Raiffeisen Bank në krye të transformimit digjital


4.5.2021

Christian CANACARIS

Drejtor i Përgjithshëm

Raiffeisen Bank Shqipëri

 

  1. Si do ta vlerësonit ecurinë e bankës suaj gjatë vitit 2020? Cilat do të veçonit si arritjet më domethënëse dhe sfidat kryesore në aktivitetin tuaj?

Pavarësisht pasojave të shkaktuara nga pandemia Raiffeisen bank ruajti një performancë të shëndoshë financiare, me një fitim neto prej 2.1 miliardë lekësh(ose rreth 16.9 milion euro). Aktivet e bankës në vitin 2020 shënuan një rritje prej 6.2 % në nivel vjetor duke mbetur banka e tretë me e madhe në vend me 15.3% të volumit të aktiveve në treg. Po kështu banka rriti nivelin e depozitave me 8.3% nga viti në viit dhe mbeti lider në kredidhënien për segmentin e individëve me 20.5% të totalit të kredisë dhënë këtij segmenti. Banka Raiffeisen është banke e mirëkapitalizuar dhe në një pozicion të shkëlqyeshëm likuiditeti. Raporti i mjaftueshmerisë së kapitalit të bankës u rrit ndjeshëm mbi 24% në fund të vitit 2020, shumë më lart sesa mesatarja e tregut prej 18.6%. Për këtë arsye ne kemi hyrë në vitin 2021 me një bilanc të shëndoshë për t'i bërë ballë çdo rënie të mundshme të cilësisë së kredive në vitin e ardhshëm.

Sfidat kryesore janë të ngjashme me ato që e gjithë industria bankare europiane po përballet. Sektori bankar vazhdon të operojë në një ambient me norma të ulëta interesi që sjell presion tek të ardhurat financiare. Gjithashtu, konkurrenca e shtuar, nevoja për t’iu përshtatur rregulloreve të reja si dhe ecja me ritëm të shtuar drejt “bankës së të ardhmes” janë disa faktorë të tjerë që e kanë bërë që bankat të operojnë në një mjedis sfidues edhe pa pandeminë.

Për më tepër mbyllja e menjëhershme e vendit gjatë tremujorit të dytë solli nevojën e përshtatjes së punonjësve tanë e sidomos atyre që punojnë në degët e bankës duke vënë në plan të parë mirëqenien e tyre fizike si parakusht për çdo vijim të mëtejshëm të aktivitetit. Gjatë vitit që kaloi, Raiffeisen ka ofruar dhe siguruar një shërbim profesional për klientët e saj nëpërmjet të gjithë rrjetit të degëve dhe kanaleve digjitale dhe mendoj se kjo ishte sfida më e madhe për ne. Dëshiroj të falënderoj të gjithë stafin në degë dhe drejtorinë e përgjithshme që kanë punuar me përkushtim për të dhënë një shërbim të shkëlqyer, duke respektuar të gjithë protokollet e sigurisë shëndetësore.

Më vonë me rihapjen e aktiviteteve kryesore në vend dhe në përshtatje të kushteve të pandemisë Raiffeisen arriti të jetë produktive me angazhimin e një pjese te stafit ne zyrë. Në të ardhmen në mënyrë permanente 70% te stafit do të punojë nga zyra dhe me 30% e tij në distance. Banka qëndron në pozicion lider në inovacion dhe 2020 vetëm e ka nxitur të përparojë në këtë fushë.

Raiffeisen gjatë këtij viti ka zhvilluar më tej platformën digjitale Raiffeisen ON duke shtuar funksionalitete të reja dhe kemi arritur tashme një penetrim prej 50% të bazës së klientelës. Ajo ka qenë platforma digjitale më e shkarkuar në Shqipëri që ofron risi teknologjike dhe mundëson kryerjen e shërbimeve bankare online.

Me gjithë rënien e theksuar ekonomike gjatë tremujorit të parë e sidomos të dytë të vitit, banka ka qenë prudente dhe ka menaxhuar me kujdes riskun duke siguruar ulje të volumit të kredive me probleme. Sipas mendimit tim, reformat e ndërmarra nga të gjithë aktorët për të forcuar cilësinë e kredive dhe për të përmirësuar klimën e biznesit kanë pasur një ndikim të madh në përballimin e kësaj situate. Sikur kjo pandemi ta kishte gjetur sektorin bankar me një raport të lartë të NPL-ve dhe pengesave të tjera të biznesit, situata do të ishte më sfiduese.

 

  1. Në këndvështrimin tuaj, cilat ishin ndryshimet më të rëndësishme që solli pandemia në mënyrën e të operuarit dhe/ose në modelin e biznesit të bankave tregtare?

