Mpay Termat dhe kushtet

 KUSHTET E PËRGJITHSHME TË PËRDORIMIT TË SHËRBIMIT MPAY

 

Kushtet e përgjithshme të përdorimit të Shërbimit MPAY (në vijim “Kushtet e Përgjithshme”) shërbejnë për të dhënë një tablo të përgjithshme të të drejtave, detyrimeve si dhe të kushteve për përdorimin e shërbimit të pagesave jo-cash ofruar nga Banka (në vijim “Shërbimi MPAY”) dhe përbëjnë një marrëveshje nga dhe midis Bankës dhe Përdoruesit.

 

  1. PËRKUFIZIME

 

  • Banka – do të thotë Raiffeisen Bank Sh.a. me seli Rr. Kavajës Tiranë, regjistruar me Numrin Unik te Identifikimit te Subjektit (NUIS) J61911005B;
  • Urdhërpagesa - është procesi i kërkesës dhe autorizimit të nisur nga Përdoruesi, i cili përmban kërkesën dhe të dhënat për kryerjen e pagesës përkatëse, përcjellë Bankës. Kur Urdhërpagesa është ekzekutuar në mënyrë korrekte nga Përdoruesi sipas procedurës së parashikuar në Nenin 3 të këtyre Kushteve të Përgjithshme, kjo Urdhërpagesë do të ketë të njëjtën fuqi sikurse urdhëri me shkrim i nënshkruar nga Përdoruesi;
  • Top Up - është procesi i rimbushjes së kartave telefonike celulare me parapagesë;
  • Përdoruesi - është klienti i Bankës, i cili disponon të paktën një llogari rrjedhëse në Lek me Bankën dhe që pasi nënshkruan paraprakisht këto Kushte të Përgjithshme si dhe formularin përkatës, mund të përdorë Shërbimin MPAY në përputhje me to;
  • Tregtari - është çdo person fizik apo juridik, i cili i ofron publikut të gjerë produkte, shërbime me parapagesë dhe/ose shërbime për të cilat ai lëshon fatura detyruese për Përdoruesin, dhe që i ofron Përdoruesit alternativën e pagesës së faturave/shërbimeve nëpërmjet Shërbimit MPAY;
  • Numri personal identifikues (PIN) – është një kod (seri numrash), i cili mundëson njohje unike të Përdoruesit në Shërbimin MPAY;
  • Ditë pune – është çdo ditë e javës nga e Hëna deri të Premten, përveç ditëve të festave zyrtare;
  • Menuja USSD ose Menuja #777# - është menuja e telefonit celular nëpërmjet së cilës Përdoruesit i mundësohet aksesi në dhe përdorimi i Shërbimit MPAY;
  • Aplikacioni MPAY Raiffeisen ose Aplikacioni – është aplikacioni mobil, që mund të shkarkohet dhe përdoret nga telefonat celularë të llojit smartphone ose nga tablet-ët me sistem operues Android ose iOS, nëpërmjet të cilit Përdoruesit i mundësohet aksesi në dhe përdorimi i Shërbimit MPAY;
  • Opsioni i Njoftimit me SMS ose SMS Alert - është njëri prej opsioneve të Shërbimit MPAY, i cili mund të aktivizohet nga Përdoruesi përmes dërgimit të një SMS në numrin 55000 (çmimi i SMS 10 Lek pa TVSH), përmes menusë USSD ose përmes Aplikacionit, në mënyrë që Përdoruesi të njoftohet nga sistemi i Shërbimit MPAY nëpërmjet SMS për detyrimin mujor të faturës përkatëse dhe t’i jepet mundësia që ta paguajë atë duke iu përgjigjur SMS-së;
  • Llogaria - është llogaria në monedhën Lek, që Përdoruesi ka pranë Bankës, e cila do të lidhet me Shërbimin MPAY;
  • Të dhënat personale - do të ketë të njëjtin kuptim si ai i përdorur në Ligjin nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar.

 

  1. PËRSHKRIMI I SHËRBIMIT

 

Shërbimi MPAY i ofruar nga Banka mundëson kryerjen e pagesave dhe/ose blerjen e shërbimeve/produkteve përmes Menusë USSD/SMS Alert/Aplikacionit. Përdoruesi që aktivizon Shërbimin MPAY (“Përdoruesi”) ka mundësi të përfitojë nga ky shërbim për të kryer pagesat e faturave të lëshuara nga Tregtarët dhe/ose të produkteve/shërbimeve të ofruara prej tyre (së bashkut “Pagesat”).

