Raiffeisen Bank nënshkruan kontratën me Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave


30.1.2018

Raiffeisen Bank dhe Agjencia Shqiptare e Sigurimit të Depozitave kanë nënshkruar kontratën, ku Raiffeisen Bank është një nga bankat agjente e përzgjedhur fituese pas procedurës së kryer për këtë qëllim, në kuadrin e rregullores "Për kompensimin e depozitave të siguruara", e miratuar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë me urdhër nr.  3762, datë 18.07.2016. Nëpërmjet kësaj procedure, Raiffeisen Bank është një ndër tre bankat e përzgjedhura në listën paraprake për kryerjen e pagesës së depozituesve të siguruar në procesin e kompensimit.

Kontrata u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank, Z. Christian Canacaris dhe Z. Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave.

Banka agjente është një element shumë i rëndësishëm në procesin e kompensimit, nëse lind nevoja për një proces të tillë në të ardhmen. Banka agjente do të jetë banka që do të paguajë depozituesit në emër të Agjencisë, në rast se një anëtar subjekt i skemës së sigurimit të depozitave kalon në likuidim të detyrueshëm me vendim të Bankës së Shqipërisë (Autoriteti Mbikëqyrës).