Tiranë, 29 Maj 2024: Njoftim për media
Teknologjia dhe e ardhmja: Konferenca Cloud Connect 2024 në Shqipëri
- Për herë të parë Raiffeisen Group organizoi në Shqipëri konferencën e katërt Cloud Connect
- Mbi 400 kolegë nga bankat e rrjetit dhe AWS, si dhe me mbi 200 pjesëmarrës u bashkuan në Tiranë në këtë event
Nga data 22-24 maj 2024, Raiffeisen Bank Shqipëri pati kënaqësinë të organizonte për herë të parë në Shqipëri konferencën e katërt të Raiffeisen Group, Cloud Connect. Ky event mblodhi së bashku mbi 400 kolegë nga bankat e rrjetit dhe AWS, si dhe më shumë se 200 pjesëmarrës në Tiranë. Në konferencë ishin të pranishëm 9 folës kryesorë dhe u organizuan 18 sesione të ndara me tematika të ndryshme si dhe një panel diskutimi.
Qëllimi i Cloud Connect ishte të bashkonte teknologjinë, biznesin, si dhe të mësuarit, duke ndarë inovacionin e vazhdueshëm brenda grupit si një forcë frymëzuese që forcon lidhjet midis teknologjisë, përvojës së klientit dhe të bërit biznes, drejt realizimit të misionit dhe vizionit tonë të përbashkët.
Gjatë dy ditëve të para folësit kryesorë ndanë përvojat, ekspertizën dhe njohuritë e tyre mbi teknologjinë cloud, se si kjo teknologji me shpejtësinë dhe qëndrueshmërinë e saj ndikon në biznes në shumë aspekte. Gjithashtu kolegët u bashkuan në sesione paralele dhe thelluan njohuritë në tematika dhe sfida specifike me qëllimin për të zbatuar këto risi në zhvillimet e biznesit.
Dita e fundit iu dedikua temës “gaming”, krijimit të lojërave, ku mbi 100 kolegë, mentorë, organizatorë e më gjerë u angazhuan në sfida dhe aktivitete të ndryshme ekipore në Rivierën e bukur të jugut, në South Outdoor Festival në Borsh. Përveç lojërave AWS dita u mbyll me një prezantim mbi inovacionin e qëndrueshëm dhe rolin e teknologjisë në arritjen e tij.
Në fjalimin e tij mirëseardhës, CEO i Raiffeisen Bank Shqipëri z. Christian Canacaris, tha: "Gjatë këtyre dy dekadave, ne në Raiffeisen Bank kemi qenë arkitektët e ndryshimit në sektorin financiar të Shqipërisë, duke sjellë inovacione dhe duke vendosur standarde që të tjerët synojnë të ndjekin.". Z. Erion Serti, anëtar bordi për Operacionet dhe Teknologjinë e Informacionit shtoi: "Ndërsa shikojmë përpara, kuptojmë se ky udhëtim nuk ka të bëjë vetëm me atë se ku mund të na çojë teknologjia, por me qëndrimin besnik ndaj asaj që ka më shumë rëndësi: shërbimi më i mirë ndaj klientëve tanë çdo ditë." Znj. Elisabeth Geyer-Schall, Drejtore e IT Core Grupit RBI, Data & Platforma, deklaroi: "RBAL bëri ndryshime të mëdha dhe të qëndrueshme në teknologji dhe cloud, prandaj ne e zgjodhëm Shqipërinë si pararojë për organizimin e këtij eventi kaq të rëndësishëm." Konferenca u përshëndet gjithashtu në një lidhje të drejtpërdrejtë nga z.Andreas Gschwenter, CIO/COO i RBI.
Cloud Connect event shënoi një moment të rëndësishëm, duke përkuar me 20 vjetorin e Raiffeisen Bank në Shqipëri. Gjatë eventit, anëtarët e Bordit të RBI dhe RBAL theksuan përkushtimin e bankës ndaj inovacionit dhe edukimit të vazhdueshëm financiar duke nxitur ndryshimin dhe zhvillimin teknologjik në sektorin financiar.
----------------------------------------------------------------------------
Raiffesien Bank Shqipëri është pjesë e grupit Raiffeisen Bank International me seli në Vienë, Austri. Raiffeisen Bank operon në tregun shqiptar prej vitit 2004 dhe është një nga bankat lider në industrinë bankare. Banka ofron një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh komerciale në 4 pikat kyçe të biznesit që operon - klientët individë, bizneset mikro, ndërmarrjet e vogla (SE) dhe korporatat dhe ju shërben më shumë se 461,000 klientëve. Raiffeisen On, kanali digjital është platforma më inovative bankare në treg si edhe më e përdorura. Misioni ynë është të transformojmë inovacionin e vazhdueshëm në eksperiencë të shkëlqyer për klientët me vizionin që të jemi grupi më i rekomanduar për shërbimet financiare. www.raiffeisen.al