 

Për të përdorur Shërbimin MPAY, numri i telefonit celular të Përdoruesit do të lidhet me llogarinë e këtij të fundit pranë Bankës (“Llogaria”). Përdorimi i Shërbimit MPAY përmes Menusë USSD dhe SMS mund të përdoret nga çdo lloj telefoni celular pavarësisht nga teknologjia apo modeli, ndërsa përdorimi i Shërbimit MPAY përmes Aplikacionit mund të përdoret vetëm nga telefonat celularë të llojit smartphone ose tablet-ë të platformës Android ose iOS.

 

Përdoruesi mund të lëshojë Urdhërpagesa për Pagesat 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Këto Urdhërpagesa do të ekzekutohen në përputhje me oraret e punës së Bankës. Nëse Përdoruesi ka aktivizuar opsionin e “njoftimit” mund të kryejë pagesën e faturave me SMS (“Opsioni i Njoftimit me SMS” ose “SMS Alert”). Me kryerjen e suksesshme të Pagesës, Përdoruesi do të marrë një konfirmim në Menunë USSD, Aplikacion dhe/ose një SMS për konfirmimin e kësaj Pagese.

 

Banka rezervon të drejtën të vendosë oraret në të cilat do të ekzekutohen Urdhërpagesat, pa qenë nevoja për të njoftuar paraprakisht Përdoruesin, për oraret e këtyre veprimeve.

 

  1. PËRDORIMI I SHËRBIMIT DHE KRYERJA E URDHËRPAGESAVE

 

Nëpërmjet Shërbimit MPAY, Përdoruesi, me anë të Urdhërpagesave, autorizon Bankën të transferojë fonde nga llogaria bankare e Përdoruesit për në llogarinë përkatëse të Tregtarit/Tregtarëve për kryerjen e Pagesave të dëshiruara nga Përdoruesi. Shërbimi MPAY mund të përdoret përmes Menusë USSD /SMS dhe/ose përmes Aplikacionit MPAY Raiffeisen.

 

Përdoruesi do të njoftohet nëpërmjet SMS të dërguara në numrin e telefonit celular të tij, i cili njoftohet në momentin e regjistrimit për Shërbimin MPAY, për Tregtarët pjesë e Shërbimit MPAY.

 

Përdoruesi mund të përdorë Shërbimin MPAY vetëm pasi ai të ketë plotësuar kushtet e mëposhtme:

  • Disponon të paktën një llogari rrjedhëse në Lek pranë Bankës;
  • Është mbajtës i një numri telefoni celular ofruar nga njëri prej operatorëve të telefonisë celulare të suportuar nga Shërbimi MPAY në rastin e përdorimit të Shërbimit MPAY përmes USSD/SMS;
  • Është mbajtës i një numri telefoni celular ofruar nga cilido prej operatorëve të telefonisë celulare, në rastin e përdorimit të Shërbimit MPAY përmes Aplikacionit;
  • Ka plotësuar formularin e regjistrimit për Shërbimin MPAY, ka kuptuar dhe ka nënshkruar rregullisht këto Kushte të Përgjithshme;
  • Nuk është subjekt i asnjë pengese ligjore nga legjislacioni në fuqi për përdorimin e këtij Shërbimi.

 

Në çdo rast, Banka rezervon të drejtën për të refuzuar kërkesën e Përdoruesit për aktivizimin e Shërbimit MPAY pa qenë e detyruar të japë arsyet për këtë vendim.

 

Përdoruesi do të pajisë Bankën me çdo dokumentacion origjinal që mund të kërkohet prej saj, në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi, si dhe dokumente të tjera të cilat çmohen si të nevojshme nga Banka për ofrimin e Shërbimit MPAY.

 

Në formularin e regjistrimit për aktivizimin e Shërbimit MPAY, Përdoruesi duhet të zgjedhë Llogarinë, prej së cilës do të transferohet shuma e Urdhërpagesave. Duke dërguar një Urdhërpagesë, Përdoruesi kërkon transferimin e një shume të caktuar prej Llogarisë dhe për këtë qëllim autorizon Bankën të debitojë Llogarinë, kur në të ka fonde te mjaftueshme për të ekzekutuar Urdhërpagesën. Në përputhje me limitet e përcaktuara nga Banka, Përdoruesi mund të lëshojë Urdhërpagesa, shuma e së cilave nuk e tejkalon shumën e fondeve të disponueshme në Llogari, në momentin e ekzekutimit të tyre.

