Intervistë me Gentian Capo,
Drejtor i Operacioneve në Raiffeisen Bank Shqipëri

Raiffeisen Bank e konsideron miratimin e ligjit të ri për shërbimet e pagesave, si një mundësi për rritjen e bazës së klientëve, si dhe shtimin e volumeve të pagesave. Në një intervistë për revistën “Monitor”, drejtori i Operacioneve, Gentian Capo, thotë se Raiffeisen Bank nuk e sheh ligjin e ri si një sfidë për pozitat e bankave, por si një mundësi për krijimin e një tregu bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës të pagesave, i mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe eficiente dhe nga një gamë e gjerë e instrumenteve dhe shërbimeve të pagesave. Z.Capo shprehet se pandemia e ktheu dixhitalizimin në domosdoshmëri për sektorin bankar. Sipas tij, regjistrimet në platformën dixhitale të Raiffeisen Bank, u rritën me 36%, ndërsa transaksionet përmes saj u rritën në 20%.
Që nga fillimi i janarit ka hyrë në fuqi ligji i ri për shërbimet e pagesave. Çfarë ndikimi prisni të ketë ligji në tregun e pagesave në vend?
Me hyrjen në fuqi të Direktivës së Rishikuar të Shërbimit të Pagesave (PSD2), në janar 2018, vërehen ndryshime të rëndësishme në Europë, për sa u përket sistemeve të pagesave. Ky transformim, fatmirësisht ka trokitur edhe në dyert e sistemit financiar shqiptar, pasi Kuvendi miratoi ligjin e ri “Për shërbimet e pagesave”. Në tërësinë e tij, ky ligj bën një përafrim domethënës me direktivën e rishikuar për shërbimet e pagesave (PSD2) të BE dhe vlen të theksohet në këtë rast se ky zhvillim europian, po bëhet shumë shpejt pjesë e sistemit ekonomik në Shqipëri. Natyrisht, kjo sepse industria bankare mbetet sektori më i rregulluar, më inovativ dhe agile për të financuar dhe për t’u përshtatur me ndryshimet.
Nga studime të ndryshme është evidentuar se ekonomia shqiptare karakterizohet nga problematikat e një përdorimi të lartë të parasë fizike dhe përfshirja e ulët financiare. Në këto kushte, miratimi i ligjit të ri për pagesat, është i mirëpritur, pasi objektivat kryesore të tij janë nxitja e përdorimit intensiv të instrumenteve moderne të pagesave, duke synuar arritjen e rreth 10 pagesave në vit “jo me para fizike” për frymë, deri në fund të vitit 2022, si dhe të shtohen mundësitë për aksesin në llogaritë e pagesave, duke arritur një raport të zotërimit të llogarisë në nivelin 70% të popullsisë madhore, deri në vitin 2022. Efektet kryesore të ligjit në tregun e pagesave në vend janë kryesisht në tre drejtime - nxitja e konkurrencës dhe krijimi i shërbimeve financiare inovative; - mbrojtja më e mirë e konsumatorit; dhe - zgjerimi i përfaqësimit të institucioneve ofruese të shërbimeve të pagesave, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ligji parashikon kërkesa më të forta për sigurimin e transparencës ndaj klientëve dhe në raport me këtë kërkohet nga subjektet që të krijojnë struktura dhe të hartojnë procedura për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve me klientët e tyre konsumatorë. Raiffeisen Bank Shqipëri është duke punuar në këtë drejtim, me synim që të sigurojë një transparencë maksimale ndaj klientëve, ngritjen e strukturave të posaçme që do të mundësojnë shqyrtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis konsumatorëve dhe bankës si ofrues i shërbimeve të pagesave.
Cilat janë sfidat dhe mundësitë që shtron ligji i ri për bankat tregtare? Çfarë risish mund të sjellë në qasjen e bankave ndaj shërbimeve të pagesave?