Pandemia vuri në dukje nevojën për të shkuar drejt transformimit digjital me ritëm më të shpejtë dhe nevoja për të punuar sipas modelit të të punuarit “agile” që sjell një vendimmarrje më të shpejtë përsa i përket nevojës për të përmirësuar dhe automatizuar procese sipas nevojës së tregut. Pa inovacione, përmirësime dhe të gjitha investimet teknologjike që kemi ndërmarrë në vitet e fundit do të ishte e vështirë të kapërceje një sfidë të tillë të papritur siç është pandemia. Tregu po përqendrohet gjithnjë e më shumë në inovacion dhe degët po transformohen me një qasje të re tregtare për t'u përqendruar më shumë në aktivitete me vlerë të shtuar të lartë.

Raiffeisen ka përqafuar një model zhvillimi mbështetur drejt transformimit teknologjik dhe inovativ dhe synon të jetë aktori kryesor në qasjen e re që erdhën prej ndryshimeve teknologjike dhe rregulloreve të reja. Një demonstrim për këtë është edhe pjesëmarrja në shumë iniciativa të reja në bashkëpunim më startups dhe kompanitë fintech. Tani jemi në një fazë të konsoliduar të bashkëpunimit tonë inovativ dhe të frytshëm që rrjedh nga shumë programe të tilla si Innovation Lab dhe Elevator Ventures. Ky angazhim për ndryshime inovative është vlerësuar nga klientët tanë. Ne do të vazhdojmë të eksplorojmë kufijtë e teknologjisë edhe në të ardhmen, në mënyrë që të jemi banka më e rekomanduar në vend. Kjo do të bëhet duke ofruar një sërë produktesh të reja, të përparuara për klientët tanë dhe gjithashtu duke promovuar idetë më të mira inovative dhe teknologjike-sipërmarrëse në treg. Në Raiffeisen ata gjithmonë do të gjejnë partnerin e tyre ideal, për të ushqyer dhe rritur idetë e tyre në shërbime fantastike.

Modeli i bankës së së ardhmes po merr formë edhe në Shqipëri. Në periudhën afatmesme, transformimet teknologjike do të ndryshojnë proceset e brendshme të bankave. Organizimi i njerëzve dhe proceseve brenda një banke që do të ndikohet duke çuar në transformimin e linjave të biznesit, kanaleve dhe produkteve për të arritur një produktivitet më të madh. Transformimi digjital do ta zhvendosë punën drejt kanale te reja bankare dhe automatizimi i rritur do të ulë kostot e operimit. Një tjetër komponent i transformimit do të jetë ridrejtimi i planeve ekzistuese të investimeve për tu integruar më mirë me nevojat digjitale dhe të biznesit të bankës. Kjo do të përshpejtojë kohën e daljes ne treg me produkte inovative përmes partneriteteve të ndryshme teknologjike. Në këtë mënyrë do të rritet konkurrenca për shërbime të caktuara. Sipas një studimi nga PwC gati 40% e mbajtësve të llogarive bankare janë të gatshëm të ndajnë të dhënat e transaksioneve me institucione të tjera financiare dhe palë të treta për të marre oferta të personalizuara për financim dhe shërbime të tjera.

Për të dhënë një ide të transformimit që po ndodh tani 1 miliard përdorues përdorën një aplikacion pagese për celular në vitin 2020 dhe mbi 50% e Gjenerates Z tashmë përdorin kuletat digjitale. Pagesat cash në të gjithë botën kanë rënë nga mbi 30% në 2018 në pak më shumë se 20% në 2020. Ato pritet të bien më tej, në 17% në 2022. Pagesat përmes kartave te debitit dhe të kreditit janë ende në rritje, por në një nivel shumë më të ulët se rritja e pagesave me celular. Ky transformim ndodh në një periudhë kur bankat do të vazhdojnë të përballen me rritje të kufizuar të të ardhurave. Prandaj, masat që rrisin aftësitë digjitale të bankave dhe mundësojnë modele më të zhdërvjellëta të funksionimit të cilat do të lejojnë shërbim më të mirë ndaj klientit dhe mundësi më të mëdha të riinvestimit.

