Bizneset SE: Produktet
Përmes një stafi të specializuar dhe një rrjeti të gjerë degësh të shpërndarë në të gjithë vendin, Raiffeisen Bank u ofron klientëve të saj konsulencë lidhur me përdorimin e transaksioneve të Financave Tregtare për reduktimin e riskut të marrëveshjeve të tyre tregtare me partnerët ndërkombëtare. Ne kemi një numër të konsiderueshëm bankash korrespondente të klasit të parë, të shpërndara në të gjithë botën, të cilat veprojnë si partnerët tanë dhe na ndihmojnë për të arritur një performancë të suksesshme në transaksionet e Financave Tregtare.
- 1. Letër Kredia/ Kredia Dokumentare
- 2. Garancia Bankare
- 3. Dokumente për Arkëtim
Çfarë ofrojmë për klientët SE?
Lëshimin e Letër Kredive të Importit
Njoftimin e Letër Kredive të Eksportit
Këshillim të klientëve për transaksionet e Letër Kredive nga një staf i specializuar
Kredia Dokumentare ose ndryshe Letër Kredia është një instrument pagese i lëshuar nga një bankë me kerkesën e klientit të saj. Pagesa e një Letër Kredie kryhet kundrejt prezantimit të setit të kërkuar të dokumenteve, i cili duhet të jetë në përputhje me kushtet e vendosura në të. Letër Kreditë janë një instrument më i sigurt dhe më efektiv në kryerjen e pagesave në transaksionet e tregtisë ndërkombëtare. Përdorimi i Letër Kredive nuk kufizohet vetëm në kryerjen e pagesave për blerjen e mallrave, por gjithashtu edhe për blerjen e shërbimeve dhe implementimin e projekteve speficifike.
Letër Kreditë e Importit lëshohen nga Banka Raiffeisen në rastet kur klientët e saj blejnë (importojnë) mallra ose shërbime nga partnerët e tyre. Në këtë lloj transaksioni banka Raiffeisen merr përsipër një angazhim të pakthyeshëm, për llogari të klientit të saj, për të paguar përfituesin, kundrejt prezantimit nga ana e këtij të fundit të setit të dokumenteve plotësisht në përputhje me kushtet e vendosura në Letër Kredi.
Letër Kreditë e Eksportit Në rastet kur klientet tanë shesin (eksportojnë) mallra ose shërbime ne sugjerojmë që pagesa nga blerësit në favorin e tyre të kryhet përmes një Letër Kredie. Në këtë rast banka Raiffeisen merr Letër Kredinë e lëshuar në favorin e klientit të saj me mesazh Swift-i ose me Letër, nga banka e blerësit (banka lëshuese).
Letër Kreditë janë subjekt i Rregullave Standarde dhe Praktikës për Kreditë Dokumentare (Publikimi i ICC nr.600)
Avantazhet:
Përdorimi i Letër Kredisë si mjet pagese ofron avantazhe për të dyja palët e përfshira në transaksion, importuesin dhe eksportuesin.
- Blerësi (Importuesi) sigurohet se pagesa për vlerën e mallit ose shërbimit do të kryhet vetëm pasi Shitësi (Eksportuesi) të prezantojë në bankë setin e dokumenteve në përputhje me kushtet e vendosura në Letër Kredi.
- Shitësi (Eksportuesi) nuk ka nevojë të investigojë lidhur me aftësinë paguese të Blerësit (Importuesit) duke qenë se risku që lidhet me kryerjen e pagesës në këtë transaksion është transferuar nga Blerësi te Banka Lëshuese / Banka Konfirmuese.
- Shitësi (Eksportuesi) do të lëvroje mallin ose do të kryejë shërbimin vetëm pasi të ketë marrë dhe pranuar Letër Kredinë e lëshuar në favorin e tij, në përputhje me kushtet e rëna dakord mes palëve dhe të specifikuara në Marrëveshjen Tregtare të lidhur me Blerësin (Importuesin).
Për çfarë duhet të kenë kujdes palët?
- Letër Kredia si transaksion është e shkëputur dhe e pavarur nga shitja dhe/ose marrëveshja tregtare mbi të cilën ajo bazohet. Bankat nuk janë në asnjë mënyrë të lidhura apo të varura nga kjo marrëveshje pavarësisht faktit se Letër Kredia mund t’i bëjë reference kësaj marrëveshje.