 

Me regjistrimin në dhe aktivizimin e Shërbimit MPAY, Përdoruesit do t’i mundësohet hyrja në Menunë USSD #777# (“Menuja USSD”) dhe hyrja në Aplikacionin MPAY Raiffeisen.

 

Përdoruesi do të ketë mundësinë të aktivizojë Opsionin e Njoftimit me SMS duke dërguar një SMS në numrin 55000 (çmimi për çdo SMS të dërguar do të jetë 10 lekë pa TVSH), përmes Menusë USSD apo përmes Aplikacionit. Me aktivizimin e Opsionit të Njoftimit me SMS, Përdoruesi do të marrë një SMS sa herë që faturat e reja të jenë ngarkuar në sistemin e Tregtarit përkatës si dhe përmes të cilit do t’i njoftohet detyrimi përkatës i muajit paraardhës.  Mesazhi SMS i Njoftimit do të jetë falas për Përdoruesin. Më pas Përdoruesi mund të zgjedhë të kryejë Pagesën e njoftuar duke dërguar një SMS në numrin 55000 (çmimi i SMS do të jetë 10 lekë pa TVSH), ose të kryejë Pagesën nëpërmjet Menusë USSD apo përmes Aplikacionit.

 

Krahas kufizimeve të vendosura nga ligjet përkatëse, Banka rezervon të drejtën e vendosjes së kufizimit ditor të shumave të Urdhërpagesave, si dhe kufizime për shumat që mund të transferohen me anë të një Urdhërpagese, nga Përdoruesi.

 

Banka mund t’i ndryshojë këto kufizime dhe për këto ndryshime do të njoftojë paraprakisht Përdoruesin nëpërmjet formës elektronike e-mail dhe/ose SMS.

 

Përdoruesi mund të përdorë Shërbimin MPAY edhe jashtë rrjetit të mbulimit të operatorit të telefonisë celulare dhe/ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Përdorimi i Shërbimit MPAY në këto kushte do t’i nënshtrohet tarifave të operatorit të telefonisë celulare përkatës.

 

Ekzekutimi i Urdhërpagesave mund të jetë i lidhur direkt me orarin e punës së Bankës, institucionet dhe sistemet e tjera që janë të përfshira, të tilla si sistemet e rregullimit, sistemet e kleringut si SWIFT, ose AIPS dhe/ose AECH.

 

  1. Përdorimi i Shërbimit MPAY përmes Menusë USSD

Menuja USSD #777# është një menu interaktive, që mundëson dërgimin e Urdhërpagesave dhe kryerjen e Pagesave. Për të hyrë në Menunë USSD, Përdoruesi do të pajiset me një kod aktivizimi (“PIN”) i cili do të përdoret vetëm një herë, për hyrjen e parë në Menunë USSD. Menjëherë pas hyrjes së parë në Menunë USSD, Përdoruesi do të vendosë një PIN të ri 4-shifror të personalizuar, të cilin do ta përdorë më pas, sa herë të përdorë Shërbimin MPAY.

 

Nëpërmjet Menusë USSD, Përdoruesi do të mund të dërgojë Urdhërpagesa për Pagesat e ofruara nga Banka. Me marrjen e Urdhërpagesës, Menuja USSD do të shfaqë mesazh lidhur me statusin e Urdhërpagesës. Përdoruesi do të marrë një konfirmim në Menunë USSD dhe/ose me SMS për çdo faturë të paguar nëpërmjet Menusë USSD të Shërbimit MPAY.

 

  1. Përdorimi i Shërbimit MPAY përmes Aplikacionit

Aplikacioni MPAY Raiffeisen është një aplikacion për telefona celularë të llojit smartphone dhe tablet-ë, që mundëson dërgimin e Urdhërpagesave dhe kryerjen e Pagesave, duke ofruar të njëjtat shërbime dhe funksionalitete si Menuja USSD. Ky aplikacion mund të shkarkohet pa pagesë nga dyqanet përkatëse online të aplikacioneve të secilës platformë përkatëse (Android ose iOS) dhe mund të përdoret nga të gjithë Përdoruesit që janë regjistruar në Shërbimin MPAY si më poshtë:

 

