyja palët. Bankat mund të shfrytëzojnë njohuritë dhe risitë e fintech-eve, ndërsa këto të fundit mund të përfitojnë nga rrjetet e gjera dhe besueshmëria që ofrojnë bankat.

Përtej kësaj, fintech-et shpesh janë më të shpejtë në përdorimin e teknologjive të reja, si blockchain dhe Inteligjenca Artificiale, që do të ndihmojnë në përmirësimin e efikasitetit të procesëve të pagesave dhe sigurisë.Gjithashtu ato mund të ofrojnë integrim më të lehtë me shërbime të tjera, si e-commerce, duke lehtësuar pagesat për tregtarët dhe konsumatorët.

Në tregun tonë, ndërsa ka pasur rol në rritje nga fintechs, ato ende zënë një peshë të vogël në raport me volumin e pagesave që procesohen përmes bankave dhe kryesisht fokusohen në pagesat e faturave. Legjislacioni i prezantuar së fundmi nga Banka e Shqipërisë, që synon përafrimin e kuadrit rregullator të pagesave me legjislacionin e BE për Open Banking, do të ndikojë edhe në mënyrat se si do të ndërveprojnë fintechs me bankat në të ardhmen. Në parim, bashkëveprimi në rritje mes fintechs dhe bankave krijon mundësi për të maksimizuar përfitimet për konsumatorët dhe për të krijuar një ekosistem financiar më të fortë dhe më të integruar. Kjo do të kontribuojë në një rritje të qëndrueshme dhe në përmirësimin e shërbimeve financiare për të gjithë.

 

  • Prej dekadash, pagesat alternative në pikën e shitjes janë mbështetur kryesisht te kartat dhe infrastruktura e ofruar nga operatorët e mëdhenj globalë të pagesave, si Visa dhe Mastercard. Çfarë ndikimi do të kenë teknologjitë e reja të pagesave nga llogaria në llogari, me palë të treta dhe cilat janë avantazhet unike që banka juaj ofron që mund t’i bindin klientët të zgjedhin bankat tradicionale mbi alternativat Fintech? 

 

Siç e përmenda në fillim të intervistës, Raiffeisen Bank ka qenë pioniere e pagesave nga llogaria në llogari si individ-për-individ dhe individ-për-biznes, duke mundësuar pagesa në kohë reale mes klientëve ashtu edhe pagesa nga klienti te bizneset nëpërmjet aplikacionit Raiffeisen On.

Aktualisht pagesat digjitale që kryhen nga klientët tanë nëpërmjet Raiffeisen On përfaqësojnë 90% të pagesave totale të bankës, çka tregon se klientët e kanë përqafuar teknologjinë për shkak të përfitimeve të mëdha që ajo ofron.

Përveç një teknologjie moderne dhe një përvoje shumë të mirë në kryerjen e pagesave, avantazhet që Raiffeisen Bank ofron në raport me fintech-t përfshijnë:

- Besueshmërinë dhe sigurinë, për shkak të historisë dhe reputacionit të saj në mbrojtjen e klientëve, veçanërisht për transaksionet e mëdha.

- Avancimet në teknologjitë e sigurisë ndihmojnë në reduktimin e rrezikut të mashtrimeve.

- Gama e gjerë e shërbimeve financiare si kredi dhe investime, të integruara me shërbimet e pagesave.

- Mbështetja për klientët është një tjetër avantazh, me degë fizike dhe qendra e Shërbimit të Klientit që ofrojnë asistencë të drejtpërdrejtë.

- Rregullimi dhe mbikëqyrja nga autoritetet financiare sigurojnë një nivel të lartë mbrojtjeje për konsumatorët.

Në anën tjetër, teknologjitë e reja të pagesave ofrojnë reduktim të kostove dhe rritje të shpejtësisë së transaksioneve, duke i bërë ato më tërheqëse për konsumatorët dhe bizneset.

 

  • Banka e Shqipërisë po punon për një sistem të pagesave të shpejta. Çfarë ndikimi pritet të ketë ngritja e sistemit TIPS në tregun e shërbimeve të pagesave në Shqipëri? 

 

Pritshmëritë janë për një efekt pozitiv si për eksperiencën e konsumatorëve, ashtu edhe për masivizimin e pagesave digjitale.

Përfitimi i parë dhe kryesor lidhet me shpejtësinë e transaksioneve duke qenë se TIPS do të mundësojë pagesa në kohë reale, duke lejuar individët dhe bizneset të kryejnë transaksione menjëherë, pa vonesa. Kjo do të përmirësojë fluksin e likuiditetit për bizneset dhe do të rrisë efikasitetin e menaxhimit të financave për individët.