- Në transaksionin e Letër Kredise bankat kujdesen vetëm për dokumentet që prezantohen, por ato në asnjë mënyrë nuk përfshihen në procese që kanë të bëjnë me mallrat, shërbimet ose performancën me të cilën këto dokumente lidhen. Si rrjedhim, angazhimi i bankës për të paguar, negociuar ose për të përmbushur çdo detyrim tjetër për Letër Kredinë është i lidhur me dokumentet e prezantuar për këtë Letër Kredi.
Dokumentacioni i kërkuar
Për të nisur procedurën e lëshimit të një Letër Kredie në bankën Raiffeisen, klienti duhet të depozitojë në bankë një kopje të skanuar të marrëveshjes tregtare të firmosur mes palëve ose faturën paraprake (Proforma Invoice) të lëshuar nga Shitësi.
Alternativat e Financimit
Letër Kreditë mund të financohen me kolateral cash të siguruar nga aplikanti ose aplikanti mund te aplikojë për një linjë financimi në bankën tonë.
Çfarë ofrojmë për klientët SE?
Garancia Bankare është një angazhim i pakthyeshëm me shkrim i bankës lëshuese (garantori), i lëshuar në emër të aplikantit dhe në favorin e palës përfituese, për të kryer pagesën deri në shumën e specifikuar në garanci në favorin e përfituesit, kundrejt marrjes së një kërkese të rregullt për pagese, me shkrim nga përfituesi, në rastin e mospërmbushjes nga ana e aplikantit të detyrimit që është objekt i kësaj garancie.
Garancitë Bankare janë subjekt i Rregullores Standarde të Garancive Bankare (URDG), Botimi ICC Nr. 758 i cili zëvendësoi rregulloren e mëparshme URDG Nr. 458. Megjithatë URDG NR.458 nuk përjashtohet nga përdorimi nëse palët e përfshira, aplikanti dhe përfituesi, bien dakord për përdorimin e saj.
Lëshim të llojeve të ndryshme të Garancive Bankare direkt në favor të përfituesve brenda dhe jashtë vendit duke përfshirë:
- Garanci Pagese – lëshohet për llogari të aplikantit për të garantuar pagesën e mallrave dhe shërbimeve në favor të përfituesit
- Garanci për pagesë paraprake (Parapagimi) – lëshohet për llogari të aplikantit për të garantuar përdorimin e shumës së parapaguar në përputhje me kontratën
- Garanci Oferte - lëshohet për llogari të aplikantit për pjesëmarrje në tender
- Garanci Kontrate - lëshohet për llogari të aplikantit për të garantuar përmbushjen e detyrimeve kontraktuale
- Garanci për Magazine Doganore
- Lëshim të llojeve të ndryshme të Garancive Bankare Indirekte - lëshohen nga banka në favorin e klientit të saj me kërkesë të një banke korrespondente (banka e aplikantit) për llogari të klientit të kësaj të fundit, nën përgjegjësinë e saj të plotë me kundërgarancinë e kësaj banke
- Hartim të teksteve të garancive - Ne i përshtasim tekstet e garancive me detajet e marrëveshjes suaj. Me kërkesën tuaj ne do të jemi të gatshëm t’ju suportojmë për hartimin e tekstit të garancisë që në fazën e negocimit të kontratës, çka mund të shoqërohet edhe me përfitime të tjera për ju ose partnerët tuaj.
- Njoftim të garancive bankare të mbërritura - Ne ju transmetojmë garancitë bankare të lëshuara në favorin tuaj nga banka të tjera – tekstet e garancive kontrollohen nga specialistët tanë për të evidentuar nëse ato përmbajnë ndonjë kusht të pafavorshëm për ju. Në rast se ju kërkoni të kryeni një kërkesë për pagesë nën një garanci bankare të mbërritur në favorin tuaj dhe të njoftuar nga ana jonë, ne do të jemi në dispozicionin tuaj për t’ju ndihmuar me këtë kërkesë.
Dokumente për Arkëtim (Documentary Collection) është një instrument pagese sipas së cilës eksportuesi dërgon në bankën e importuesit dokumente të cilat lidhen me një dërgesë të veçantë mallrash së bashku me instruksionet përkatëse për pagesë.
Mënyrat e pagesës
Në këto transaksione bankat ndërmjetësojnë vetëm përmbushjen e instruksioneve për pagesë, por nuk mbajnë përgjegjësi për kontrollin e dokumenteve të eksportuesit.