Nje Qytetar Nje Peme , Raiffeisen Bank nderohet me medaljen e arte


29.6.2009

Bashkia Tiranë me rastin e ditës së Tokës (22 prill) organizoi një ceremoni falënderimi për të gjithë ata individë dhe biznese që kanë kontribuar në projektin e iniciuar nga kjo bashki “Një Qytetar – Një Pemë”. Një projekt “i gjelbër” që synon gjelbërimin e qytetit të Tiranës. Falë mbështetjes së gjerë që arriti kjo iniciativë u bë e mundur që në qytetin e Tiranës të mbillen më shumë se 8000 pemë gjatë vitit 2008. Gjithashtu këtë vit kjo bashki synon që të rrisë edhe me 4000 numrin e pemëve të mbjella në Tiranë për të arritur në shifër prej 12,000 pemësh. Kryetari i bashkisë, Z. Edi Rama shprehu vizionin e bashkisë së Tiranës e cila synon që në vitin 2010 të rrisë numrin e pemëve të mbjella në kryeqytet në 20,000.

Në skenën e improvizuar në lulishten pranë bashkisë Tiranë u zhvillua kjo ceremoni falënderimi ku u shpërndanë dhe çmime simbolike për të gjithë sponsorët. Në varësi të kontributit të dhënë për mbjelljen e pemëve u ndanë disa medalje falënderimi, të arta, të argjendta dhe të bronzta. U ndanë 7 medalje të arta, ky natyrisht Raiffeisen Bank u nderua me medaljen e artë për mbështetjen që i dha bashkisë së Tiranës në iniciativën ‘Një Qytetar – Një pemë”. Të pranishëm nga banka jonë në këtë aktivitet ishin, Znj. Vilma Baçe, Drejtore e Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun, dhe Z. Alban Çomaçka, Drejtor i Rajonit të Tiranës. Znj. Baçe mori çmimin në emër të Raiffeisen Bank. “Është një nder për Raiffeisen Bank që merr pjesë në iniciativa të tilla. Natyrisht që ne do të jemi të pranishëm edhe në iniciativa të tilla të ngjashme në të ardhmen” deklaroi Znj. Baçe gjatë fjalës së saj përshëndetëse në momentin e marrjes së medaljes së artë.