Raiffeisen Invest mundëson 150 bursa 6-mujore studimi falas në Tumo për fëmijët nga familjet në nevojë


21.9.2021

Tiranë,

150 fëmijë që vijnë nga familje në nevojë do të përfitojnë bursa 6-mujore studimi falas në programin TUMO Tirana, në qendrën më inovatore për teknologji krijuese në vend. Raiffeisen Invest ka prezantuar programin e bursave dhe kriteret për përfitimin e tyre për grupmoshën 12-18 vjeç, në kuadër të marrëveshjes ndërmjet Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe Bashkisë Tiranë për të siguruar gjithëpërfshirjen e fëmijëve që vijnë nga grupe të margjinalizuara.

Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank, Z.Christian Canacaris i pranishëm në eventin prezantues të bursave u shpreh i lumtur që vëmendja e të rinjve shqiptarë po drejtohet gjithnjë e më shumë drejt inovacionit, pasi dhe shumë kompani po kërkojnë çdo ditë e më tepër njerëz të specializuar në fushat e teknologjisë. “Do jemi të kënaqur t’ju ndihmojmë gjithmonë që të keni të njëjtin edukim me bashkëmoshatarët tuaj në Paris, New Jersey, New York, kudo, sepse ju jeni e ardhmja e Shqipërisë. Ju lutem përdoreni këtë mundësi që keni. Ne do të bëjmë më të mirën tonë që të kemi shumë e më shumë njerëz si ju dhe për të rritur edhe qendrën Tumo,” u shpreh Z.Canacaris

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Z. Erion Veliaj, i pranishëm në këtë event u shpreh se më këtë iniciativë u sigurohet starti i barabartë 150 fëmijëve të cilët nuk kanë sot të njëjtën mundësi me bashkëmoshatarët e tyre për të investuar në dije përmes këtyre programeve inovative.

“Me këto bursa ne sigurohemi që 150 fëmijë që ndoshta vijnë nga një familje me ndihmë ekonomike, nga një familje që i është prishur shtëpia nga tërmeti, apo nga një zonë rurale të kenë të njëjtin shans si çdo fëmijë tjetër. Nëse starti është i barabartë, në finish kush është më i shpejti dhe më i talentuari, kush ka punuar dhe është lodhur më shumë, kush ka më shumë kreativitet le të dalë i pari, por ama startin ta kemi të gjithë të barabartë. Besoj që kontributi bujar i Raiffeisen Invest është pikërisht për këtë, që edhe për 150 fëmijë që vijnë nga këto rrethana ta kenë startin njësoj të barabartë dhe pastaj më i miri patjetër do shpërblehet, do duartrokitet, do vlerësohet dhe sigurisht do kompensohet me biznes, apo me një start-up që mund të hapë,” u shpreh Veliaj.

Objekt i kësaj marrëveshjeje është financimi me 150 bursa për nxënësit që do të frekuentojnë programin TUMO Tirana për nxitjen e aktiviteteve edukative nëpërmjet teknologjisë për nxënës të moshave 12-18 vjeç. TUMO Tirana ka si qëllim krijimin e një ambienti unik, ku nxënësit të ndihen të frymëzuar të zhvillojnë aftësitë në botën digjitale dhe të ndërtojnë baza të forta për të ardhmen e tyre.