Kreditë me probleme mund të rriten lehtë, por bankat janë në pozita të forta


14.11.2022

Inflacioni i lartë dhe ngadalësimi i ekonomisë mund të sjellë rritje të lehtë të kredive me probleme, por ajo pritet të jetë e lehtë dhe e menaxhueshme.

Genta Ciceri, Drejtore e Shitjeve dhe Rrjetit të Degëve në Raiffeisen Bank Shqipëri, mendon se edhe vitin e ardhshëm, raporti i kredive me probleme nuk do të jetë shumë larg niveleve aktuale.

Sipas saj, parashikimi mbështetet në pritshmëritë për rritje ekonomike pozitive dhe për vijim të zgjerimit të kredidhënies, ndonëse me ritme disi më të ngadalta se ato që po regjistrohen këtë vit.

Znj. Ciceri shton se bankat janë të shëndetshme dhe të mirëkapitalizuara, çka i vendos në një pozicion të mirë për të përballuar goditjet e mundshme që mund të vijnë nga përkeqësimi i cilësisë së portofolit të kredisë.

 

Inflacioni i lartë pritet të sjellë efekt negativ në ritmet e rritjes së PBB-së dhe në fuqinë paguese të agjentëve ekonomikë. Besoni se situata në fjalë shtron rreziqe reale për rritje të raportit të kredive me probleme? Sa kohë mund të duhet për të parë efekte negative në cilësinë e portofolit të kredisë?

 

Është e vërtetë që inflacioni i lartë prek sidomos shtresën me vulnerabël të shoqërisë dhe ndikon në ngadalësimin e ritmit të rritjes ekonomike për shkak të dekurajimit për konsum dhe investime private. Megjithatë, ne mbetemi optimistë që rritja ekonomike do të vazhdojë të qëndrojë pozitive në vitin 2023 dhe inflacioni të shënojë nivele pak më të ulëta krahasuar me ato të këtij viti. Ne gjykojmë që edhe kredidhënia vitin e ardhshëm do të vazhdojë të shënojë ritme të mira, por lehtësisht më të ulëta se ato aktualisht.

Deri në gusht, kredidhënia totale në sektorin bankar ka shënuar rritje vjetore 12.5%, e ndërkohë kredidhënia për individë ka shënuar ritme të larta vjetore prej 13.7%, pavarësisht që inflacioni ka shënuar ritmet me të larta prej më shumë se 20 vitesh, duke shkuar në 8.1% në shtator.

Ritmi i lartë i kredidhënies, masat për uljen e kredisë me probleme, por dhe kujdesi i shtuar në mbështetjen me kredi të individëve dhe bizneseve me aftësi të mira kthimi, ka ulur kredinë me probleme në sistem, në nivelet më të ulëta që prej fundit të vitit 2008.

Sot, niveli i kredisë me probleme ndaj totalit të kredisë në total ka arritur në 5.2%. Niveli ka njohur vetëm përmirësim, pavarësisht se vendi ka qenë nën influencën e presioneve të vazhdueshme inflacioniste gjatë gjithë vitit aktual.

Duke qenë se pritshmëritë tona për rritjen ekonomike dhe nivelin e kredidhënies mbeten pozitive, ne besojmë që cilësia e portofolit të kredisë do të shfaqë përkeqësim të lehtë vitin e ardhshëm, por gjithmonë pranë niveleve aktuale.

Mbi të gjitha, duhet thënë se bankat janë të shëndetshme, të mirëkapitalizuara dhe fitimprurëse, që i vendos ato në një pozicion të mirë për të përballuar goditjet të cilat vijnë nga përkeqësimi i aseteve joperformuese.

 

Në këndvështrimin tuaj, cilat segmente të klientëve huamarrës mund të jenë më të ndjeshëm ndaj pasojave të inflacionit të lartë dhe rritjes së normave të interesit?

 

Teorikisht, segmenti i individëve, kryesisht ata me të ardhura të ulëta dhe bizneset e vogla i ndiejnë më parë dhe më shumë pasojat e inflacionit të lartë, por banka jonë ka qenë e kujdesshme për të analizuar aftësinë paguese të kredimarrësve të saj dhe do të qëndrojë vigjilente edhe në vazhdim.