Përsa I përket transformimit afatgjatë të sistemit banker fjala kyçe këtu është "data (të dhënat)". Ato përfaqësojnë një mundësi të madhe përfitimi në të ardhmen në raundin tjetër të transformimit dixhital. Bankat kanë një potencial te madh me të dhënat e përdoruesve që ata tashmë posedojnë. Të dhënat janë bërë një mall i vlefshëm që mund të shfrytëzohet për të siguruar njohuri mbi përdorimin e shërbimeve bankare nga ana e klientëve. Interpretimi I tyre është një nga çelësat për të zhbllokuar fuqinë dhe vlerën e të dhënave duke qenë në gjendje të ofrojmë produkte të personalizuara. Ky është revolucioni që unë parashikoj se do të transformojë në mënyrë drastike peisazhin bankar në të ardhmen.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, Raiffeisen nuk ka frikë nga konkurrenca e re digjitale. Përkundrazi, ne e përqafojmë sfidën dhe jemi gati të jemi një lojtar i rëndësishëm në këtë fushë të re të hapur nga ndryshimet teknologjike dhe rregulloret e reja. Një demonstrim i kësaj janë iniciativat e shumta të bashkëpunimit me kompanitë fintech. Tani jemi në një fazë të konsoliduar të bashkëpunimit tonë inovativ dhe të frytshëm që rrjedh nga shumë programe të tilla. Në fakt, rezultatet e arritura në këtë udhëtim transformues vlerësohen pozitivisht nga klientët tanë siç tregohet nga sondazhet tona të rregullta që kryejmë në treg. Nuk është për t'u habitur që Raiffeisen zgjidhet si banka më inovative në Shqipëri.

 

  1. Cilët sektorë apo segmente të kredituar prej jush janë prekur më shumë nga kriza ekonomike? A prisni një përkeqësim me përmasa shqetësuese të cilësisë së portofolit të kredisë dhe, nëse po, kur mund të ndodhë kjo?

 

Pothuaj të gjithë sektorët u përballën me probleme financiare për shkak të krizës ekonomikë nga pasojat e pandemisë. Sektorët më të kredituar të ekonomisë janë shërbimet, ndërtimi, industria prodhuese dhe energjia ku shërbimet kanë peshën dominuese. Siç dihet kjo industri ishte më tepër e prekura duke qenë se kontakti njerëzor është më I pranishëm. Megjithatë duhet thënë që ndërhyrja e qeverise për të mbështetur bizneset dhe individët e prekur nga kriza që solli pandemia si dhe skemat e garancisë sovrane ndihmuan në përballimin e situatës dhe në të njëjtën kohë mbështetën rritjen e kredi dhënies në 2020.  

Moratoriumi i shtyrjes së kësteve të kredisë deri në Gusht 2020 dhe lejimi i ristrukturimit të kredisë pa përkeqësuar statusin e kredi marrësit (shtyrë deri në Mars 2021) si dhe rritja e kredisë në 2020 ka përmirësuar nivelin e kredive me probleme të sistemit bankar nga 8.4% në 2019 në 8.2% në 2020. Përgjatë 2021 pritet një përkeqësim i volumit te ketyre kredive, por me përshpejtimin e procesit të vaksinimit që do të sjellë rikuperimin e ekonomisë përkeqësimi do të jetë i lehtë.

Industritë kryesore të prekura nga kriza dhe që mund të impaktojnë më shumë kreditë me probleme në Raiffeisen Bank janë Hoteleri & Turizem, Shitjet me pakicë të karburanteve dhe transporti. Konsideruar masat e marra nga autoritetet ne nuk parashikojmë përkeqësime shqetësuese në portofolin e kredive.

 

  1. Cilat janë pritshmëritë dhe objektivat tuaja kryesore për ecurinë e biznesit gjatë vitit 2021?

Ne presim zgjerim të aktivitetit bankar dhe kredidhënies. Nga ana tjetër jemi të fokusuar për të qenë banka më e rekomanduar në Shqipëri e për këtë jemi duke punuar për të përmirësuar proceset e brendshme e për t’i transformuar në mënyrë digjitale. Objektivi i Raiffeisen do të vijojë të jetë fokusi tek klientët. Ne duam të ndryshojmë mënyrën e të operuarit duke edukuar klientët me përdorimin e kanaleve digjitale në një nivel të ngjashëm me atë të vendeve të rajonit. Gjithashtu siç e kam theksuar disa herë gjatë kësaj interviste, banka është e lidhur fort me inovacionin, zhvillimet teknologjike të cilat do të mundësojnë rritjen e cilësisë së shërbimit dhe prezantimin e produkteve të reja në treg.

Pritshmëria është që ky vit do të shoqërohet me një ringritje ekonomike dhe Raiffeisen synon të ecë me po këtë ritëm rritjeje në treg. Ne synojmë të mbajmë pozicionin e parë në tregun bankar për kredidhënien për individë, duke zhvilluar veçanërisht produktin “kredi për shtëpi” dhe do të vijojmë financimin e sektorëve strategjike të ekonomisë e projektet e tyre. Në këtë mënyrë ne jemi duke kontribuar më tej në zhvillimin e ekonomisë shqiptare, përafrimin e saj me standardet e BE dhe përmirësimin e mirëqenies së popullsisë. Nëse të gjithë së bashku ecim në këtë drejtim jam i bindur se një e ardhme optimiste e pret Shqipërinë.