Raiffeisen Bank sponsorizon Unionin Anglisht Foles


28.10.2009

Raiffeisen Bank sponsorizoi aktivitetin e Unionit Anglisht Folës të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Britani e Madhe. Nëpërmjet këtij aktiviteti synohej lançimi i English Speaking Union në Shqipëri si një organizatë që do të intensifikojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe do të japë një kontribut shumë të çmuar në vazhdimin e projektit të ndërmarrë nga qeveria shqiptare për vendosjen e gjuhës angleze si gjuhë primare në sistemin shkollor shqiptar. Ky aktivitet përkoi edhe me themelimin e Unionit Anglisht Folës në Shqipëri

Raiffeisen Bank duke synuar gjithmonë që të jetë e pranishme pranë aktiviteteve që synojnë dhe kanë për qëllim të ndihmojnë në zhvillimin e arsimit dhe kanë një ndikim pozitiv në jetën e të rinjve shqiptar mbështeti financiarisht këtë aktivitet.

Pjesëmarrës nga Raiffeisen Bank ishte Drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun, Znj. Vilma Baçe. Gjithashtu në ceremoninë e organizuar me rastin e themelimit të Unionit të Anglofonëve të Shqipërisë, përveç kryeministrit shqiptar, Z. Sali Berisha  ishin të pranishëm dhe Lordi Alan Watson, kryetar i Unionit Botëror të Anglofonisë, ambasadorja e Britanisë së Madhe në Shqipëri, zonja Fiona Mcllwham, delegatë të anglofonisë nga mbarë bota, anëtarë të Dhomës Britanike të Tregtisë, nxënës, studentë dhe pedagogë.

“Sot është një ditë e veçantë pasi festojmë 1 vjetorin e krijimit të English Speaking Union në Shqipëri. Sot më shumë se 80 % e të rinjve shqiptarë flasin gjuhën angleze, kjo dhe për faktin e iniciativës së ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të futur këtë gjuhë si gjuhë primare në sistemin shkollor dhe unë gjej rastin të falënderoj, Zotin kryeministër. Ne do të punojmë së bashku me të rinjtë dhe do t’u afrojmë atyre mundësinë që të jenë sa më të përgatitur për sfidat e të ardhmes dhe të japin një kontribut të çmuar për vendin”, përfundoi fjalën e tij, kryetari i Dhomës së Tregtisë e Industrisë Shqipëri – Britani e Madhe, Bashkim Zeneli.

“Është një privilegj që jam këtu sot para jush për të marrë pjesë në këtë aktivitet. Jam i bindur që Shqipëria si një vend me histori të pasur dhe me tradita do të dijë të përfitojë nga burimet që do të vejë në dispozicion English Speaking Union për të përmirësuar njohuritë e tyre. Gjuha angleze është bërë shumë e domosdoshme në komunikimin e përditshëm dhe shqiptarët janë një popull i zgjuar dhe do të dinë ta ndërtojnë të ardhmen. Unë shpresoj dhe besoj se Shqipëria do të jetë së shpejti në familjen e mëdha Evropiane dhe shpresoj që kjo të ndodhë shumë shpejt. Patjetër që ky union do të japë ndihmën e tij që kjo ëndërr të realizohet sa më shpejt: - deklaroi gjatë fjalës së tij Lordi Watson

Kryeministrit Berisha, përgjatë kësaj ceremonie zyrtare, iu dorëzua certifikata “Kryetar Nderi i Unionit” nga Lordi Watson, ndërsa ky i fundit u shpreh se, “Unioni do të ndihmojë në mënyrë të veçantë të rinjtë shqiptarë për të përmirësuar dhe zhvilluar njohuritë e tyre në gjuhën angleze, për tu afruar sa më shumë me bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë vendet e botës”.

Pas fjalëve përshëndetëse, në vijim, Kryeministri Berisha tha se, “kam kënaqësinë që marr pjesë në një ngjarje kulturore shumë të rëndësishme për vendin”.

Kryeministri theksoi gjithashtu se, “promovimi i gjuhës angleze është promovimi i një gjuhe globale, e cila çdo ditë e më tepër po përzgjidhet si gjuha e komunikimit ndërkombëtar”.