BERZH në partneritet me Raiffeisen për mobilizimin e kredidhënies në Shqipëri


22.12.2020

  • BERZH ofron garanci për deri në 100 milionë € për Raiffeisen Bank në Shqipëri
  • Instrumenti i ri mbështet kreditë e reja në shumëfishin e shumës së garancisë
  • Përgjigje novatore ndaj krizës Covid-19 me angazhim në shkallë të gjerë për kreditimin e gjelbër

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Raiffeisen Bank International (RBI), dhe Raiffeisen Bank Albania (RBAL) bashkojnë forcat për të zhbllokuar kredidhënien për bizneset shqiptare në një kohë që vendi po përballet me ndikimin ekonomik të pandemisë së Koronavirusit.

Sipas mekanizmit novator të ri të Garancisë për Rritjen, BERZH ofron për RBAL një garanci të pafinancuar deri në vlerën 100 milionë € në ekuivalentin e monedhës vendase të lidhur me portofolin e obligacioneve qeveritare në monedhë vendase. Nga ana e saj, RBAL do të përdorë kapacitetin e çliruar nga sipërmarrja e riskut nga ky angazhim për të rritur kredidhënien për ekonominë reale në shumëfishin e shumës së garancisë.

Kreditë e subvencionuara sipas kësaj skeme do të përqendrohen në mbështetjen e bizneseve të vogla të shëndosha, të cilat janë thelbësore për ekonominë e Shqipërisë. Të paktën 10 milionë euro në ekuivalentin e monedhës vendase do të alokohen për projekte të gjelbra që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të vendit.

Paralelisht, BERZH prezanton një program bashkëpunimi teknik të dedikuar me Bank of Albania, banka qendrore në vend, e përqendruar në përafrimin e kujdesshëm të kuadrit ligjor në përputhje me atë të bankave në Bashkimin Evropian. Programi mbështetet nga Fondi i Bashkëpunimit Teknik ODA - Luksemburg dhe mbështet punën e tij në përputhje me Vienna Initiative, ku BERZH dëshmon për rolin e saj aktiv në ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare të vendeve në zhvillim të Evropës, duke promovuar harmonizimin rregullator të bankave në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Z. Jürgen Rigterink, Zëvendës President i Parë i BERZH u shpreh: “BERZH ka kënaqësinë të prezantojë një produkt të ri sot, i cili trajton çështjet kyçe për përmirësimin e aksesit në financa në një kohë kur ruajtja e ecurisë së aktivitetit të shoqërive është më e ngutshme se kurrë. Ne jemi shumë të lumtur që edhe një herë të bashkojmë forcat me partnerin tonë të vjetër Raiffeisen. Besimi dhe respekti që kemi ndërtuar në shumë vite bashkëpunimi tashmë na lejon të ndërmarrim një hap të madh përpara dhe jemi të bindur që e sotmja shënon pikënisjen e një sipërmarrjeje tjetër të përbashkët.“

"Ne jemi entuziastë që bashkëpunojmë me BERZH me këtë produkt novator në mënyrë që të mbështesim ekonominë reale në rajon dhe të ndihmojmë në financimin e projekteve të qëndrueshme," u shpreh CEO i RBI Z. Johann Strobl. "Partneriteti ynë dëshmon për forcën dhe përfitimin e bashkëpunimit me të tjerët dhe të menduarit jashtë kornizave në kohë krizash, kur zgjidhjet e shpejta dhe efektive janë më shumë se kurdoherë të nevojshme.”

Z. Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank Albania, u shpreh: “Jemi të kënaqur që jemi në partneritet me BERZH në këtë projekt novator. Aftësia e bankave vendase për të mbështetur rritjen e korporatave të suksesshme dhe sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat përfaqësojnë shtyllën e ekonomive në Ballkanin Perëndimor, shpesh has kufizime nga rregulloret në fuqi. Ky lehtësim financiar do të forcojë kapacitetin e RBAL për të promovuar nxitjen e financimin të sektorit privat dhe për të përmbushur nevojat financiare të klientëve të përzgjedhur. Për më tepër, përmes kësaj marrëveshje, ne përforcojmë më tej mbështetjen tonë për avancimin e financimit të teknologjive të gjelbra në Shqipëri, duke ndikuar kështu në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.“

Deri më tani, BERZH ka investuar gati 1,5 miliardë euro në 104 projekte në Shqipëri. Strategjia e Bankës në vend përqendrohet në qeverisjen, konkurrencën dhe përfshirjen e sektorit privat, diversifikimin e energjisë dhe tranzicionin drejt niveleve të ulëta të karbonit.