Gjithashtu do të inkurajohet dhe më tej përdorimi i Pagesave Digjitale duke reduktuar varësinë nga pagesat me para në dorë. Kjo do të ndihmojë në promovimin e një ekonomie më të digjitalizuar.Përmirësimi i Shërbimeve për Klientët dhe Rritja e Sigurisë së Pagesave janë përfitime të tjera shumë të rëndësishme, siç është edhe Lehtësimi i pagesave për bizneset dhe ulja e kostove që lidhen me menaxhimin e cash.

 

  • Shqipëria ngelet ende ekonomi me përdorim të lartë të parasë fizike (cash). Si mund të nxitet përdorimi i formave alternative të pagesave dhe cilat vlerësoni se janë pengesat kryesore për masivizimin e tyre në Shqipëri?

 

Pavarësisht progresit dhe rritjes së transaksioneve digjitale nëpërmjet kartave dhe aplikacioneve mobile, Shqipëria mbetet një shoqëri e prirë për pagesat në para. Gjatë viteve, janë ndërmarrë nisma nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria për të rritur ndërgjegjësimin e publikut mbi rëndësinë e adoptimit të pagesave digjitale, por ende ka shumë për të bërë.

Dy aspekte kyçe ku duhet fokusuar përpjekjet janë edukimi dhe incentivimi i përdoruesve.

Për Edukimin dhe Ndërgjegjësimin, Organizimi i fushatave për të informuar konsumatorët mbi përfitimet e pagesave digjitale, si shpejtësia, siguria dhe lehtësia e përdorimit.

Këtu do të përfshija Trajnimet për Bizneset: Ofrimi i trajnimeve për tregtarët dhe bizneset mbi mënyrat e integrimit të pagesave digjitale në operacionet e tyre.

Së dyti dhe me rëndësi shumë të madhe përmend Incentivimin e Përdoruesve. Eksperienca globale ka treguar që edhe në tregjet e zhvilluara, faza fillestare e adoptimit të pagesave digjitale u shoqërua me lehtësi fiskale si për individët ashtu edhe për bizneset.

Për individët, disa nga format mund të jenë ofrimi i zbritjeve ose shpërblimeve për klientët që përdorin forma alternative të pagesave dhe krijimi i programeve të besnikërisë që nxisin përdorimin e pagesave digjitale përmes pikëve ose shpërblimeve.

Ndërsa për bizneset do të vlente një program me përfitime fiskale si ulje apo rimbursim i taksave për të inkurajuar pagesat digjitale. 

 

  • Në çfarë faze është sektori bankar shqiptar për të arritur konceptin e bankës digjitale, ku të gjitha produktet apo shërbimet mund të ofrohen nëpërmjet kanaleve alternative?

 

Sektori bankar shqiptar po kalon në një fazë të rëndësishme zhvillimi drejt konceptit të bankës digjitale. Disa banka kanë arritur të bëjnë përparime të dukshme në ofrimin e shërbimeve nëpërmjet kanaleve alternative, ndërsa të tjera vazhdojnë të mbeten mbrapa në këtë proces. Kjo diferencë në adaptim thekson nevojën për inovacion dhe investime në teknologji për të përmbushur kërkesat e klientëve në një ambient gjithnjë e më digjital.

Duke ju referuar dhe eksperiencës sonë në Raiffeisen, investimet e konsiderueshme për digjitalizimin dhe përpjekjet disavjeçare për të rritur adoptimin e shërbimeve digjitale kanë dhënë rezultate shumë inkurajuese. Megjithatë ende nuk kanë arritur masën kritike ku shumica e klientëve të jenë përdorues të rregullt të aplikacionit celular. Mbetemi ende një sistem bankar ku për traditë, klienti preferon të vizitojë degët për t’u shërbyer dhe të ndërveprojë me bankierët.

Do të duhen ende shumë investime në digjitalizim nga të gjitha bankat, jo vetëm bankat e mëdha, në mënyrë që të arrihet një standard minimal cilësor i kanaleve alternative për sistemin bankar, duke e kthyer konsumimin e produkteve dhe shërbimeve digjitale në një refleks, siç është bërë për shembull përdorimi i mediave sociale.

Për ta përmbledhur, arritja e një integrimi të plotë mes kanaleve fizike, si degët, dhe atyre digjitale kërkon investime të vazhdueshme në teknologji, edukimin e konsumatorëve, si dhe një mbështetje më të madhe nga qeveria dhe autoritetet rregullatore. Këto hapa janë thelbësore për të promovuar nismat e përmendura më sipër. Një qasje e tillë do të kontribuojë në krijimin e një ekosistemi financiar më të fortë dhe më të integruar në të ardhmen.