Raiffeisen Bank e konsideron miratimin e ligjit si një mundësi për rritjen e bazës së klientëve, si dhe shtim të volumeve të pagesave. Në këtë këndvështrim, hyrja në fuqi e ligjit, natyrshëm do të ndikojë në rritjen e konkurrencës midis subjekteve që do të ofrojnë shërbimet e pagesave, por, nga ana tjetër, do të ndikojë në rritjen e shumëllojshmërisë së shërbimeve të pagesave, si dhe në kostot dhe të ardhurat prej tyre. Si rezultat i uljes së komisioneve për shërbimet që do të ofrohen nga subjektet, nga njëra anë, dhe rritjes së bazës së klientëve/numrit të transaksioneve, nga ana tjetër, ne vlerësojmë që efekti i ekonomisë të shkallës (economy of scale) do të jetë pozitiv.
Raiffeisen Bank është identifikuar prej fillimit si banka e risive në sistemin bankar shqiptar, duke sjellë standarde e shërbime të banking-ut modern, ndaj nuk e konsiderojmë praninë e ligjit si sfidë, por si një mundësi për krijimin e një tregu bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës të pagesave, të mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe eficiente, dhe nga një gamë e gjerë e instrumenteve dhe shërbimeve të pagesave. Meqenëse kuadri rregullator lejon dhe orienton zhvillimet, ne do të përballemi dhe do të shijojmë më shumë mundësi për pagesa dixhitale dhe nëpërmjet celularëve në periudhën e ardhshme. Pritshmëria është që pajisjet celulare, të kenë një përdorim shumë më të madh jo vetëm për veprimtaritë e përditshme bankare, por sidomos për transaksionet e pagesave. Me pak fjalë, ndryshimet që sjell ligji janë jo vetëm të mirëpritura, por i shohim si të nevojshme për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut dhe aktorëve të interesuar, përfshirë dhe konsumatorët.
Shqipëria është ekonomi me përdorim shumë të lartë të parasë cash. Pse ndodh kjo dhe si mund të nxitet përdorimi i formave alternative të pagesave?
Studimet e Bankës Botërore tregojnë se ekonomia shqiptare karakterizohet nga një përdorim i lartë i parasë cash dhe përfshirja e ulët financiare. Një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve ekonomike në Shqipëri është e paregjistruar e për rrjedhojë, paralelisht me ekonominë joformale lulëzon edhe ekonomia e cash-it. Ka disa faktorë që ndikojnë në përdorimin shumë të lartë të parasë cash, edhe pse pagesat cash kanë koston më të lartë krahasuar me ato me kartë debiti/ krediti apo pagesat në formë letër, ndër të cilët: shkallë e ulët e ndërgjegjësimit të publikut / konsumatorit për përdorimin e mjeteve jo cash; faktorë të infrastrukturës së sistemit bankar; hezitim nga subjektet e shitjes me pakicë për përdorimin e kartave si mjet pagese, për shkak dhe të kostove që mbartin; një nivel i lartë i informalitetit në ekonomi, stimulon bizneset të mos përdorin bankat si kanale për kryerjen e pagesave, me qëllimin final shmangien e detyrimeve fiskale ndaj shtetit; në disa raste, subjektet që operojnë në ekonominë informale, që shmangin taksat e për rrjedhojë edhe transaksionet bankare, e bëjnë këtë gjë për të siguruar pozita të favorshme në treg (çmime më të ulëta se konkurrentët që paguajnë detyrimet fiskale); problemet infrastrukturore, ligjore dhe të rendit; mungesa e disa shërbimeve bankare që lehtësojnë kryerjen e transaksioneve, si nga individët, ashtu edhe nga bizneset dhe/ose kostot relativisht të larta nxisin individët dhe bizneset që të parapëlqejnë përdorimin e cash-it; përdoruesit mund të mos ndihen shumë të sigurt për të përdorur menjëherë instrumentet e reja të pagesave, e lidhur kjo edhe me mungesën e reputacionit të sigurisë. Politika dhe skema nxitëse të qeverisë dhe biznesit (si p.sh., skema nxitëse fiskale dhe monetare, por edhe modele inovative biznesi të mbështetura nga teknologjia) mund jenë të dobishme për të rritur përdorimin e pagesave elektronike. Përpjekjet për të luftuar informalitetin janë gjithashtu të rëndësishme në këtë drejtim, duke ditur që informaliteti dhe paraja cash kanë një marrëdhënie simbioze.