 

Në Deklaratën e fundit të Stabilitetit Financiar, Banka e Shqipërisë vlerëson se muajt në vijim mund të jenë sfidues për ekonominë shqiptare, për shkak të ndikimit që mund të përcjellë situata e pafavorshme energjetike dhe bankat mund të përballen me ulje të mëtejshme të fitimit e ndoshta, edhe me humbje financiare. Si e vlerësoni situatën e lidhur me efektet e shtrenjtimit të energjisë në kostot e prodhimit dhe në aktivitetin e biznesit? Çfarë masash po merrni për t’u përballur me skenarë të mundshëm negativë në portofolat tuaj?

 

Bizneset prodhuese dhe industriale që energjinë elektrike e kanë pjesë të rëndësishme të kostove të tyre operacionale, e sidomos ato biznese që dalin në treg të lirë për të siguruar energjinë elektrike, do të sfidohen vitin e ardhshëm. Konsumatori final do të ndiejë kosto të shtuara gjithashtu. Nga ana tjetër, investimet në produkte me eficiencë energjie do të jenë në fokus të bizneseve. Banka jonë i mbështet këto lloj investimesh me kushte të favorshme, në linjë me strategjinë e saj afatgjatë të grupit për një zhvillim të qëndrueshëm.

Garancitë sovrane për të përballuar këtë situatë mund të jenë një tjetër instrument i përshtatshëm, apo programet e ndryshme nga institucione financiare ndërkombëtare si BERZH, etj.

 

Sipas statistikave sektoriale, deri tani inflacioni i lartë dhe rritja e ndjeshme e normave të interesit nuk po japin efekt të dukshëm në ritmet e huadhënies. Kur mendoni se mund të fillojmë t’i shohim pasojat e kësaj situate në ecurinë e kreditimit të ekonomisë?

 

Sikurse tregojnë edhe shifrat, kredia ka njohur ritme përshpejtimi gjatë këtij viti, pavarësisht nga inflacioni i lartë dhe fillimi i ciklit shtrëngues të politikës monetare që tregon kërkesë të shëndetshme për kredi. Megjithatë, meqenëse inflacioni bazë ka shënuar rritje të konsiderueshme duke treguar për presione inflacioniste me bazë të gjerë dhe në rritje, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë marshin drejt normalizimit të politikës monetare për të sjellë në objektiv inflacionin në dy vitet në vazhdim. Kjo mund të ndikojë në zbehje të lehtë të kërkesës për kredi vitin e ardhshëm.

 

A keni filluar të aplikoni kritere më të kujdesshme të huadhënies, qoftë të shprehura në çmim (rritje e normave të interesit) apo kushtet e tjera jo çmim (raporti i këstit ndaj të ardhurave, mbulimi me koletaral, etj.)?

 

Raiffeisen Bank është e kujdesshme në analizën e situatës ekonomike në vend dhe perspektivën për të, aftësinë paguese të kredimarrësve dhe politikave të saj për standardet e kreditimit për bizneset dhe individët.

Qasja “agile”, ose e thënë ndryshe “qasje e zhdërvjellët” , “proaktive” që banka jonë ka përqafuar dhe e ka pasur në fokus tre vitet e fundit, i jep përparësi për t’iu përgjigjur ndryshimeve dhe dinamikave të reja të tregut me fleksibilitet dhe shpejtësi, duke pasur klientin dhe nevojat e tij në vëmendje.

Njëkohësisht, strategjia “smart pricing”, që do të thotë realizimi i një qasje më të personalizuar të riskut, që ne në Raiffeisen Bank po punojmë, do të ofrojë mundësi të mira për një kredidhënie të shëndetshme, në mbështetje të ekonomisë dhe aktivitetit ekonomik, në një vit të brishtë të pritshëm.

Ashtu siç e thashë më lart, parashikimet për rritjen ekonomike dhe stabilizimi i inflacionit janë pozitive. Këto janë sinjale të mira edhe për sektorin bankar.

 

Këtë vit, normat e interesit po rriten me ritme më të shpejta se ato që parashikohen zakonisht në skenarët bazë të analizave të ndjeshmërisë (stress-testeve). Cilat janë sfidat kryesore që shtron për bankat tregtare rritja e shpejtë e normave të interesit?

 

Bankat mund të përballen me konkurrencë të ashpër në ambientin e ri sfidues, mund të ketë presion të shtuar mbi marzhet e bankave lidhur me kredidhënien.

Klientët, po ashtu, do të kërkojnë përvoja superiore dhe udhëzime praktike gjatë kësaj sfide.

Ndërkohë, lufta kundër ndryshimeve klimatike paraqet një mundësi për bankat të mbështesin korporatat për të kaluar drejt emetimeve zero karbon.