Skip to main content

Informacioni i pakët financiar dhe mungesa e kolateralit, probleme për financimin e SME-ve

Intervistë me Elira Abeshi, Drejtore e Departamentit të SME-ve në Raiffeisen Bank Shqipëri

Pasqyrat financiare të bizneseve të vogla dhe të mesme japin më pak informacion për bankat dhe kjo e rrit rrezikun e financimit të tyre. Elira Abeshi, Drejtore e Departamentit të Bizneseve të Vogla dhe të Mesme (SME) në Raiffeisen Bank Shqipëri shprehet se kjo ndikon në norma më të larta të interesi për këto biznese.

Një tjetër sfidë, sipas saj, është vështirësia e bizneseve për të ofruar një kolateral të vlefshëm për bankën. Shpërndarja gjeografike e këtyre bizneseve, veçanërisht në zona më periferike, shpesh e bën të vështirë përmbushjen e kërkesave për kolateral të mjaftueshëm sipas standardeve bankare.Sipas saj, në vitet e fundit, është vënë re një përmirësim i ndjeshëm në formalizimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, i nxitur nga disa faktorë kyç, si fiskalizimi, detyrimi për të kanalizuar më shumë transaksione përmes llogarive bankare, ulja e komisioneve për pagesat brenda vendit, si dhe avancimi i shërbimeve digjitale.

Në muajt e fundit, Guvernatori i Bankës e Shqipërisë ka kërkuar nga bankat rritjen e mbështetjes për biznesin e vogël dhe të mesëm. Cilat janë problematikat kryesore që kufizojnë aksesin e bizneseve të vogla dhe të mesme në huanë bankare?

Problematikat kryesore që kufizojnë aksesin e bizneseve të vogla dhe të mesme në huanë bankare lidhen me faktin që pjesa më e madhe e tyre jane biznese të vogla që nuk janë të detyruara të mbajnë dhe depozitojnë pasqyra financiare. Bankat marrin vendimmarrjen e tyre bazuar në më pak informacion zyrtar në dispozicion (Formulari i Deklarimit të Tatimit të Thjeshtuar të Fitimit) gjë që rrit riskun që banka merr përsipër dhe ndikon dhe në normat e interesit për këto financime.

Një tjetër sfidë është mundësia për të ofruar një kolateral të vlefshëm për bankën. Shpërndarja gjeografike e këtyre bizneseve, veçanërisht në zona më periferike, shpesh e bën të vështirë përmbushjen e kërkesave për kolateral të mjaftueshëm, sipas standardeve bankare.Në Raiffeisen Bank, Biznesi SME është në fokus të strategjisë sonë të rritjes duke filluar që nga viti 2020. Për të tejkaluar vështirësitë që hasim në kreditimin e këtyre bizneseve kemi zhvilluar produkte të cilat marrin në konsideratë madhësinë dhe problematikat e tyre duke u fokusuar më shumë në produkte të pakolateralizuara.

Vëreni përmirësime në drejtim të formalizimit dhe në ç’masë vazhdojnë të ofrojnë bizneset e vogla dhe të mesme “bilance të dyta” për të përfituar kredi bankare?

Vitet e fundit, është vënë re një përmirësim i ndjeshëm në formalizimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, i nxitur nga disa faktorë kyç, si fiskalizimi, detyrimi për të kanalizuar më shumë transaksione përmes llogarive bankare, ulja e komisioneve për pagesat brenda vendit, si dhe avancimi i shërbimeve digjitale. Këto ndryshime kanë ndihmuar në rritjen e transparencës financiare dhe kanë krijuar një mjedis më të favorshëm për kreditim Në Raiffeisen Bank, ne financojmë bazuar vetëm në informacionet e deklaruara pranë autoriteteve përkatëse, duke garantuar një proces të strukturuar, transparent, si dhe një portofol cilësor kredie.

Vazhdimisht kemi zhvilluar produkte të personalizuara, të përshtatura për nevojat e bizneseve të vogla, përfshirë ato që deklarojnë vetëm Tatimin e Thjeshtuar të Fitimit. Duke ofruar financime të përshtatshme për bizneset e vogla dhe të mesme, synojmë të lehtësojmë aksesin në kredi dhe të mbështesim rritjen e tyre.Besojmë se ky angazhim i vazhdueshëm do të ndihmojë gradualisht në formalizimin e mëtejshëm të sektorit dhe në krijimin e një baze më të qëndrueshme për zhvillimin e ekonomisë vendase.

Nga marrëdhëniet tuaja të biznesit, si e vlerësoni ecurinë e SME-ve në vitet e fundit dhe si është pozicionuar ky segment në ciklin pozitiv të ekonomisë pas pandemisë?

Segmenti SME ka pasur një rritje të qëndrueshme, duke luajtur një rol kyç në rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Në Raiffeisen Bank, ky segment ka shënuar rritje me shifra dyshifrore vit pas viti, tejkalues i mesatares së tregut, duke reflektuar qasjen tonë të dedikuar për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme.Besojmë se SME-të janë një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare, duke kontribuar ndjeshëm në punësim dhe zhvillim rajonal. Për këtë arsye, ky segment mbetet një ndër prioritetet kryesore të strategjisë sonë, dhe ne po vazhdojmë të investojmë në produkte financiare të personalizuara dhe shërbime të avancuara për të lehtësuar rritjen dhe zgjerimin e tyre. Përmes kësaj qasjeje, synojmë të forcojmë edhe më tej pozitën e SME-ve në ciklin pozitiv të ekonomisë.

Në cilët sektorë ekonomikë paraqitet më e lartë kërkesa për kredi nga SME-të dhe për çfarë qëllimesh kërkojnë zakonisht kredi këto biznese?

Kërkesa për kredi nga SME-të është e diversifikuar si në aspektin e sektorëve ekonomikë, ashtu edhe në qëllimet e financimit. Bizneset e vogla dhe të mesme kërkojnë financim kryesisht për kapital qarkullues, investime në rritjen e kapaciteteve, blerje ambientesh biznesi, si dhe për modernizimin e pajisjeve dhe teknologjisë.Gjithashtu, kërkesa për financim është e shpërndarë në mënyrë të balancuar, me një prani të lartë në bujqësi, turizëm, ndërtim, tregti dhe shërbime. Këto biznese kërkojnë mbështetje financiare për të forcuar pozicionin e tyre në treg dhe për të përfituar nga mundësitë e zgjerimit, duke kontribuar kështu në rritjen dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë.

Si e vlerësoni programin e shpallur së fundi Bankës së Shqipërisë për nxitjen e kreditimit të bizneseve të vogla dhe të mesme? Besoni se mund të jetë një shtysë e efektshme për të rritur kreditimin e këtyre ndërmarrjeve?

Nisma më e fundit e Bankës së Shqipërisë patjetër që do të ketë një impakt pozitiv në rritjen e kërkesës për kreditim të këtyre bizneseve dhe në uljen e kostove të financimit për to. Ky segment luan një rol kyç në zhvillimin ekonomik dhe ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme nga sektori bankar dhe grupet e interesit. Nisma të tilla, së bashku me procesin e formalizimit të bizneseve, ndihmojnë në reduktimin e barrierave financiare, duke krijuar kushte më të favorshme për rritjen dhe qëndrueshmërinë e tyre.

  • Intervistë
  • 6 min lexim