Raiffeisen Bank ofron tashme per bizneset sherbimin e pranimit te pagesave me karta ne internet


22.1.2013

Raiffeisen Bank Shqipëri njofton lançimin e shërbimit të pranimit të pagesave me karta në Internet. Raiffeisen Bank është banka e parë në tregun vendas që e ofron një shërbim të tillë.

Ky shërbim u ofrohet bizneseve dhe u jep atyre mundësinë e pranimit të pagesave me karta në Internet si dhe njëkohësisht u ofron kartëmbajtësve një mënyrë të re dhe të lehtë për blerjen e produkteve dhe shërbimeve të cilët shiten në tregun vendas me anë të Internetit.

Me shërbimin e pranimit të pagesave me karta nëpërmjet Internetit të ofruar nga Raiffeisen Bank Shqipëri, çdo biznes vendas i cili ushtron aktivitet edhe në Internet, do të ketë mundësinë të pranojë pagesa me karta VISA, VISA Electron, MasterCard, Maestro, MasterCard Electronic të lëshuara nga çdo bankë në mbarë botën. Në këtë mënyrë këta biznese do t’i ofrojnë produktet dhe shërbimet e tyre për të gjithë klientët në mbarë botën që vizitojnë faqen e tyre të Internetit dhe zotërojnë një kartë të markës Visa ose MasterCard.

Duke marrë shërbimin e pranimit të pagesave me karta nëpërmjet Internetit të ofruar nga Raiffeisen Bank Shqipëri, biznesi që ushtron aktivitetin e tij në Internet do të bëhet menjëherë pjesë e programeve të sigurisë ‘Verified by VISA’ dhe  ‘MasterCard SecureCode’. Të dy këta programe ofrojnë nivelet më të lartë të sigurisë së pagesave, teknologjinë e Sigurisë 3-D. Kjo teknologji ofron standartin më të avancuar të sigurisë së pagesave, një nxitje e fortë për rritjen e besimit ndërmjet kartëmbajtësve lidhur me pagesat e sigurta si edhe rritjen e volumeve të bizneseve që pranojnë këto pagesa.

Raiffeisen Bank Shqipëri synon të ofrojë këtë shërbim për të gjithë bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri duke nxitur rritjen e standarteve të biznesit me karta si edhe të pranimit të tyre në tregun vendas. Ky shërbim ka një potencial të madh zhvillimi dhe ofron avantazhe të dukshëm për bizneset dhe kartëmbajtësit.

Tashmë blerja me kartë ne faqen e internetit të një biznesi vendas bëhet e mundur nga Raiffeisen Bank Shqipëri!

Raiffeisen Bank Shqipëri është banka më e madhe në vend dhe zë vendin e parë në të gjithë treguesit kryesorë të performancës. Totali i aseteve të saj është afro 2 miliardë Euro. Raiffeisen Bank International bleu Bankën e Kursimeve në Shqipëri në 2004 dhe gjatë 7 viteve të kaluara e ka transformuar plotësisht Bankën e vjetër Shtetërore në një bankë me shërbime të plota që i shërben të gjithë sektorëve të biznesit dhe klientëve individë. Portofoli i kredisë është rritur nga zero që ishte në 2004 në 966  milion Euro ne fund te 2011.

Transformimi tani ka përfunduar dhe Banka ofron një gamë produktesh, procesesh, sistemesh dhe infrastrukturë degësh që krahasohen me standardet Evropiane të shekullit të 21-të.

Për më shumë informacion, lutemi kontaktoni: Departamentin e Biznesit me Karta/Divizioni i Biznesit me Karta dhe Bankingu Elektronik, Tel: +355 4 2 381 381, [email protected]

Mbi Raiffeisen Bank Shqipëri: www.raiffeisen.al