Nga të dhënat e deritanishme, sa e ka ndikuar pandemia përdorimin e pagesave elektronike nga publiku shqiptar?
Pandemia ka pasur ndikime të rëndësishme në të gjitha aspektet e shoqërisë. Industria bankare ishte gjithashtu një nga industritë më të goditura, por njëkohësisht një ndër të paktat që vijoi të ofrojë shërbimet e saj për individët dhe bizneset. Situata e pandemisë ka ndryshuar sjelljen e publikut shqiptar dhe bankat u përshtatën mjaft mirë dhe e “shtuan marshin” për të ecur më shpejt në rrugën drejt destinacionit të banking-ut në internet dhe dixhital. Proceset e dixhitalizimit, për të cilat bankat si institucionet më novatore në ekonominë shqiptare, kishin vite që përgatiteshin, janë rritur në mënyrë eksponenciale. Nga një “opsion” para pandemisë, dixhitalizimi u kthye me shpejtësi në domosdoshmëri për industrinë bankare.
Raiffeisen Bank është zgjedhur si banka më novatore në Shqipëri, sipas sondazheve të kënaqësisë së klientëve tanë. Gjatë kësaj kohe, regjistrimet në platformën dixhitale të Raiffeisen Bank - Raiffeisen ON, u rritën me 36%, transaksionet nëpërmjet saj u rritën në 20%, transaksionet në internet (si p.sh. pagesat e shërbimeve, mbushjet e celularëve, pajtimet në internet etj.), u rritën 64%. Prandaj bankat duhet të shohin drejt mundësive të reja që sjell dixhitalizimi për të ardhmen, duke i lënë vështirësitë mbrapa. Që ky ndryshim të jetë i qëndrueshëm, ai duhet të fillojë nga brenda organizatës, dhe i gjithë biznesi duhet të përfshihet në këtë ndryshim. Për këtë arsye transformimi agile është vendimtar sot për bankat, ndryshimet sot ndodhin shumë shpejt, si nga sjellja e konsumatorëve, ashtu dhe nga aktorët që ofrojnë shërbimet financiare.
Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave po punojnë për një sërë projektesh të lidhura me shërbimet e pagesave, si shlyerja kombëtare e transfertave në euro, apo instant payments dhe sistemi kombëtar i card switch. Sa mund ta ndihmojë realizimi i këtyre projekteve zhvillimin e pagesave elektronike në vend?
Duke njohur kostot tepër të larta, të cilat i mbart përdorimi i bankave korrespondente për pagesat në valutë brenda vendit, Raiffeisen Bank nxit nevojën për ndërhyrje të mundshme në treg, nëpërmjet skemës së shlyerjes kombëtare të transfertave në euro, gjë që do të sillte përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët shqiptarë, duke ju dhënë më shumë mundësi zgjedhjeje për të kryer transaksionet e tyre të përditshme, në mënyrë të lehtë dhe me kosto efektive.
Një tjetër zhvillim mund të ishte instant payment, apo skema e debitimit direkt për tregun shqiptar, që do të sillte përfitime të shtuara, si nga perspektiva e konsumatorit, ashtu edhe ajo e biznesit, duke mbështetur objektivin e një përfshirjeje më të gjerë financiare.
Mendojmë se jemi të vonuar lidhur me nevojën e operacionalizimit të payroll-it kombëtar të Administratës Publike, që do të sillte rritjen e efikasitetit të tregut dhe nxitjen e mëtejshme të konkurrencës.