  1. Për Përdoruesit e rinj:

Pas regjistrimit për Shërbimin MPAY, Përdoruesi do të marrë kodin e aktivizimit pranë Bankës. Pas shkarkimit të Aplikacionit, Përdoruesi do të hapë Aplikacionin dhe do t’i kërkohet të dhe do të vendosë në të numrin e telefonit celular të tij duke përzgjedhur gjithashtu operatorin e telefonisë celulare përkatëse të cilit i përket numri i tij i telefonit celular. Pas kësaj, Përdoruesit do t’i vijë një SMS me një kod aktivizimi njëpërdorimësh të cilin Përdoruesi do e vendosë në Aplikacion. Më pas, Përdoruesi vendos kodin e aktivizimit të dhënë nga Banka, dhe më pas, vendos PIN-in e ri 4-shifror të personalizuar, të cilin do ta përdorë më pas, sa herë të përdorë Shërbimin MPAY. Pas vendosjes së PIN-it të ri, Përdoruesi mund të hyjë në Aplikacion dhe të fillojë të përdorë Shërbimin MPAY. Përdoruesi do të njoftohet me SMS për pranimin e hyrjes së telefonit celular apo tablet-it të tij në Aplikacion.

 

  1. Për Përdoruesit ekzistues nëpërmjet Menusë USSD të Shërbimit MPAY:

Pas shkarkimit të Aplikacionit, Përdoruesit do t’i kërkohet dhe do të vendosë numrin e telefonit të tij celular duke përzgjedhur gjithashtu operatorin e telefonisë celulare përkatës të cilit i përket numri i telefonit celular të Përdoruesit. Pas kësaj, Përdoruesi vendos PIN- e tij ekzistues të Shërbimit MPAY për të marrë SMS me PIN-in njëpërdorimësh. Pas vendosjes së PIN-it njëpërdorimësh, Përdoruesi mund të hyjë në Aplikacion me PIN-in e tij ekzistues të Shërbimit MPAY dhe të fillojë të përdorë Shërbimin MPAY. Përdoruesi do të njoftohet me SMS për pranimin e hyrjes së telefonit celular apo tablet-it të tij dhe Shërbimit të tij MPAY në Aplikacion.

 

Nëpërmjet Aplikacionit, Përdoruesi do të mund të dërgojë Urdhërpagesa për Pagesat e ofruara nga Banka. Me marrjen e Urdhërpagesës, Aplikacioni do të shfaqë mesazh lidhur me statusin e Urdhërpagesës. Për çdo pagesë të kryer përmes Aplikacionit, Përdoruesi do të marrë një mesazh SMS me konfirmimin e kryerjes së pagesës.

 

Përdoruesi do të mundë të përdorë Aplikacionin vetëm nga një telefon celular ose një tablet në të njëjtën kohë. Në rast se Përdoruesi dëshiron të përdorë Aplikacionin nga një telefon celular apo nga një tablet i ri, atëherë do të kryejë procesin e njohjes SMS-PIN njëpërdorimësh në Aplikacion së këtij telefoni celular apo tablet-i, duke iu dhënë aksesi në këtë tablet apo telefon celular të ri, dhe duke iu hequr aksesi nga ai i mëparshëm.

 

  1. MIRATIMI I PËRDORUESIT PËR PËRDORIMIN E SHËRBIMIT MPAY

Me aktivizimin e Shërbimit MPAY, Përdoruesi konsiderohet se ka pranuar dhe i nënshtrohet, pa përjashtim, gjithë ligjeve dhe rregulloreve si dhe Kushteve të Përgjithshme për përdorimin e Shërbimit, të tashme dhe të ardhshme.

 

Me aktivizimin e Shërbimit MPAY, Përdoruesi pranon dhe jep shprehimisht pëlqimin e tij të marrë, kohë pas kohe, komunikime nga Banka, ku Përdoruesi informohet në lidhje me Shërbimin MPAY.

 

  1. PËRGJEGJËSIA

Përdoruesi i Shërbimit MPAY:

  • Duhet të ruajë numrin personal PIN, i cili mundëson aksesin në Shërbimin MPAY, të mos ia japë atë në shfrytëzim personave të tretë, duke marrë kështu përgjegjësinë e plotë për çdo dëm që do të shkaktohej nga persona të tretë të paautorizuar;
  • Duhet të njoftojë menjëherë Bankën për çdo lloj parregullsie ose mosfunksionimi të Shërbimit MPAY;
  • Duhet të respektojë këto Kushte të Përgjithshme dhe çdo udhëzim tjetër të Bankës;
  • Duhet të njoftojë Bankën për çdo ndryshim në të Dhënat Personale të Përdoruesit, siç janë deklaruar prej këtij të fundit në formularin e regjistrimit;
  • Autorizon Bankën të ekzekutojë çdo Urdhërpagesë të lëshuar nga Përdoruesi nëpërmjet telefonit celular apo tablet­-it të tij.

