Raiffeisen Bank Sponsorizon Blerjen e Materialeve Spitalore


11.12.2013

Tirane

Raiffeisen Bank Sponsorizon Blerjen e Materialeve Spitalore
për Diagnostikimin e të Sëmurëve dhe Nevojat e Klinikës Onkologjike në QSUT

                                                                                                                       

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, priti sot (25/11/2013) në një takim z. Christian Canacaris, Drejtorin e Përgjithshëm të Raiffeisen Bank në Shqipëri, me rastin e nënshkrimit të një marrëveshjeje sponsorizimi ndërmjet bankës dhe Ministrisë së Shëndetësisë të përfaqësuar nga znj. Ogerta Manastirliu, Drejtore e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, për blerjen e materialeve spitalore, si kite dhe reagentë të nevojshëm për diagnostikimin e të sëmurëve për nevojat e klinikës onkologjike pranë QSUT-së.

Ministri Beqaj, pasi e falënderoi z. Canacaris për ndihmën dhe angazhimin konkret, si dhe projektet e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Raiffeisen Bank, e njohu bashkëbiseduesin me prioritetet dhe projektet që Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë në përputhje me programin e ri qeverisës. Gjithashtu, edhe z. Canacaris, tha se “është një kënaqësi për mua të dei që nëpërmjet nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje me Ministrinë e Shëndetësisë më shumë njerëz do të përfitojnë nga diagnostikimi në QSUT.”

Sipas kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi, Raiffeisen Bank merr përsipër përballimin e shpenzimeve me një vlerë prej 30,000 EUR për blerjen e materialeve spitalore, si kite dhe reagentë të nevojshëm për diagnostikimin e të sëmurëve për nevojat e klinikës onkologjike pranë QSUT-së. Z. Canacaris shprehu gatishmërinë për të ndihmuar me projektet dhe prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë, duke thënë se “ne jemi në dijeni të situatës në këtë sektor kaq sensitiv, prandaj edhe reaguam pozitivisht ndaj kërkesës suaj duke qenë se dëshirojmë të japim kontributin tonë modest në rigjallërimin e këtij sektori.”

Duke folur për prioritetet e punës së Ministrisë së Shëndetësisë për punën në katër vitet e ardhshme, z. Beqaj vuri theksin në dy projektet e mëdha, siç është ai i kontrollit bazë falas një herë në vit për grupin moshor 40-60 vjeç, dhe ai i ndërtimit të një shërbimi kombëtar të urgjencës. Gjithashtu, Ministri Beqaj shpjegoi edhe prioritet e punës lidhur me projektet e rehabilitimit të qendrave shëndetësore dhe mundësinë e donacioneve për projektet që lidhen me rritjen e shkallës së transparencës dhe përgjegjeshmërisë së sistemit të kujdesit shëndetësor në vend.

Ne kemi mbështetur projekte të ndryshme në këtë drejtim nëpër të gjithë vendin. Unë besoj fuqimisht që sistemi shëndetësor në Shqipëri do të përmirësohet sepse shoh angazhim të lartë dhe kontributin e njerëzve që punojnë në këtë sistem, vazhdoi më tej Drejtori i Raiffeisen Bank.“Banka jonë  do të vazhdojë bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë nëpërmjet projekteve që kanë ndikim direkt në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe në vitin që vjen,” tha z. Canacaris.