Raiffeisen Invest mundëson dy terrene sportive në shkollën “Sabaudin Gabrani”


3.12.2020

Falë mbështetjes së Raiffeisen Invest shkolla “Sabaudin Gabrani” në kryeqytet ka tashmë dy terrene të reja sportive. Në bashkëpunim më Bashkinë e Tiranës është realizuar sistemimi dhe riparimi i fushave ekzistuese, të cilat janë kthyer tashmë në fusha multisportive sipas standardeve dhe normativave teknike më të fundit.

Në përurimin e punimeve, ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank Z. Christian Canacaris, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Z. Erion Veliaj dhe Ambasadori Austriak në Tiranë, Dr. Christian Steiner. Gjatë fjalës së tij Z.Canacaris, theksoi se Raiffeisen do t’i mbështesë gjithmonë investimet që shërbejnë për edukimin sa më cilësor të brezave të rinj.

“Jam shumë i lumtur që jam sot këtu në një tjetër ceremoni me Kryetarin e Bashkisë Z.Veliaj dhe shumë i kënaqur që shoh këto terrene të reja sportive, të cilat do t'u shërbejnë fëmijëve të shkollës, por edhe komunitetit. Zhvillimi i fëmijëve nëpërmjet sportit është shumë i rëndësishëm në ruajtjen e mirëqënies së tyre, si dhe ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme në grup. Fëmijët janë e ardhmja e shoqërisë, kështu që arsimimi i tyre mbetet një përparësi për ne. Sot, Z. Steiner, Ambasadori i Ambasadës Austriake, është bashkuar me ne në këtë ceremoni, për të treguar mbështetjen e tij për projektet e komunitetit. Për një shoqëri të shëndetshme, nxënësit duhet të mësojnë të zhvillojnë aftësitë e tyre në mjedise të mira, prandaj ne financuam rehabilitimin e kësaj zone sportive. Ne, si Raiffeisen Bank dhe Raiffeisen Invest, jemi të përkushtuar të vazhdojmë kontributin tonë në projekte që shtojnë vlerë dhe përmirësojnë jetën e komunitetit në Shqipëri. Së shpejti do të kemi disa aktivitete të reja në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank Z. Canacaris.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e vuri theksin në rëndësinë e sportit dhe jetës së shëndetshme, veçanërisht në këtë situatë pandemie. “Nëse pandemia na mësoi një gjë, ajo është rëndësia e shëndetit, oksigjenimi, aftësimi fizik, lufta kundër obezitetit, diabetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Nëse kalon kjo pandemi dhe nuk nxjerrim asnjë mësim, do të thotë që nuk kemi aftësi të korrigjohemi si shoqëri. Fakti që ne po mbjellim më shumë pemë dhe po ndërtojmë më shumë terrene sportive, do të thotë që kemi mësuar nga kjo eksperiencë dhe po bëhemi si shoqëri më të mirë seç ishim përpara një viti”, u shpreh Veliaj.

Ai ftoi qytetarët që të përqafojnë këto nisma, si dhe të krijojnë mundësi të reja për të shtuar parqet dhe këndet sportive, kudo ku ka nevojë dhe hapësira në blloqet komunitare.  “Bashkia nuk ia del dot vetëm, nëse nuk ka ndihmën e bankave dhe filantropisë, nëse nuk e ka ndihmën e atyre që janë rezidentë, edhe pse përkohësisht, siç janë të gjithë diplomatët e huaj. Kështu që, faleminderit shumë dhe mezi pres të bëjmë akoma më shumë në të ardhmen”, tha Veliaj.

Ndërsa, Ambasadori Austriak në Tiranë, dr. Christian Steiner, vlerësoi gjestin e Bashkisë së Tiranës, e cila u solidarizua me sulmin terrorist në Vjenë, duke veshur të gjithë fasadën me ngjyrat e flamurit austriak. “Dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të falenderuar qytetarët e Tiranës, të përfaqësuar nga kryebashkiaku, për solidaritetin e treguar me Austrinë gjatë nëntorit, pas sulmit të tmerrshëm terrorist në Vjenë. Kujtojmë se fasada e Bashkisë së Tiranës u vesh me ngjyrat e flamurit austriak”, u shpreh ambasadori Steiner.

Falë këtyre investimeve njësia 7 në kryeqytet është bërë më gjithëpërfshirëse dhe më tërheqëse për komunitetin. Në këtë njësi janë realizuar edhe projekte të tjera sportive, si terreni multisportiv në Rr. “Emil Le Grand”, financuar nga Raiffeisen Bank, Raiffeisen Invest, si dhe dy fusha sportive në rrugën e Dafinave, duke transformuar rrënjësisht hapësira dikur të degraduara, në fusha sportive e terrene rekreative për të inkurajuar të rinjtë të bëjnë një jetë sa më aktive.