 

Banka:

  • Garanton cilësinë dhe funksionalitetin e Shërbimit MPAY konform ligjeve dhe rregulloreve të zbatueshme në fuqi;
  • Do të informojë Përdoruesin në një prej mënyrave të njoftimit të parashikuara në këto Kushte te Përgjithshme dhe/ose në formularin e regjistrimit në Shërbimin MPAY për çdo ndryshim në Kushtet e Përgjithshme përpara se këto ndryshime të hyjnë në fuqi. Nëse Përdoruesi nuk i kundërshton me shkrim këto ndryshime brenda 5 (pesë) Ditësh Pune në vijim të këtij njoftimi, ndryshimet e njoftuara do të konsiderohen si të pranuara nga Përdoruesi, në rast të kundërt Përdoruesit i lind e drejta të kërkojë mbylljen e shërbimit MPAY;
  • Do të mbajë përgjegjësi vetëm për ekzekutimin e Urdhërpagesave dërguar nëpërmjet Shërbimit MPAY në rast se Llogaria e Përdoruesit do të ketë fonde të mjaftueshme për të ekzekutuar Urdhërpagesën dhe nëse Urdhërpagesa nuk tejkalon kufijtë e paracaktuar nga Banka, nëse ka. Kjo e fundit do të mbajë përgjegjësi para Përdoruesit në rastin e keqfunksionimit të Shërbimit MPAY për shkak të problemeve teknike që mund të rrjedhin nga ndërveprimi i sistemit të Shërbimit MPAY me sistemet e operatorëve të telefonisë celulare, për pjesën që është nën kontrollin e sistemit të Shërbimit MPAY. Operatorët e telefonisë celulare nuk do të mbajnë asnjë përgjegjësi para Përdoruesit për dërgimin e Urdhërpagesave Bankës, në rast keqfunksionimi të pajisjeve dhe rrjeteve të komunikimeve elektronike. Kjo e fundit nuk do të mbajë asnjë përgjegjësi për keqfunksionimin e pajisjeve dhe rrjeteve të telekomunikacionit që dalin jashtë kontrollit dhe përgjegjësive të veta të drejtpërdrejta, të cilat mund të ndikojnë në çfarëdolloj mënyre në dërgimin e Urdhërpagesës Bankës. Më tej, Banka nuk do të mbajë përgjegjësi për defekte elektronike, mekanike, pamundësi për shkarkimin e të dhënave, viruse apo defekte dhe/ose probleme të tjera që kanë të bëjnë me telefonin celular apo tablet-in e Përdoruesit. Banka nuk mban përgjegjësi për produktet dhe shërbimet e ofruara nga Tregtarët, pagesa e të cilave mundësohet nëpërmjet Shërbimi MPAY;
  • Do të konsiderojë si të vlefshme dhe përfundimtare çdo Urdhërpagesë të dërguar në përputhje me procedurën e detajuar në Nenin 3 të këtyre Kushteve të Përgjithshme. Banka nuk është e detyruar të ndërmarrë veprime shtesë për të verifikuar vërtetësinë e Urdhërpagesës apo identitetin e Përdoruesit, përveç procedurave standarde të përmendura në këto Kushte të Përgjithshme. Urdhërpagesat do të konsiderohen të sakta, të parevokueshme dhe detyruese me marrjen e tyre nga Banka. Përdoruesi mban përgjegjësi të plotë për saktësinë e Urdhërpagesave;
  • Banka do t’i ekzekutojë këto Urdhërpagesa vetëm nëse plotësohen kushtet e përmendura në këto Kushte të Përgjithshme për ekzekutimin e Urdhërpagesave;
  • Në rast të ndonjë rreziku të konsiderueshëm për sigurinë, Banka rezervon të drejtën që në çdo kohë të ndërpresë Shërbimin me qëllim që ta mbrojë Përdoruesin, derisa të mënjanohet rreziku, duke e njoftuar Përdoruesin me SMS.

