Shëndetësia & Sociale

Gjatë vitit 2020 ishte e rëndësishme për ne që të mos shpërqendroheshim nga objektivat afatgjatë të bankës sonë, por edhe të gjithë Grupit RBI, për një Zhvillim të Qëndrueshëm të shoqërisë dhe një Banking të Përgjegjshëm duke respektuar parimet globale për një botë më të mirë.

Prandaj gjatë këtij viti mbështetem aktivitete që sollën një impakt pozitiv në lidhje me përmirësimin e kushteve shëndetësore në disa zona të vendit, mbrojtjen e mjedisit, promovimin e arsimit, mbështetjen ndaj shtresave te margjinalizuara, edukimin e brezave nëpërmjet artit, mbështetëm projekte dhe praktika që synojnë përmirësimin e jetesës dhe promovimin e një shoqërie te qëndrueshme.

Raiffeisen Bank edhe për këtë vit përfaqëson një nga shoqëritë me angazhimin më të madh në përgjegjësinë sociale të korporatës duke mbështetur 90 projekte, 74% e të cilave përputhen me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të vendosura nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (SDGs).

Në vëmendje të veçantë ishte sektori i shëndetësisë, si një prej sektorëve me të rëndësishëm dhe me nevoja më urgjente, ku kontributi i dhënë ishte mjaft i konsiderueshëm dhe kishte një impakt të matshëm dhe të menjëhershëm. Përmendim këtu mbështetjen e dhënë për Ministrinë e Shëndetësisë me një fond për të blerë aparatura respiratore për të sëmurët me Covid-19 që në muajt e parë të pandemisë. Vijojmë me rehabilitimin e Urgjencës së spitalit të Lushnjes, pajisjen me sistem kondicionimi të repartit të pediatrisë së spitalit rajonal Fier, rikonstruksionin e pavionit të pediatrisë në spitalin Sarandë. Gjithashtu mbështetjen me aparatura dhe materiale mbrojtëse ndaj pandemisë për spitalin rajonal Durrës, Spitalin Skrapar, spitalin e Kukësit dhe Korçës por edhe qendrat spitalore në Vlorë dhe Bulqizë si edhe fushatën e ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit tek femrat. Një nga traditat e rëndësishme të Bankës Raiffeisen prej disa vitesh tashmë është bashkëpunimi me Kryqin e Kuq Shqiptar për sa i përket Fushatës së Dhurimit të Gjakut për fëmijët talasemike. Për të mbështetur këtë kauzë më datë 2 tetor një pjesë e stafit të bankës dhuruan gjak duke respektuar të gjitha masat kundër Covid-19.

Projekte të tjera të rëndësishme që u përkrahën në fusha të ndryshme të cilat vlen t’i sjellim në vëmendje janë: mbështetja e inovacionit nëpërmjet konkursit mbarëkombëtar të teknologjisë “ICT Awards”, nxitja e sportit me mbështetjen e Komitetit Olimpik Kombëtar shqiptar për fazën përgatitorë të sportistëve për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike në Tokyo 2020, mbështetja e Muzeut Kombëtar ku Banka Raiffeisen bëri të mundur krijimin e aplikacionit Smart-Audio Guide. Ndërsa për shtresat e margjinalizuara veçojmë projektin unik të Qendrës “Visium” për digjitalizimin e librave për të verbërit, projektin “Babagjyshi sekret” i cili gjatë festave të fund vitit mundësoi dhurata për fëmijët e varfër apo iniciativa “Skuadra e elfëve të verdhë”, me anë të së cilës u ndihmuan 10 familje në nevojë në qytete Elbasan, Shkodër, Krujë dhe Lushnje, me ushqime dhe veshmbathje vullnetarisht nga vetë stafi i bankës.

Raiffeisen Bank në Shqipëri e konsideron shumë të rëndësishme Përgjegjësinë Sociale të Korporatës dhe si e tillë do të fuqizojë orientimin strategjik me qëllimin për tu bërë pioniere e Zhvillimit te Qëndrueshëm të shoqërisë e vendin tonë.