 

  1. KUJDESI NDAJ PËRDORUESIT

Përdoruesi mund të paraqesë ankesa për parregullsitë e konstatuara gjatë përdorimit të Shërbimit MPAY brenda 5 (pesë) Ditësh Pune nga data e konstatimit të parregullsisë. Ankesat mund të dërgohen sipas mënyrave më poshtë:

  • Duke dërguar një letër me shkrim pranë zyrave të Bankës, përmes postës në adresën: “Raiffeisen Bank sh.a, ETC, Kati 6, BLV Bajram Curri, Tirane”;
  • Duke dërguar një email në adresën: [email protected];
  • Duke plotësuar formën përkatëse në faqen zyrtare www.raiffeisen.al.

 

Banka do të bëjë gjithë përpjekjet për të zgjidhur problemin objekt i ankesës sa më shpejt të jetë e mundur.

 

Nëse Përdoruesit i nevojitet ndihmë për përdorimin e Shërbimit MPAY, apo i lindin pyetje gjatë përdorimit të tij, Përdoruesi mund të kontaktojë Bankën në një nga alternativat e mëposhtme:

  • Duke dërguar një email në adresën: [email protected];
  • Duke telefonuar në numrin: 35542381381.

 

  1. MBLEDHJA DHE PËRPUNIMI I TË DHËNAVE PERSONALE

Banka i mbledh dhe përpunon të dhënat personale të Përdoruesit (të “Dhënat Personale”) vetëm për qëllime të përdorimit të Shërbimit MPAY.

 

Me nënshkrimin e këtyre Kushteve të Përgjithshme, Përdoruesi do të konsiderohet se ka kuptuar, dhe me vullnet të lirë autorizon shprehimisht Bankën të mbledhë dhe përpunojë të dhënat personale të Përdoruesit, të cilat paraqiten në formularin e regjistrimit bashkëngjitur këtyre Kushteve të Përgjithshme, dhe t’ia transferojë ato nënkontraktorit të saj, për aq sa është e nevojshme në përmbushjen e detyrimeve të Bankës sipas këtyre Kushteve të Përgjithshme dhe duke u kujdesur që nënkonktraktori ruan standarte të larta të sigurisë, ruajtjes dhe përpunimit të të dhënave personale.

 

Me nënshkrimin e këtyre Kushteve të Përgjithshme, Përdoruesi do të konsiderohet se ka kuptuar, dhe me vullnet të lirë autorizon shprehimisht Bankën të marrë gjithë informacionin e duhur pranë Tregtarëve, dhe që këta Tregtarë të përcjellin të dhënat lidhur me shumën e faturës përkatëse për t’u paguar nga Përdoruesi vetëm për qëllimet e dhe nëpërmjet kanaleve të shërbimit MPAY.

 

Me nënshkrimin e këtyre Kushteve të Përgjithshme, Përdoruesi do të konsiderohet se ka dhënë pëlqimin e tij të shprehur dhe të qartë për përpunimin e të Dhënave Personale në kuadrin e përdorimit të Shërbimit MPAY.

 

Të Dhënat Personale do të përpunohen më tej ekskluzivisht për qëllimet e aktivizimit, ofrimit dhe përdorimit të Shërbimit MPAY.

 

Përdoruesi është përgjegjës për të informuar Bankën për çdo ndryshim në të Dhënat Personale që ndikojnë në përdorimin e Shërbimit. Për të njoftuar këto ndryshime, Përdoruesi duhet të paraqitet personalisht në një prej degëve të Bankës.

 

Përmes nënshkrimit të këtyre Kushteve të Përgjithshme, Përdoruesi jep pëlqimin e tij të shprehur për të marrë komunikime nga Banka në lidhje me Shërbimin MPAY apo oferta që lidhen me këtë Shërbim, kryesisht në formën e SMS. Përdoruesi ka të drejtë ta revokojë këtë pëlqim në çdo kohë.

 

Banka dhe Përdoruesi marrin përsipër të aplikojnë në shkallë të lartë masat e sigurisë, teknike dhe organizative, të cilat mundësojnë minimizimin e ndërhyrjeve të paautorizuara në sistem, ndryshimet apo humbjen e të dhënave.

 

Banka është përgjegjëse për zbatimin e të gjitha detyrimeve të parashikuara nga legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale. Përdoruesi ka të gjitha të drejtat që i njihen nga ky legjislacion, duke përfshirë, por pa u kufizuar në:

  • E drejta për akses;
  • E drejta për të kërkuar bllokimin, korrigjimin ose fshirjen;
  • E drejta për të mos qenë subjekt i vendimarrjes automatike;
  • E drejta për të kundërshtuar;
  • E drejta për t’u ankuar;
  • E drejta e kompensimit të dëmit.

 

  1. MBYLLJA E SHËRBIMIT MPAY

 

Shërbimi MPAY do të mbyllet menjëherë nëse operatori i telefonisë celulare ku Përdoruesi është pajtimtar nuk është më i lidhur me sistemin e Shërbimit MPAY, nëse Banka nuk e ofron më Shërbimin MPAY ose nëse Përdoruesi nuk ka më llogari rrjedhëse në lekë pranë Bankës. Në çdo rast, Përdoruesi do të njoftohet lidhur me sa më sipër nëpërmjet formës elektronike e-mail ose SMS të paktën 15 (pesëmbëdhjetë) ditë përpara mbylljes së Shërbimit. Me nënshkrimin e këtyre Kushteve të Përgjithshme, Përdoruesi pranon dhe jep miratimin e tij të parevokueshëm që në asnjë rast Banka nuk mban përgjegjësi ndaj Përdoruesit për mbylljen e Shërbimit.

 

Përdoruesi mund të kërkojë në çdo moment mbylljen e Shërbimit MPAY duke u paraqitur pranë degëve të Bankës dhe duke plotësuar formularin përkatës për mbylljen e Shërbimit MPAY.

 

Banka mundet të mbyllë Shërbimin MPAY për Përdoruesin për arsyet e mëposhtme:

  • Kur nuk respektohen Kushtet e Përgjithshme si dhe udhëzimet e Bankës,
  • Në rast mbylljeje të llogarisë bankare,
  • Në rast se shërbimi nuk është përdorur nga Përdoruesi për një periudhë 6 (gjashtë) mujore,
  • Në rastin e vdekjes së Përdoruesit.

 

Shërbimi MPAY mund të mbyllet edhe përkohësisht për të ruajtur sigurinë e Përdoruesit:

  • Në rast se Përdoruesi shtyp 3 (tre) herë të njëpasnjëshme një numër PIN të gabuar. Në këtë rast, Përdoruesi duhet të paraqitet në një degë të Bankës për të marrë PIN-in e ri; ose
  • Në rast se Përdoruesi konstaton humbje, vjedhje apo hyrje të paautorizuar në elementët mbrojtës të Përdoruesit, ai duhet të njoftojë menjëherë Bankën në njërën prej mënyrave të përmendura në Nenin 6 më sipër.

 

Shërbimi MPAY mund të mbyllet përkohësisht për shkak të mirëmbajtjes, modifikimeve, ndryshimeve, apo ndërhyrjeve të tjera në rrjetet e komunikimeve elektronike, apo në platformat përkatëse të Bankës, ose për arsye të tjera që dalin jashtë kontrollit Bankës.

 

  1. NDËRPRERJA E PËRKOHSHME E PAGESAVE

Banka rezervon të drejtën të ndërpresë përkohësisht pagesa për Tregtarë të veçantë. Në këtë rast, Përdoruesi nuk do të lejohet të iniciojë Urdhërpagesë duke u njoftuar paraprakisht me anë të Menusë USSD dhe/ose Aplikacionit.

 

  1. PËRDORIMI I PAAUTORIZUAR

Përdoruesi është përgjegjës për sigurinë e telefonit celular/tablet-it të tij si dhe ruajtjen konfidenciale të kodit PIN. Përdoruesi nuk duhet t’ia komunikojë kodin PIN asnjë personi të paautorizuar dhe do të ndërmarrë gjithë hapat e duhur që të parandalojë që persona të paautorizuar të mësojnë kodin e tij PIN. Përdoruesi do të njoftojë Bankën sa më shpejt të jetë e mundur nëse dyshon që një person i paautorizuar mund të jetë vënë në dijeni të kodit PIN, ose që ky i fundit është vjedhur dhe me anë të tij janë kryer transaksione të paautorizuara, duke u paraqitur personalisht pranë çdo dege të Bankës për të bërë kërkesën për pajisje me një PIN të ri.

 

Nëse Përdoruesi nuk e njofton Bankën menjëherë sapo të ketë konstatuar veprimin/et abuzive me telefonin celular/ tablet-in dhe/ose numrin kodin PIN të tij, apo vjedhjen e këtyre të fundit, atëherë Përdoruesi do të jetë përgjegjës për gjithë transaksionet e paautorizuara deri në momentin që Banka ka marrë njoftimin nga Përdoruesi.

 

  1. KUFIZIMET E PËRGJEGJËSISË

 

Banka nuk do të mbajë përgjegjësi për sa më poshtë:

  • Urdhërpagesat e gabuara të lëshuara nga Përdoruesi;
  • Përdorimin e gabuar apo të paautorizuar të Shërbimit MPAY nga Përdoruesi;
  • Humbje apo dëme të shkaktuara nga përdorimi i Shërbimit MPAY kur ky i fundit ndalohet, kufizohet, vonohet apo ndikohet në çfarëdolloj mënyre nga ligjet dhe rregulloret në fuqi të shtetit, në të cilin Përdoruesi përdor Shërbimin MPAY, kur ky Shërbim përdoret jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe/ose nga kushtet e operatorit të telefonisë celulare të Përdoruesit të ndodhur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, i cili i mundëson Përdoruesit hyrjen në menunë USSD apo i ofron Përdoruesit shërbim interneti;
  • Humbje apo dëme të shkaktuara nga veprime apo mosveprime të Përdoruesit, në kuadrin e ofrimit të Shërbimit MPAY;
  • Pamundësi apo vonesa për të hyrë në apo përdorur Menunë USSD, SMS apo Aplikacionin;
  • Kosto, mungesa apo sinjal të dobët të shërbimit të internetit në telefonin celular apo tablet-in gjatë përdorimit të Aplikacionit;
  • Pamundësi të shkarkimit të Aplikacionit apo mospërshtatje të Aplikacionit me telefonin celular apo tablet-in e Përdoruesit;
  • Gabime në informacionin e përcjellë nga Përdoruesi nëpërmjet Urdhërpagesave;
  • Gabime në shumat të cilat i faturohen Përdoruesit nga Tregtarët, të cilat paguhen me anë të Shërbimit MPAY;
  • Cilësinë e shërbimeve dhe produkteve të blera duke përdorur si mënyrë pagese Shërbimin MPAY;
  • Përdorimin abuziv nga palë të treta të paautorizuara të kodit PIN të Përdoruesit, për faj ose neglizhencë të këtij të fundit.

 

Nëse Banka, për shkak të veprimeve apo të mosveprimeve të veta për çfarëdolloj arsyeje, është përgjegjëse për shkaktimin e humbjeve Përdoruesit, përgjegjësia e Bankës do të jetë e kufizuar vetëm në shumën e transaksionit i cili është subjekt konflikti mes Bankës dhe Përdoruesit.

 

Përdoruesi kupton dhe pranon që operatorët e telefonisë celulare mundësojnë vetëm përdorimin e Shërbimit MPAY nga pajtimtarët e tyre përkatës të cilët e kanë kërkuar Shërbimin MPAY nëpërmjet nënshkrimit të formularit të regjistrimit dhe të këtyre Kushteve të Përgjithshme. Për shmangien e çdo keqkuptimi, operatorët e telefonisë celulare nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për funksionimin e sistemit të Shërbimit MPAY, Shërbimit MPAY dhe mbarëvajtjen e pagesave të kryera nëpërmjet këtij Shërbimi. Rrjedhimisht, Përdoruesit nuk do të përcjellin te operatorët e telefonisë celulare ankesat e tyre në lidhje me përdorimin e Shërbimit MPAY.

 

  1. VËRTETIMI I PAGESËS

Banka nuk do të japë mandate pagese të printuara për transaksionet e kryera me anë të Shërbimit MPAY. Konfirmimi për kryerjen e suksesshme të Pagesës do të jepet nëpërmjet Menusë USSD, Aplikacionit dhe/ose SMS. Transaksionet e kryera nëpërmjet Shërbimit MPAY do të paraqiten gjithashtu në listën e transaksioneve të Llogarisë së Përdoruesit të lëshuar nga Banka.

 

  1. LIGJI I ZBATUESHËM DHE ZGJIDHJA E MOSMARRËVESHJEVE

Këto Kushte të Përgjithshme janë hartuar dhe do të zbatohen në përputhje me legjislacionin shqiptar. Në rast mosmarrëveshje, të cilat nuk mund të zgjidhen me mirëkuptim mes Bankës dhe Përdoruesit, gjykata ekskluzive për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve do të jetë Gjykata e Rrethit Tiranë.

Faqet më të vizituara